EKSKLUZIVE/ Merkato e Partizanit, oferta për dy nga lojtarët më me eksperiencë në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2025 | 16:15

EKSKLUZIVE/ Merkato e Partizanit, oferta për dy nga lojtarët më me eksperiencë në ekip

Partizani ndodhet në një fazë të ndjeshme dhe vendimtare të verës. Eliminimi i papritur nga Europa, që erdhi pas humbjes 0 me 1 ndaj Kaljus në “Air Albania”, ka lënë pasoja jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe financiar.

PARTIZANI STERVITJE

Klubi përfitoi 325 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen, që duke zbritur shpenzimet e transfertës në Estoni shtojnë zhgënjimin. Largimi i trajnerit Skënder Gega ka hapur një tjetër cikël ndryshimesh, me drejtuesit që tashmë janë në kërkim të një emri të ri për stolin. Por, përveç çështjes së trajnerit, vëmendja më e madhe në klub është e përqendruar edhe te merkato. Konkretisht te dy emra që mund të sjellin të ardhura të konsiderueshme, Marçelino Preka dhe Saliu Sembene. Të dy janë shtylla të mbrojtjes së Partizanit dhe kanë qenë ndër më konstantët e kohëve të fundit.

“Panorama Sport” mëson se për Prekën dhe Sembenen ka interes konkret dhe oferta nga jashtë. Për këtë është menduar edhe mundësia e shitjes. Në këtë moment, mund të shihet edhe si mënyrë për të rikuperuar financiarisht, pas dështimit në Europë. Megjithatë, Partizani nuk do i largonte dy liderë pa ofertën e duhur.

RRUGA E SEMBENES- Saliu Sembene mbërriti te Partizani në shtatorin e vitit 2021, si një investim afatgjatë duke firmosur për katër vite. Asokohe vetëm 19 vjeç, u prezantua së bashku me bashkëkombësin e tij Maget Gueje. Sezoni i parë dhe i dytë nuk ishin të lehtë për Sembenen. Ai vuajti për t’u përshtatur me ambientin dhe kërkesat e stafeve. Në klub këmbëngulën dhe treguan se kanë besim të plotë tek ai. Besimi u konkretizua me rinovimin e kontratës deri në vitin 2027. Nga janari i vitit 2024, Sembene ka statusin e titullarit. Ajo që bie në sy në rastin e tij, është rritja graduale. Tashmë 23 vjeç, ndërsa ka 83 ndeshje me ekipin e parë dhe dy gola në total. Njëri prej tyre, ai ndaj Tiranës në derbin tek “Arena e Demave”, është ndër më të veçantët për t’u përmendur. Te Partizani ka luajtur gjithashtu si mesfushor para mbrojtjes. Vlera e tij aktuale në “Transfermarkt” është 300 mijë euro.

RRITJA E PREKËS- Njëjtë si Sembene, edhe rruga e Marçelino Prekës te Partizani ka pasur vështirësitë e veta. Vetëm në edicionin e kaluar erdhi shpërthimi. Preka u afrua në verën e vitit 2022, pikërisht në ditën e fundit të merkatos. 19 vjeç në atë kohë, kishte spikatur me Bylisin dhe ishte pjesë e Kombëtares U-21. Partizani i besoi menjëherë dhe i ofroi kontratë 4-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër. Fillimi nuk ishte i lehtë, për shkak të disa dëmtimeve që e mbajtën jashtë fushës së blertë. Tashmë Preka konsiderohet titullar i padiskutueshëm dhe një lider i skuadrës. Në moshën 21- vjeçare iu besua edhe shiriti i kapitenit, duke qenë pas Alban Hoxhës dhe Sembenes si ndër më të vjetrit. Shiriti i kapitenit për Prekën në këtë moshë ishte diçka e rrallë tek të kuqtë. Në total ka 78 ndeshje me Partizanin dhe tre gola, ndër të cilët më i rëndësishmi ishte ai në maj kundër Elbasanit, gol që i hapi rrugën e fitores Partizanit dhe i siguroi pjesëmarrjen në Europë dhe “Final Four”. Vlera e tij në “Transfermarkt” është aktualisht 450 mijë euro, shifër kjo më e larta për skuadrën.

DILEMA- Shitja e ndonjërit prej tyre shihet si një mundësi për të sjellë të ardhura dhe për të balancuar buxhetin pas dështimit në Europë. Megjithatë, te Partizani nuk kanë ndërmend të bëjnë lëvizje të nxituara. Sembene dhe Preka janë të dy nën kontratë afatgjatë dhe klubi nuk ka presion për shitje të menjëhershme. Preka dhe Sembene janë dy nga të paktët që kanë qenë pjesë e skuadrës kampione në sezonin 2022-2023. Ekipi ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Vetëm disa lojtarë kanë mbetur. Në këtë panoramë, Preka dhe Sembene mund të shikohen si pjesë e boshtit të garancisë. Nëse Partizani vendos t’i mbajë, atëherë mund të ndërtojë duke i llogaritur për një skuadër konkurruese në këtë sezon. Në të kundërt, shitja e tyre do të sjellë përfitime financiare, por edhe një boshllëk të madh në mbrojtje. Për këtë do të jetë e nevojshme të afrohen menjëherë zëvendësues të denjë, teksa aktualisht ekipi nuk shfaq nevojë për qendrën e mbrojtjes. Dyshja nga Kosova, Andi Janjeva dhe Altin Bytyçi, plotësojnë nevojat e repartit aktualisht. Preka dhe Sembene ndërkohë janë simbol i investimeve të viteve të fundit, por edhe dëshmi se klubi ka ditur të rrisë lojtarë me potencial.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL