EKSKLUZIVE/ La Partizanin pas 10 vitesh, Kalari befason dhe i bashkohet rivalëve të kryeqytetit
Partizani dhe Renaldo Kalari kanë ndarë rrugët, ndërsa “Panorama Sport” mëson se ka vazhduar te Dinamo. Ishin plot 10 vite rrugëtim, që nisën fillimisht si lojtar dhe përfunduan si trajner i ekipit B. Vetë Kalari ka kërkuar largimin, pasi dëshiron të vazhdojë si ndihmës i Ilir Dajës. Kështu është bërë pjesë e Dinamos tashmë, ndërsa po afron ndeshja e turit të dytë të Ligës së Konferencës.

Foto: Ildi Merolli
Vendimi i Kalarit u pranua nga Partizani, që ndërkohë do të vazhdojë me projektin e Partizanit B në Kategorinë e Dytë. Të kuqtë janë në kërkim të trajnerit të ri. Dhe duhet të jetë dikush që ia del të menaxhojë si duhet brezin e ri, elementë që mund të bëjnë mirë më pas edhe në ekipin e parë, si dhe vështirësitë e kategorive inferiore.
KALARI- Kalari vendosi ta mbyllë karrierën si futbollist pikërisht te Partizani. Dhe për të ishte në mënyrën më të bukur, pasi fitoi titullin kampion me klubin e kuq që i dha fund 26 viteve pritje. Ishte rikthim për Kalarin me të kuqtë në vitin 2015.
Pjesën më të madhe të karrierës e kaloi me të kuqtë. Për këtë edhe zgjodhi të vazhdonte në stafet e kryeqytetasve. Në një moment të vështirë, kur Partizani mbeti pa trajner, Kalari u mbajt përkohësisht në krye për disa javë. Si trajner te moshat dhe po ashtu ndihmës në ekipin e parë, puna e Kalarit u vlerësua. Ish-mbrojtësi ia doli që të shpërblejë besimin e klubit, duke ngjitur ekipin B në Kategorinë e Dytë. Sezoni i kaluar ishte i pari pas rikthimit në aktivitet.
PARTIZANI B- Të kuqtë kanë një sy tek ekipi B, që akoma nuk i ka filluar përgatitjet e sezonit të ri. Nisja e Kategorisë së Dytë në shtator e jep këtë mundësi. Më pas objektiv do të mbetet ngjitja e një tjetër kategorie. Fillimisht kërkohet që të ruhet shumica e skuadrës së sezonit të kaluar, që solli dhe suksesin. Më pas besimi qëndron që mund të pasojnë suksese të tjera, dhe pse vështirësia shtohet dhe misioni nuk duket aspak i lehtë.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













