EKSKLUZIVE/ Kristian Mba: Qyteti mbetet i kuq, Partizani ka tre liderë të rinj. Ja kush e vendos derbin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2025 | 22:11

EKSKLUZIVE/ Kristian Mba: Qyteti mbetet i kuq, Partizani ka tre liderë të rinj. Ja kush e vendos derbin (E PLOTË)

Kristian Mba ishte një nga largimet më “të rënda” të Partizanit në merkaton e janarit, sidomos prej faktit që në pjesën e parë të sezonit u bë pikë referimi dhe po performonte shumë mirë.dfghg

Nigeriani në ditët në vijim do t’i bashkohet skuadrës së Metalist Kharkiv në ligën e dytë ukrainase. Me shitjen e Mba, Partizani flitet të ketë arkëtuar një shifër prej afro 500 mijë eurosh. Në një prononcim për “Panorama Sport”, nigeriani flet për kohën e kaluar te Partizani, teksa është i sigurt se ekipi i kuq e fiton edhe derbin e radhës.

Si ishin këto dy vite te Partizani?

Kam kaluar dy vite plot me kujtime të mrekullueshme dhe ndjesi fantastike. E shoh kështu, sepse pashë dhe mësova plot gjëra që nuk i kisha ditur apo nuk isha ndeshur kurrë më parë. Jam i kënaqur me gjithçka që kam kaluar në atë klub.

Kush ishte momenti juaj më i bukur?

Padyshim momenti i fitimit të titullit, por kujtoj edhe ndeshje mjaft të mira në kualifikueset e kompeticioneve europiane.

Kush ishte lojtari më i mirë me të cilin luajtët te Partizani?

Gjithsecili që takova atje dhe luajtëm së bashku kanë qenë lojtarë shumë të mirë, por unë do të veçoja emrin e Da Silvës. Ishte një lojtar i pandalshëm në fushë dhe një person shumë i këndshëm në jetën e përditshme.

Kush ishte trajneri me të cilin krijuat marrëdhënien më të mirë?

Kam pasur marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë, por Xhovani Kolela është në krye. Ai besoi shumë tek unë dhe më ndihmoi të kem besim të fortë të vetja.

Mendoni se Partizani humbi fuqi me largimin tuaj dhe të tjerëve?

Partizani nuk e humb asnjëherë forcën. Kujtoni që para se të vija unë u larguan lojtarë kryesorë të ekipit, por në fund ne fituam titullin kampion. Momenti i vështirë do të mbarojë, lojtarët do të njohin njëri-tjetrin dhe do të nisin të fitojnë ndeshjet.

Kush mund të jenë liderët e rinj të Partizanit?

Mendoj se Sembene, Preka dhe Bintsuka janë liderët e Partizanit në këtë moment. Ata po japin kontribut të madh në punën që bëjnë në rolet e tyre përkatëse.

Të dielën luhet derbi. Si e parashikoni këtë ndeshje?

Qyteti do të qëndrojë gjithnjë i kuq. E kuqja do të shkëlqejë edhe këtë herë. Derbin e fiton Partizani.

 

Mendoni se Partizani është akoma favorit për titullin, pas gjithë lëvizjeve që janë bërë në janar?

Partizani është gjithnjë favorit për të fituar titullin. Fanella ka peshë, pastaj mund të shikoni se çfarë kemi bërë në ndeshjet europiane në këto sezonet e fundit.

Cili prej lojtarëve të kuq mund ta vendosë derbin me golin e tij?

Mendoj se Bintsuka, Kote dhe Mehmeti janë lojtarët që mund ta bëjnë këtë ndeshje më të lehtë për Partizanin dhe mund të vendosin fitoren e ekipit të kuq.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL