EKSKLUZIVE/ “Kontreras me statistikat më të mira në Shqipëri”, Kërnaja ul euforinë te Partizani: Vllaznia? Nuk është se do marrim 6 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2026 | 9:02

EKSKLUZIVE/ “Kontreras me statistikat më të mira në Shqipëri”, Kërnaja ul euforinë te Partizani: Vllaznia? Nuk është se do marrim 6 pikë

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja foli për “Panorama Sport” pas fitores së Partizanit në Arenën e Demave ndaj Teutës me rezultatin 2-1. Tekniku i skuadrës kryeqytetase u shfaq i kënaqur për tre pikët në këtë moment të kampionatit pasi fitorja erdhi ndaj një rivali direkt për klasifikimin si Teuta. Ndër të tjera, Kërnaja shtoi se është gjithashtu i lumtur me organikën që skuadra duke qenë se mes dëmtimeve, pezullimeve, sërish skuadra ka arritur të shfaqet kompetitive në fushë dhe të marrë maksimumin e mundësive që ka.

kernaja abazaj

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore ndaj Teutës?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme, me një rival direkt dhe me një ekip që ka bërë mirë në javët e fundit dhe pavarësisht se nuk ka fituar, ishte edhe një ekip që nuk kishte humbur. Ekipi që nuk humbet do të thotë se është një ekip që organizohet mirë në pjesën difensive, kështu që për ne është shumë mirë. Djemtë dhanë maksimumin, shumë të rëndësishme edhe tre pikët, dihet që ne në çdo ndeshje futemi për tre pikët.

Goditët me zëvendësimet, Skuka asistoi dhe Kontreras shënoi…

E dimë tipologjinë e lojtarëve dhe mundohemi që të godasim me zëvendësimet. Kontreras është një lojtar zone që është shumë i rrezikshëm, njeh linjat, njeh kohën, jua merr kohën kundërshtarëve. Në çdo ndeshje që është futur ka pasur dy apo tre raste, është një lojtar thellësie. Jam shumë i kënaqur, jep maksimumin dhe të mos harrojmë se është shumë i ri dhe akoma ka nevojë të ambientohet me ekipin, me kampionatin, vjen nga një zonë e largët, por duke parë statistikat është lojtari me statistikat më të mira në Shqipëri nëse marrim raportin e golave të shënuar me minutat e luajtura.

Shënoi edhe Toma, sulmi e bëri detyrën. Mbetet për t’u rregulluar përqëndrimi në mbrojtje?

I gjithë ekipi po luan mirë në mbrojtje dhe në sulm, mos harrojmë jemi në presing lart gjatë gjithë kohës, është edhe mbrojtja që shkon lart. Edhe sulmi ka pas raste nuk ka shënuar si në ndeshjen me Vorën, sot shënoi kështu është futbolli. Është me raste dhe gabime, kush shfrytëzon gabimet. Në mbrojtje kemi pasur probleme me dëmtimet, pezullimet. Janjeva, Sembene nuk kanë luajtur bashkë në qendër thuajse asnjëherë. Mund të ketë luajtur Sembene në qendër dhe Janjeva të ketë luajtur mbrojtës i djathtë, por në qendër të dy bashkë nuk kanë luajtur asnjëherë. Kemi Prekën të dëmtuar ndërsa Bytyçi ishte me katër kartonë, Marku i dëmtuar. Kemi pasur shumë probleme në difensivë dhe nuk kemi pasur një formacion tipik bazë në këtë repart që ta dijmë ku do të organizohemi. Por, falë këtyre çunave dhe ekipit që ka një numër të lartë lojtarësh sepse nëse nuk do të kishim dy ekipe do ta kishim shumë të vështirë të plotësonim një 11-tëshe të pastër dhe falë ekipit që arrin të prodhojë lojtarë të rinj si Sulo që duhet ta përgëzojmë, jemi sot në këtë pikë.

Ndeshja me Vllazninë është shansi i fundit për “Final Four”?

Shansi i fundit për “Final Four” nuk është asnjëherë, ne do të luajmë me Vllazninë si një ndeshje të radhës. Tre pikë vlen Vllaznia, tre pikë vlente Teuta dhe tre pikë vlen edhe Teuta që fituam. Nuk është se në ndeshjen me Vllazninë do të marrim gjashtë pikë, është edhe ajo tre pikë. Është ndeshja e radhës, të japim maksimumin, do i japim rendimentin e duhur djemve dhe shpresojmë të japin të njëjtin rendiment”, tha Kërnaja.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL