EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri vlonjat, Lutaj: Flamurtari më gëzoi me ngjitjen në Superiore, pa akademi nuk ka të ardhme
Edmond Lutajn e ka gëzuar pa masë rikthimi i Flamurtarit në Superiore pas pesë vitesh që është “dergjur” në inferiore. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat, që aktualisht jeton në Suedi, nuk i fsheh emocionet ndërsa “skanon” kuqezinjtë në startin e kampionatit dhe ndryshimet e mëdha që kanë pësuar këtë sezon.

Edhe pse i shikon më të avantazhuar trajnerët shqiptarë, Lutaj vlerëson shkollën spanjolle nga vjen Karlos Garsia për metodikat e avancuara të futbollit. Ish-trajneri thotë se duhet kthesa urgjente me qëllim që skuadra të mos vendoset në presion që në fillim. Për lojtarët e huaj që kanë krijuar “OKB”-në e Vlorës, Lutaj e shikon një trend botëror. Trajneri vlonjat zbulon se si ishpresidenti Shpëtim Gjika i solli Bruno Telushin nga Italia në vitin 2012 dhe ai e promovoi te Flamurtari, duke e cilësuar talent të asaj kohe.
Flamurtari u rikthye në Superiore pas 5 vitesh. Ju si ndiheni?
Ngjitja e Flamurtarit në Superiore më gëzoi. Flamurtari është një dashuri e madhe jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për gjithë zonën e jugut.
Këtë sezon kanë një trajner spanjoll, Karlos Garsia. Keni njohje për të?
Trajnerin nuk e njoh, por besoj se Flamurtari e ka përzgjedhur me kujdes trajnerin.
Do të preferonit një trajner vendas, vlonjat?
Trajnerët vendas kanë avantazhet e tyre. Njohin ambientin, lojtarët, mentalitetin e futbollistëve dhe gjëra të tjera që i shërbejnë një trajneri. Këto avantazhe të marrin kohë t’i fitosh. Kurse trajneri spanjoll vjen nga një nga shkollat më të mira të futbollit botëror. Besoj se trajneri vjen gjithashtu me ide dhe metodika pune të avancuara. Por është e rëndësishme që rezultatet e ekipit të jenë pozitive që në fillim, për arsyen e shmangies së presionit që mund të vijë nga rezultatet negative.
Këtë sezon Flamurtari përbëhet nga lojtarë nga 12 kombe dhe që flasin 8 gjuhë të ndryshme. Si e shikoni këtë situatë?
Ky trend është pak a shumë në të gjithë botën. Klubet e kanë më të lehtë të marrin lojtarë të afirmuar nga jashtë sesa t’i shkollojnë në akademitë e tyre. Kjo gjë mendoj se është shumë negative si për qytetin, por edhe për brezat që stërviten dhe ëndërrojnë për të veshur fanellën e Flamurtarit.
Shumë pak vendas dhe vetëm një vlonjat, Bruno Telushi. Si e komentoni?
Më bëhet qejfi që Telushi është rikthyer te Flamurtari, por dua të theksoj se Brunon e kam mbështetur dhe i kam dhënë mundësinë të afirmohet te Flamurtari. Më kujtohet kur ka ardhur nga Italia për t’u provuar te ne në vitin 2012. Ishte në moshë të re, por me goxha talent. Pas disa ndeshjesh kampionati, ai filloi të konkurronte denjësisht për një vend në formacion. Në atë kohë luanin Lena dhe Kuqi në qendër të mesfushës. Mua më kujtohet ish-presidenti Shpëtim Gjika që ma prezantoi dhe më tha: “Shikoje këtë djalin se është i talentuar, është vlonjat, por banon në Itali.” Kur e pashë në fushë, Telushi ishte vërtet i talentuar.
Pse mendoni se nuk ka më prodhim vlonjat?
Të prodhosh futbollistë cilësorë që t’i shërbejnë Flamurtarit nuk është diçka e lehtë. Duhet një akademi cilësore, duke filluar nga infrastruktura, cilësia e trajnerëve që do të punojnë në akademi dhe vizioni që klubi ka për të ardhmen. Pra, duhet të investosh shumë lekë, të kesh stafin dhe vizionin e duhur. Pa këto gjëra mos prisni çudira. Përveç akademisë së Flamurtarit duhet të ketë edhe rrugë të tjera për të furnizuar Flamurtarin me talente, por edhe këto mundësi nuk ekzistojnë. Po të dalësh në Evropë dhe të shikosh çfarë mundësish kanë fëmijët për t’u stërvitur, janë si nata me ditën. Në Suedi, ku unë banoj, ka çdo lagje një kënd sportiv dhe një fushë futbolli të cilësisë së mirë, ku fëmijët mund të dalin të luajnë futboll në mënyrë spontane, të paorganizuar. Në Vlorë kjo gjë nuk ekziston. Pra, nuk duhet t’i kërkojmë vetëm llogari Flamurtarit. Futbolli dhe sporti duhet të jenë strategji kombëtare.
E nisën me humbje kampionatin në Elbasan, për shkak të një autogoli. Keni një koment?
Ndeshjen nuk e pashë. Rezultati nuk është i mirë për Flamurtarin, por është vetëm fillimi i kampionatit.
Ndeshja e radhës me Bylisin, çfarë prisni?
Flamurtari patjetër duhet të kërkojë tri pikët e para.
Objektivat janë madhorë. Me gjithë këto ndryshime në skuadër, i shikoni të arritshme?
Unë nuk i di objektivat e Flamurtarit, por shpresoj që t’i realizojnë të gjitha objektivat që kanë dhe ta bëjnë qytetin krenar.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













