EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori Bylykbashi analizon gjendjen e Elbasanit: Me katër lojtarë, Elbasani bëhet top
Elbasani i ka kthyer sytë nga merkatoja e verës, me bindjen se afrimet e duhura mund të bëjnë diferencën për ndërtimin e një skuadre më cilësore dhe konkurruese. Pas një sezoni me ulje-ngritje, drejtuesit dhe stafi teknik janë të vetëdijshëm se për të rritur nivelin dhe ambiciet, duhen përforcime në çdo repart.

Objektivi është i qartë: të ndërtohet një grup solid, me lojtarë që sjellin eksperiencë, kualitet dhe dëshirë për sukses. Pikërisht për këtë arsye, merkatoja shihet si mundësia më e mirë për të kthyer ekipin në një projekt serioz dhe afatgjatë. Klubi po punon me intensitet për të siguruar lojtarë me profilin e duhur, të cilët do t’i japin skuadrës identitet dhe vazhdimësi. Optimizmi është i pranishëm, por gjithçka do të varet nga cilësia e afrimeve dhe mënyra si do të harmonizohen në fushë.
BYLYKBASHI – Ish-mesfushori i njohur i futbollit elbasanas, Gentian Bylykbashi, ka ndarë mendimet e tij mbi skuadrën e qytetit të lindjes, duke u ndalur te pritshmëritë për sezonin e ri dhe rëndësia që ka përforcimi në të gjitha repartet. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Bylykbashi duket i bindur në faktin që verdheblutë do të bëjnë më mirë këtë edicion futbollistik, edhe për faktin se tanimë kanë një eksperiencë më të madhe mbi supe.
“Mendoj se Elbasani mund të bëjë më mirë se edicionin e kaluar. Eksperienca e sezonit të fundit duhet t’i ketë shërbyer të gjithëve brenda skuadrës. Elbasani për pak arriti të siguronte vendin e katërt, por e humbi vetëm në javën e fundit dhe ndoshta eksperienca bënë që ta humbasin atë pozicion. Tani, i shoh më të pjekur në aspektin sportiv të gjithë”, u shpreh në fjalën e tij ishkapiteni i skuadrës së Elbasanit dy dekada më parë.
MERKATO – Duke analizuar nevojat e skuadrës në merkato, Bylykbashi nënvizon qartë se afrimet duhen në të gjitha rolet, duke përjashtuar portierin që tanimë e kanë zyrtarizuar. “Besoj që duhet nga një afrim me peshë në çdo repart: një mbrojtës qendre, një mesfushor qendre, një ‘uinger’ dhe një sulmues goli. Me këto lëvizje, e shoh të kompletuar skuadrën për të pretenduar për vendet e para që të dërgojnë në kupat e Europës”, vijoi më tej në fjalën e tij ish-futbollisti i skuadrës së Elbasanit.
RIVALITETI – Në fund, Bylykbashi ndalet edhe te rivaliteti që do të jetë këtë edicion në Superiore, ku sheh disa skuadra që kanë pretendime më shumë sesa të tjerat. “Do të jetë një kampionat i fortë, si për zonën e ‘Final Four’, ashtu edhe për mbijetesën. Gjithçka do të varet edhe nga mënyra se si do të ndërtojnë ekipet në merkato”, thekson ish-lojtari verdheblu. Sipas tij, janë pesë ekipet që duket se do të luftojnë për kampion. “Ekipet si: Elbasani, Dinamo, Egnatia, Partizani dhe Vllaznia do të jenë pretendentët kryesorë për titullin kampion dhe do të luftojnë deri në javën e fundit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Gentian Bylykbashi.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













