EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Xhafa “përjashton” barazimin: Pres një derbi në sulm, lojtarët kanë motivim ekstra (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2025 | 8:56

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Xhafa “përjashton” barazimin: Pres një derbi në sulm, lojtarët kanë motivim ekstra (E PLOTË)

Barazimi në derbi nuk i bën punë as njërës prej dy skuadrave, as Tiranës dhe as Dinamo.xhafaaNë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Erjon Xhafa, ish-lojtar i këtyre dy skuadrave dhe aktualisht pjesë e klubit blu si drejtues i akademisë, gjykon se si blutë, ashtu edhe bardheblutë, do të bëjnë gjithçka për ta fituar ndeshjen e së dielës, që luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.

DERBI – “Ne që e kemi luajtur derbin, e dimë mirë se çfarë përcjellin këto lloj ndeshjesh. Nuk ka rëndësi pozicioni në renditje, nuk kanë rëndësi problemet e momentit për njërën apo tjetrën skuadër, gjithçka harrohet kur del në fushë. Ka një motivim ndryshe, diçka ekstra për çdo futbollist kur luan një derbi. Në këtë sens mendoj se nuk ka favorit, edhe pse Dinamo është në një pozicion më komod në renditje”, ka thënë Xhafa fillimisht për “Panorama Sport”.

JO BARAZIM – Ish-mbrojtësi thekson pastaj se të dyja skuadrat do të sulmojnë për të fituar: “Mundësitë më të mëdha janë që të shohim një lojë të hapur, ndoshta me përjashtim të minutave të para. As Tiranës dhe as Dinamos nuk i bën punë barazimi në këtë rast, do të kërkohet fitorja dhe për të fituar duhen gola. Nuk mund ta parashikojmë se çfarë rrjedhe do të marrë loja, pasi siç e dimë, janë edhe episodet, por mendimi im është se do të shohim një derbi të hapur”.

PRESIONI – Për Xhafën, ashtu si dhe për gjithë opinionin, presioni është shumë më i madh për Tiranën. “Patjetër që ka më shumë presion te Tirana, Dinamo është më komode, sepse është në ‘Final 4’ dhe ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të kërkojë fitoren. Përkundrazi, është më e motivuar për të vazhduar me serinë e fitoreve për t’ia lehtësuar sa më shumë punët vetes. Dihet që një fitore në derbi të ngre shumë. Tirana në anën tjetër e vuan shumë pozicionin në fundin e tabelës dhe ka nevojë për pikë. Jo vetëm Tirana, por të gjitha skuadrat e kryeqytetit e kanë problem të qenit në fundin e renditjes”, është shprehur Xhafa, i cili vitet e fundit ka qenë pjesë e stafeve teknike të të dyja skuadrave.

SULMI BLU – Më tej, duke u fokusuar te Dinamo, ishmbrojtësi ka pohuar se problematika e sulmit të saj në javët e fundit ka ardhur për shkak të konsumimit dhe mungesave: “Po, është e vërtetë që Dinamo pati një sulm goxha efikas dhe kohët e fundit ka hasur pak vështirësi. Kjo mendoj se ka ardhur për shkak të konsumimit dhe mungesa që Dinamo ka pasur në sulm. Zabërgja ka sakrifikuar shumë, duke luajtur edhe në role të tjera. Mandela ka pasur disa dëmtime, po ashtu edhe Bregu, që u dëmtua në momentin më të mirë dhe pastaj mungoi edhe pas rikthimit. Të gjitha këto ndikojnë. Këto javë të fundit është pozitiv fakti që Dinamo nuk ka pësuar gol”.

DERBI NË ELBASAN – Sa e zbeh bukurinë e derbit fakti që nuk po luhet në kryeqytet? Për këtë çështje Xhafa përgjigjet: “Normalisht, mirë është që derbi të luhet në Tiranë, sepse është atmosferë ndryshe. Por edhe në Elbasan mendoj se është e pranueshme. Nuk është si në Vlorë, ku u luajt një nga derbit këtë sezon. Elbasani është afër për tifozët dhe për më tepër luhet në një terren shumë të mirë, që i lejon të dyja skuadrat të shfaqin gjithë potencialin e tyre”.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL