EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Pano: Gjendje alarmante, Partizani për transformim. Nëse nuk hyn në “Final 4”, është një vit i dështuar… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2025 | 12:35

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Pano: Gjendje alarmante, Partizani për transformim. Nëse nuk hyn në “Final 4”, është një vit i dështuar… (E PLOTË)

Sezoni ka ardhur në fund, të dielën është ndeshja finale, aty ku vendoset gjithçka rreth “Final 4” dhe mbijetesës.ledio panoPartizani luan përballë Elbasanit dhe vetëm një prej tyre kalon në “Final 4”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kapiteni Ledio Pano ofron një pasqyrë të detajuar të sezonit të Partizanit deri më tani.

Ai analizon rënien e skuadrës pas një starti të shkëlqyer dhe dështimin në merkaton e janarit. Sipas tij, Partizanin e pret një betejë shumë e vështirë me Elbasanin. Ai shton se Gega duhet të qëndrojë gjatë dhe duhet të bëjë një revolucion të madh në skuadër.

 

Pano, si e përkufizoni këtë sezon të Partizanit deri më tani? Me ulje-ngritje. Padiskutim që e nisën mirë. Deri në dhjetor, ishin të parët dhe, për mendimin tim, pretendentët kryesorë. Pas ikjes së katër a pesë lojtarëve titullarë, sigurisht që cilësia ra dhe nuk u zëvendësuan në kohën e duhur. Lojtarët që erdhën nuk ishin në nivelin e duhur për të ndihmuar ekipin. Gabimet e bëra në janar, vazhdojnë të duken edhe tani. Për mua, gjendja është alarmante në momentin që del nga katërshja kur ka mbetur edhe një ndeshje dhe eliminohesh edhe nga Kupa. Padiskutim që, nëse nuk hyn në “Final 4”, për Partizanin është një vit i dështuar.

A duhej të ishte punuar më mirë për zëvendësimin e tyre para se Cara, Rrapaj, Hadroj apo Mba të shiteshin? Padiskutim që po. Katër lojtarë janë baza e ekipit, për më tepër që ata emra ishin ndër më çilësorët jo vetëm të Partizanit, por edhe të kampionatit. Zëvendësimi i tyre ishte i domosdoshëm me lojtarë çilësorë, në rastin kur klubi si objektiv kishte Kupën dhe titullin kampion. Në fund nuk u zëvendësuan. Ata lojtarë që erdhën në janar, nuk e kanë cilësinë e duhur. Duket që vetëm Eleke është në formaçion, pjesa tjetër si zëvendësues, por edhe ata kanë problematika të jashtëzakonshme. Kështu që mendoj se puna për zëvendësimin e të larguarve ka qenë e dobët.

E prisnit që Egnatia ta përmbyste Partizanin në gjysmëfinale të Kupës? Të them të drejtën, besoja se do të kalonte Partizani. Edhe pse cilësinë nuk e ka, por të paktën duke dhënë shpirtin dhe duke treguar dëshirën për të shkuar në finale, ndoshta mund t’ia dilte. Sigurisht, e pati mundësinë e kishte. Jo se ishte më mirë se Egnatia, por ai rast i humbur i Kekos në fund të pjesës së parë, ndoshta do t’i jepte një shtysë tjetër Partizanit për finalen. Nganjëherë duhet edhe fati, por thonë se fati ndihmon gjithnjë më të fortin. Sigurisht, Egnatia ka ekip cilësor, bëri detyrën, luajti shumë më mirë se Partizani. Në pjesën e dytë, sigurisht që Partizani u mbrojt derisa pësoi golin, më pas lodhja bën të vetën. Duke mos pasur edhe cilësinë e duhur, bën edhe që të eliminohesh në fushën tënde. Egnatia e meritoi të shkojë në finale. Do të ishim më të qetë nëse do të kalonte Partizani, por momentalisht nuk e meritonte.

Si ju duket ardhja e Gegës në një moment kritik të sezonit dhe sa mund të bëjë ai me këtë ekip? Padiskutim që skuadra duhet rinovuar. Ardhja e Gegës ishte më tepër një lëvizje për të mbyllur gabimet e atyre që ishin. Nuk besoj se Gega mund të bënte me tepër seç ka bërë. Ka fituar tri ndeshje dhe ka humbur dy, me një ekip me lojtarë shumë të dobët. Është munduar t’u marrë maksimumin atyre lojtarëve që ka. Unë dua të besoj se Gega dhe Haxhia kanë ardhur për të qëndruar gjatë dhe për të ndryshuar mentalitetin e klubit dhe ekipit. Unë këtë dua të besoj dhe shpresoj të jetë kështu, sepse tek ai klub çdo gjë mund të ndryshojë. Mendimet tjetërsohen, mentaliteti ndryshon. Janë ndërruar shumë trajnerë, vijnë lojtarë dhe në verë ikin për ta bërë ekipin nga e para. Nuk ka një stabilitet në gjithë këto vitet e fundit. Shpresoj që Gega dhe Haxhia kanë ardhur ta ndihmojnë klubin për shumë vite.

Si e prisni ndeshjen me Elbasanin, kush është më i avantazhuar? Është ndeshja e fundit e kampionatit të rregullt, pastaj vjen “Final 4”. Padiskutim, lodhja e 120 minutave të ndeshjes me Egnatian në Kupë bën të vetën. Kjo lodhje nuk është vetëm e ndeshjes së fundit, por është tregues i të gjitha ndeshjeve nga janari e këtej. Tregon cilësinë e paktë që kanë këta lojtarë, mundësinë dhe mosdëshirën e tyre për të dhënë maksimumin në një klub që ka një peshë shumë të rëndë në futbollin shqiptar. Ata që janë aty duhet të japin gjithnjë maksimumin. Është ndeshje decizive që ekipi të hyjë në katërshe dhe të paktën të synojë një vend në kupat e Europës. Do të jetë një ndihmë për klubin në këtë moment ku është. “Final 4” pastaj janë dy ndeshje që çdo ekip, sado i dobët të jetë, mund t’i nxjerrë dhe të bëjë edhe atë që s’e pret njeri. Por me Elbasanin është ndeshje shumë e vështirë, sepse Elbasani është në “topformë”. Në dhjetë ndeshje, është skuadra më në formë e momentit dhe do të jetë shumë e vështirë. Ata që do të luajnë dhe ata që janë në stol do të duhet të tregojnë veten. Mendoj se kjo ndeshje do të jetë një pikënisje për vazhdimësinë e ekipit për vitin tjetër. Shumica e tyre, për mendimin tim, duhet të largohen, sepse nuk kanë asnjë lidhje me mentalitetin që ka ky klub. Ndryshimet duhet të jenë të shumta në përbërje. Ka pak lojtarë që mund të vazhdojnë për vitin tjetër.

Po garën poshtë, si e prisni të jetë? Është e vështirë për të katërta ekipet poshtë. Siç është ndeshja mes Partizanit dhe Elbasanit në krye, është edhe ndeshja me Skënderbeun dhe Bylisin për rënien poshtë. Edhe Tirana kundër Dinamos dhe Laçi kundër Vllaznisë janë ndeshje specifike për secilën nga ekipet. Ndeshja e Tiranës do të jetë kryesorja për të treguar nëse duhet të qëndrojë apo jo. Skënderbeu gjithashtu luan ndaj rivalit kryesor dhe nëse e mund, qëndron. E ka ndeshjen në shtëpi. Tirana, me një fitore, siguron vendin e tetë. Duhen parë të gjitha këto ndeshje, sepse të gjitha janë të rëndësishme. Teuta me Egnatian do të jetë si një miqësore në kuptimin figurativ. Dinamo mendoj se do ta ketë mendjen te “Final 4” dhe jo te ndeshja e së dielës. Besoj se Tirana e ka vetë në dorë për të qëndruar.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL