EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Hallaçi: Besoj do rikthehem te Partizani! Të kuptojnë çfarë fanelle përfaqësojnë (E PLOTË)
Rraman Hallaçi e niste karrierën si futbollist te Partizani, për të kaluar plot 8 vite me “demat” ku mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Pas kaq shumë kohësh, Hallaci ka mbetur në fushën e futbollit. Tashmë fokusi është në stol ku drejton Sopotin në Kategorinë e Dytë. Objektiv është ngjitja, ndërsa Besëlidhja shfaqet si rivali kryesor. “Panorama Sport” ka siguruar një intervistë me trajnerin 42-vjeçar. Hallaçi nuk e fsheh dëshirën, që të kthehet sërish te Partizani. Këtë herë objektiv i tij është për të qenë trajner. Po ashtu tekniku kuksian tregon edhe çfarë nuk shkoi me Partizanin në dy ndeshjet e fundit, që u regjistruan humbje.
Te Sopoti mbani vendin e dytë, me 1 pikë më pak se Besëlidhja. Çfarë mund të thoni për këtë eksperiencë në Kategorinë e Dytë? Sopoti është në rrugën e duhur. Kemi bërë gjysmën e rrugës, kemi shumë gjëra për të përmirësuar gjatë fazës përgatitore. Do bëjmë merkato sigurisht. 90% e skuadrës do të vazhdojë. Kemi sfida të forta përpara. Me besim dhe durim deri në fund.
Si e shikoni kampionatin shqiptar pas 18 javësh? Ju ka befasuar ndonjë ekip? Kampionati është shumë i rivalizuar. Skuadrat kanë mobilizimin e duhur për të arritur objektivin përkatës. Ka ritëm dhe dëshirë në mënyrën e të luajturit. Skuadra e Tiranës duhet të ndryshojë mënyrën e të luajturit që të shkojë te suksesi. Në ndeshjet e fundit ka treguar forcë dhe karakter.
Për Partizanin mund të flisni si një ish, aty ku nisi çdo gjë. Çfarë kujtoni nga koha e gjatë me “demat”? Tek Partizani kam kaluar vite të mrekullueshme. Aty nisi karriera ime. Për plot 8 vite, Partizani më dha gjithçka. Mësova hapat e parë në futbollin profesionist. Kam besim që një ditë do të rikthehem si trajner.
Partizani pësoi dy humbje radhazi. Çfarë nuk shkoi ndaj Dinamos dhe Egnatias? Partizani pësoi dy humbje për shkak të mënyrës së luajturit. Lojtarët duhet të kuptojnë çfarë fanelle përfaqësojnë. Partizani duhet të rregullojë lojën dhe të krijojë stilin e lojës që i takon Partizanit. Vendi i gjashtë i Partizanit nuk është objektiv.
Ku i shikoni “demat” me Kërnajën në fund të sezonit? Si e gjykoni guximin e Partizanit, për të besuar një emër të ri për Superioren? Futbolli është sfidë. Të gjithë janë në provë. Vetë fanella e Partizanit është e rëndë për këdo. Për momentin duhet shumë punë.
Partizani është pafat edhe me dëmtimet. Sa kanë ndikuar te ecuria e këtij sezoni? Partizani ka pasur dëmtime, por ka edhe lojtarët e pankinës. Nuk ka justifikim. Lojtarët aty janë, alternativat janë. Duhet të japësh maksimumin.
Te Kukësi po ashtu keni kaluar një pjesë të madhe të karrierës suaj dhe po ashtu shfaqet në vështirësi. Pse nuk po funksionon klubi? Kukësi ka prekur fundin. Nuk merr kush përgjegjësi, e shikoj shumë në vështirësi. Uroj që një ditë të rikthehet aty ku ishte.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













