EKSKLUZIVE/ Isgandarli “karikon” skuadrën: S’kanë rëndësi emrat, Partizani ka grupin. Në fushë luajmë për njëri-tjetrin
Partizani triumfoi në derbin e kryeqytetit përballë Tiranës me rezultatin 2-0, teksa një nga protagonistët e sfidës ishte edhe Vusal Isgandarli.

Sulmuesi azerbaxhajnas shënoi golin e dytë të ndeshjes duke i dhënë më shumë garanci dhe siguris skuadrës së tij për një trepikësh të artë në tabelën e klasifikimit. Pas takimit me Tiranën, në një prononcim për “Panorama Sport”, 30-vjeçari u shpreh mjaft i lumtur për fitoren dhe golin e shënuar në derbi.
Megjithatë, Isgandarli theksoi se pavarësisht golit, më shumë i gëzohet suksesit të skuadrës pasi për të grupi vjen i pari. Ndër të tjera, Isgandarli shtoi se tashmë fokusi duhet të kalojë te ndeshja e radhës që është në Vlorë ndaj Flamurtarit, dhe se sfida me Tiranën do të arkivohet pasi skuadrës i kërkohet të mbetet e përqëndrohet te përmbushja e objektivave sezonalë.
Sa i lumtur je për këtë fitore në derbi ndaj Tiranës, si dhe për faktin që gjete edhe rrugën e rrjetës?
Më beso që më të rëndësishëm në këtë moment ishin tre pikët, sepse bëhet fjalë për Partizanin që është një emër shumë i madh në futbollin shqiptar. Të gjithë flasin për “Final 4”, për ne është shumë e rëndësishme që ta arrijmë këtë objektiv. Në rregull ishte një ndeshje derbi dhe ne jemi shumë të lumtur që e fituam, por tani kjo ndeshje përfundoi dhe tashmë duhet të nisim dhe të mendojmë për takimin e radhës që është ndaj Flamurtarit. Nuk ka vend për eufori, fokusi tashmë kalon te ndeshja e radhës, ajo është më e rëndësishmja. Tani mund të festojmë vetëm për disa orë, por nga nesër rikthehemi të mendojmë për objektivat. Do të ecim hap pas hapi duke nisur nga ndeshja e radhës.
A mendoni se tashmë jeni në kushtet më të mira të mundshme për të synuar “Final 4”?
Po, patjetër. Ne jemi një grup shumë i bashkuar, nuk ka rëndësi kush luan apo jo, qëllimi është i përbashkët për të gjithë, të kapim zonën e “Final 4”. Në ndeshjen e fundit të kampionatit ishte Toma ai që shënoi gol, por ndaj Tiranës luajti Skuka, dhe kjo nuk përbën asnjë problem sepse të gjithë lojtarët në fushë luajtën dhe ndihmuan njëritjetrin. Kjo është shumë e rëndësishme, fakti që ne kemi një grup të bashkuar. Nëse grupi është i bashkuar atëherë rezultatet do të vijnë, por nëse grupi është i përçarë atëherë bëhet e vështirë për të marrë rezultate. Fatmirësisht gjithçka po shkon mirë.
Në pjesën e dytë, Tirana ju vendosi disi në vështirësi, ju shqetëson ajo që ndodhi në fushë?
Nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar, e rëndëishme është që fituam dhe morëm tre pikët që ishin shumë të rëndësishme. Ishte një ndeshje shumë e mirë, një derbi vërtet i bukur. Dua edhe të falenderoj tifozerinë e Tiranës, ashtu si patjetër edhe atë të Partizanit. I uroj fat edhe Tiranës në ndeshjet e tjera.
A kishit një premio nga presidenti Demi për këtë fitore në derbi ndaj Tiranës?
Nuk e di, ndoshta do të na dhurojë diçka. Por, dua të theksoj se Gazi është një president me të vërtetë shumë i mirë, e ndihmon shumë skuadrën. Nëse merr rezultate, atëherë edhe premiot mund të vijnë.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













