EKSKLUZIVE/ Gramshi mposhti Vllazninë e vajzave, drejtoresha Aliu: Luftojmë për titullin
Ekipi i Gramshit që militon në Superioren e futbollit të vajzave, e ka nisur mirë vitin 2025.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Rraman Hallaçi, ka disa ditë që ka marrë me meritë kryesimin e kampionatit dhe duhet theksuar se kanë një ndeshje më shumë se Vllaznia. Vajzat e Gramshit mundën pikërisht Vllazninë në Shkodër pak ditë më parë, duke i kthyer reston ekipit kuqeblu për humbjen e fazës së parë.
Një fitore që ka shije të veçantë, pasi vjen ndaj një ekipi, i cili për 11 sezone dominon futbollin e femrave në Shqipëri, duke mos njohur asnjë humbje. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, drejtoresha e skuadrës së Gramshit, Edonisa Aliu, shfaqet shumë e lumtur me ecurinë e ekipit. Aliu deklaron se synimi i saj ka qenë gjithnjë që të shkruajë historinë në futbollin shqiptar.
Gramshi në krye të klasifikimit, e prisnit?
Ne jemi pa dyshim një ekip shumë i mirë dhe po bëjmë një punë të shkëlqyer. E kam deklaruar që në fillim se do ta pretendojmë titullin deri në momentin e fundit.
Mundët Vllazninë që kishte vite pa u mposhtur, çfarë do të thotë për ju ky rezultat?
Në momentin që erdha në Shqipëri, synimi im ishte të shkruaja histori dhe ta çoja kampionatin në një nivel tjetër dhe jam shumë krenare që arrita ta kthej ëndrrën time në realitet. Falënderoj vajzat që dhanë gjithçka në këtë ndeshje. Do të mbetet kujtimi më i mirë në karrierën time.
Cili është çelësi i suksesit të Gramshit, sa të kënaqura jeni me mbështetjen?
Çelësi i suksesit të KFF Gramshi është fryma e grupit dhe serioziteti, mbi të cilin është ndërtuar i gjithë projekti dhe strategjia e klubit. Përveç kësaj, që nga presidenti, drejtuesit e tjerë të klubit, vajzat, stafi teknik, mjekët dhe deri te punonjësit jemi si një familje, dhe kjo është një tjetër arsye e suksesit tonë këtë sezon, i cili ende ka rruge deri në përfundim.
Sa në gjendje do të jetë Gramshi ta ruajë vendin e parë deri në fund?
Jemi një skuadër që po tregojmë vlera çdo ditë dhe do të përpiqemi të arrijmë objektivin tonë, do të luftojmë deri në fund.
Po mendon skuadra për Kupat e Europës, do bëni investime të tjera?
Ne jemi të fokusuara te kampionati deri në fund, por kam menduar edhe për 3-4 afrime të rëndësishme.
Si e ka pritur qyteti i Gramshit performancën e ekipit të vajzave?
Të gjithë janë të lumtur dhe shumë përkrahës, i falënderoj që na janë pranë çdo moment.
M. MIRAKA-PANORAMASPORT.AL













