EKSKLUZIVE/ “Formacioni na kushtoi Botërorin”, legjenda Kushta analizon humbjen në Poloni: Ndeshje jetë a vdekje, Zoti ishte me ne! Bajrami nuk duhej të ishte aty (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2026 | 23:45

EKSKLUZIVE/ “Formacioni na kushtoi Botërorin”, legjenda Kushta analizon humbjen në Poloni: Ndeshje jetë a vdekje, Zoti ishte me ne! Bajrami nuk duhej të ishte aty (E PLOTË)

Shqipëria i dha fund ëndrrës për kualifikim në Botëror dhe humbja në Varshavë, ka lënë një shije të hidhur te Sokol Kushta. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Kushta u shpreh se u gabua në formacion dhe shtoi se ishte ndeshje jetë a vdekje, e jo ndeshje ku mund të eksperimentohej ashtu siç ndodhi në Varshavë.

SOKOL kUSHTA

Një humbje në Poloni që na eliminon nga ëndrra për Botëror. Si e ka parë Kushta ndeshjen e Shqipërisë me Poloninë?
Tani, këto janë ndeshje specifike ku mundi dhe sakrifica e një kohe të gjatë vlerësohen për një ditë. Dua të them se, në qoftë se një pjesë e tifozëve ose grupeve të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kombëtaren, domethënë jo stafi i ngushtë, ishin të gjithë optimistë dhe deri këtu jemi në rregull, pasi të gjithë ne dëshironim një gjë që për shumë kohë dukej e pamundur. Vjen puna tek një person që është trajneri dhe duhet të ndërlidhë të gjithë pjesën përbërëse të ekipit për një ndeshje dhe unë them se gaboi. Është e vërtetë që disa persona nuk e pëlqyen këtë. Disa thonë se na çoi Silvinjo aty, na çoi këtu. E para e punës, Silvinjo për atë punë erdhi. Për atë punë u pagua, për atë punë u respektua.

Kjo s’do me thënë se na çoi dhe s’duhet. Pse kur pati suksese dhe u mirëpagua ne e lavdëruam, dhe tani që s’na çoi, ne s’kemi të drejtë ta kritikojmë? Këto janë mendime që mund t’i kenë disa persona. Në fund të fundit, ai post, kushdo që të jetë aty do të kritikohet dhe lavdërohet sepse në fund për atë paguhen dhe mirëpaguhen. Ne këtu duhet të shikojmë me objektivitet dhe të analizojmë se ku gaboi ky person. Unë, si sportist, si trajner, kam mendimin tim dhe nuk do të thjeshtoj dy gjëra. Një orë e gjysmë para ndeshjes kam qenë i ftuar dhe dhashë një intervistë që mund të shihet në “YouTube”, ku shpreha qartë se personi që është para, Bajrami, nuk ishte për të luajtur aty. Ai nuk është lojtar i keq por për momentin nuk duhet të luante. Për momentin nuk duhet të lëvizë, pasi kur diskutojmë, nuk duhet të luajë Sokoli, Agroni dhe na thonë “ti çfarë ke, ai ka 80 ndeshje”. Po jo more zotëri. Janë 45 minuta lojë aktive, mund të shpërblesh dhe të kënaqësh një popull të tërë.

Lojtarët që nuk kanë luajtur për kohë të gjatë nuk mund të jenë kaq aktivë sa, për shembull, për ta marrë edhe më konkrete, siç mund të ishte Mehmeti ose siç mund të ishte Uzuni përpara Muçit. Ramadani ka lënë nusen shtatzënë, gati për të lindur, ka ardhur, por nuk është kjo arsyeja pse duhet të luajë por, Ramadani e meriton sepse është ndër më të mirët dhe notën më të mirë në Serinë A. Nëse e merr me statistika dhe dyshja me Shehun do të ishte motor i jashtëzakonshëm sepse këtu ishte edhe Laçi. Për mua ky duhej në mesfushë qoftë me Muçin, me Uzunin apo Mehmetin. Loja është shumë e gjatë dhe ndërrimet janë pjesë e lojës. Ekipi do të ishte më i plotësuar.

Kam shprehur disa. Thomas Strakosha është portieri shumë i mirë. Por, në ajër ai ka defekt dhe nëse Strakosha do të ishte mirë në ajër, do të fitonte ekipi. Këto i kam thënë para ndeshjes sepse pas ndeshjes kritikojnë të gjithë dhe të gjithë bëhen pedagogë. Problemi nuk është i jonë dhe po të shikosh intervistat e mia dhe të shumë ish-lojtarëve të kombëtares, jemi, po thuajse dashje-padashje, në uniformë që duhet të luajë ky, ky, ky… pothuajse jemi të gjithë në një mendje. Dreqi ta hajë, ti merr lexo siç është në të gjithë Europën dhe në të gjithë botën, njerëzit emblemë dhe ato që janë sot trajnerë, nuk flasin kot. Më vjen çudi dhe inat për gjëra të vogla që konkretisht loja nxori. Ne do ishim të kualifikuar.

Në këndvështrimin tuaj, a mendon se luajtëm ne një ndeshje të mirë, apo ishte Polonia shumë e dobët?
Kjo është një pyetje që anashkalon pyetjen e parë. Meqë ne duhet të flasim pas ndeshjes, unë pashë një Poloni jashtëzakonisht të keqe dhe tmerrësisht të trembur. Shumica e rasteve që bëmë ne si kombëtare i bëmë për shkak të gabimeve të tmerrshme të tyre, jo si rezultat i lojës sonë. Është një shprehje “Sa e do Zoti këtë person”. Dhe unë them se Zoti na ka dashur atë natë në nota maksimale. Të fillosh një ndeshje me pesëdhjetë e ca mijë spektatorë në vendin pritës me rezultat 0-1, është një mundësi e artë. Është një fakt sikur ka zbritur Zoti poshtë. Çfarë ndodh në këto situata? Ekipi kundërshtar asnjëherë nuk bie dakord me këtë rezultat. Dhe çfarë do të bëjë? Do të dalë me shumë forcë përpara. Është strategji, është mendim, është ritëm që nuk do ta pranojë ai ekipi që po mundet.

Dhe në këtë rast çfarë do të bëjë? Do ta kundërsulmojë dhe është sërish diçka që ta solli Zoti. Qoftë për gabimin e parë të tyre, sepse ne dolëm disa herë. Çfarë duhet të bëjë sporti ose Zoti që të jetë ty atë natë më shumë, që të fitosh ndeshje? Do them, ne kishim të gjitha mundësitë. Nëse unë kisha një mendim para ndeshjes, shumë, 45%, thashë inshallah të dalim barazim, dhe pastaj ato tridhjetë minuta t’ia lëmë në dorë Zotit. Me Zotin na filloi mirë pasi në 15 minutat e para ishim 0-1. Ta fillosh ndeshjen zeronjë është një fat i madh për trajnerin dhe për psikologjinë e ekipit. Supozojmë se u barazua, prapë ishe ti superior me barazim. Apo jo? Të jetë një njeri normal, një specialist futbolli, pyet. Ky zotëri e sheh mirë se Bajrami çedon, por edhe Hoxha që është shumë i mirë por duhet ta marrësh para ndeshjes dhe t’i thuash: “Jep gjithë mundësitë e tua për një orar të caktuar, pasi ka kohë që nuk luan”.

Ndeshja e kombëtares nuk është ndeshje kampionati; kemi ndeshje të tjera, presim ndeshjen e katërt e pestë dhe rikuperojmë pikët. Jo, është jetë a vdekje. Kështu që, çfarë del për të qenë? Që ti nuk mund të aktivizosh lojtarë që nuk luajnë dhe që nuk kanë minuta, por ata në formë. Zëvendësimet janë për freski dhe jo kur të duash ti, i bën në minutën e 82. Për çfarë? Çfarë pret në atë minutë? Tjetra, është një gjë. Ekipi duhet të ketë freski në mesfushë. Ti falë Zotit ke lojtarin më të mirë si Ramadani dhe nuk e aktivizon për atë frymëmarrje. Asllani u lodh, Shehu u lodh, Laçi u lodh. Nëse do të shikojmë, organizimi dhe mobilizimi është në mesfushë. Fat i keq. Nga Hysaj nuk pres të jetë motorik por kishte mundësi të ndihmonte më shumë sepse ka eksperiencë. Gradualisht do të dorëzojë fanellën dhe duhet më motorik. Për Mitajn, ishte ndeshja më e keqe e tij fatkeqësisht.

Janë një sërë gjërash që duhej të fusje Brojën kur u barazua. U lanë hapësira dhe Broja është lojtar hapësire. Do të ndërroje Bajramin dhe Hoxhën, do të fusje Brojën, kishte Muçin 40 minuta dhe jo vetëm 5 minuta apo anasjelltas. Është fat i madh kur ke një ekip që mund të bësh alternativa. Tani, jo se ka faj që futi atë djalin e ri, është i mirë, se Polonia futi atë 17-vjeçarin. Unë them se trajneri më ordiner në mendje që të jetë, si mund të futet një lojtar i ri si Pilo, që mora vesh se është mbrojtës i majtë dhe sot e kësaj dite, unë nuk e kuptoj se ku luajti ai djalë. Nuk e di pozicionin që luajti. Janë ai dhe Mitaj, dy lojtarë krahu. Më thoni, ku luajti ai djalë, pse duhet një mbrojtës i majtë, kur ne kemi mbrojtës të majtë? Ne nuk kemi etje për të mbajtur rezultatin por kishim etje për të shënuar gol. Kemi Brojën, Mehmetin, Muçin, Uzunin. Lojtarë spektakolarë dhe sido që Broja të jetë, ai 25 minuta duhet të jetë absolut. Nuk fut dot Muçin 10 minuta pasi loja është 2 minuta aktive.

Nëse bëjmë analizë, duhet të heqim dorë nga “ky na çoi aty”. Kjo është mendjemadhësi. Ne duhet të analizojmë pse nuk shkuam në Botëror. Nuk duhet të lavdërojmë për kompensim të sharjes apo të shajmë për kompensim të lavdërimit. Unë kam dëgjuar në ditët e fundit shumë analiza, shumë komente dhe duhet analizuar pse ka luajtur Pilo. Në ndeshjen më decizive të jetës, pa asnjë ndeshje me ekipin Kombëtar, ti i jep një mundësi një lojtari që është mundësi e artë, i jep shansin dikujt që nuk ka asnjë minutë në Kombëtare. Ekipi Kombëtar është ndërlidhje dhe kimi mes lojtarëve. Janë shumë lojtarë në botë që janë më të mirët dhe nuk luajnë në kombëtare sepse ju mungon kimia. Nuk është ekip rrethi apo lokal, por është përfaqësim i shumë lojtarëve dhe lidhja si bëhet në ekip. Ai djalë kishte fatin e jetës në minutën e parë, të shënonte golin e parë, kualifikimin e parë. Me topin që humbi nuk i vë faj. Jeta fillon me fat dhe ai ishte pa fat. Nuk e gjykojmë, por kritikoj trajnerin që i dha mundësi duke e hedhur mes demave pa përgatitje psikologjike. Nuk e di si është ndjerë ai djalë nëse flasim me logjikë që e hedh për herë të parë në ndeshjen e jetës.

Tjetra, pse nuk luan Ramadani sepse as tani nuk e di pse. Mushkëria e ekipit janë Shehu dhe Ramadani. Të kisha dy lojtarë si ai, janë gjysma e ekipit. Milani kishte Gatuson ndërsa ne kemi si dy Gatuso. Laçi andej e Hoxha këtej, është katërshe ideale. Thuaji faleminderit për atë që bëri. Ke Uzunin, ke Brojën, ke Muçin, ke Mehmetin në majë. Mos thuaj nuk kam sulmues, ja ku e ke Shpendin. Siç more Pilon, merr Shpendin. Si luajti ky në ndeshje decizive, le të luante Shpendi. Pse duhet ta fusësh kështu. E them prapë, si ish-lojtar dhe trajner nuk e di pse ka luajtur dhe ku ka luajtur. Nuk ia di pozicionin.

Po Strakosha, a mund të bënte diçka më shumë?
Unë kam folur gjithmonë me relativa dhe superlativa për atë djalë. Por, para ndeshjes kam thënë që nëse Strakosha në lartësi është mirë sepse ata luajnë me topa të gjatë dhe kundër nesh ishin shumë dobët. Nuk kanë krosuar si herë të tjera për Leëandoëskin por ishin kros skarco. Edhe ky ishte kros jo për gol. Është portier i mirë dhe gjynah që me hapjen e krahut që shkon shumëfish lart, pëson ashtu. Portieri duhet të jetë shumë dimensional dhe jo vetëm mes e poshtë. Të dy golat ishin të evitueshëm nga një portier si Strakosha. Për mua ishte ditë e keqe për të. Kur flas për Strakoshën, flas për portier emblemë dhe jo portier 20 vjeç. Lojtari rritet me episode, punë dhe rezultate. Mund të bësh 10 ndeshje superiore dhe për 2 minuta të bësh të harrohen ato minuta. Mund të mos pësosh 15 ndeshje dhe në një moment, i hedh poshtë të gjitha ato ndeshje. Ai është shumë i përgjegjshëm dhe duhet të jetë më lider, të marrë më shumë përsipër. Të jetë më me shpirt në ekip sepse është titullar dhe nuk është lojtar i ri.

Si e sheh shansin e Kosovës me Turqinë?
E thashë edhe më parë, fola me Agimin dhe më ftoi të shoh ndeshjen me Turqinë pasi jemi miq. I thashë për mua, ndeshja 90% është barazim. Mundësia e Kosovës është reale të kualifikohet. Unë nuk bëj parashikime kur flas dhe jam kundër pasi janë dëshira dhe mundësia. Në këtë rast, nuk e di pse mendoj se dëshira dhe mundësia puqen në një pikë. Jam mahnitur me lojën e Kosovës, teknike dhe taktike. Golat e Kosovës janë rrjedhojë e aksioneve, jo si rrjedhojë e gabimeve të situatave individuale. Aksion i plotë, i bukur nga porta në gol. Ne kemi shumë pak ashtu. Golat tanë janë rrëmujë ose aksione shumë të rralla, pasi ne luajmë pak.

Këtë herë dëshira dhe mundësia janë. Dardania ka një fat të madh për mua dhe 60% them kualifikohet. Ata janë popull që e duan sportin, janë njerëz dhe shtet që kanë hedhur bazat e futbollit dhe në themele të sigurta. Ata po shikojnë dhe menaxhojnë në mënyrë spektakolare lojtarët kudo që i kanë dhe qershia mbi tortë është trajneri. Është fat kur trajneri të del burrë tamam, burrë shtëpie. Kosova ka një lider. Muriqi është lider. Ne nuk kemi lider që kur të bërtasë lojtarëve, të mobilizohen. Lideri është trajneri në fushë, nuk është Silvinjo por lojtari lider, ai që ngre lojtarët në peshë. Kosova ka Muriqin. Muriqin e pashë në fund që hoqi një top me kokë. Kënaqësi kur ke një lojtar që jo vetëm bën gola e vrapon e lë shpirtin, por mobilizon ekipin. Trajneri dhe kapiteni e menaxheri i ekipit janë treshe fantastike kur funksionojnë.

Ne shikojmë që FSHF duhet të shohë edhe stafin. Stafi italian për mua e ka mbaruar. Janë kthyer edhe ata si shqiptarë dhe po veprojnë negativisht. Nuk mund të humbasë Shqipëria nga Luksemburgu. Nuk mund të humbim me ekipe të dorës së dytë. Metodat që ata kanë lënë për të dëshiruar vitet e fundit. Shqiptarët në Europë mbushin ekipet nga 14 vjeçarët deri te ekipet e para plot. Tani kemi lojtarë me mentalitet dhe më vjen keq që janë pak lojtarë shqiptarë që thirren. Kjo është puna e stafit teknik. Ka lojtarë të mirë, siç ka qenë Bregu e Rrapaj që i ka marrë një ndeshje apo dy dhe nuk i ka marrë më. Kampionati shqiptar nuk është kot. Prandaj them që Kosova ka hedhur baza të forta. I uroj shumë suksese dhe kam shumë besim që Kosova do të kualifikohet.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL