EKSKLUZIVE/ Flamurtari nën presion, premioja e 150 mijë eurove dështoi me sukses

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2025 | 18:57

EKSKLUZIVE/ Flamurtari nën presion, premioja e 150 mijë eurove dështoi me sukses

Në një kohë kur presioni është i madh, “Panorama Sport” ka zbuluar edhe një prapaskenë që ka trazuar më tej ambientin e skuadrës.IDRIZIPresidenti Sinan Idrizi, i njohur për shpërblimet motivuese në momentet e nevojshme, kishte përgatitur një superpremio për skuadrën, për të rikthyer atmosferën pozitive dhe për të motivuar lojtarët drejt zonës së sigurisë. Sipas burimeve, pas fitores me Egnatian, Idrizi kishte vendosur një objektiv ambicioz: 10 pikë në katër ndeshjet e ardhshme.

Sipas skenarit të presidentit, tre fitore dhe një barazim do të shpërbleheshin me një premio kolosale prej 150 mijë eurosh, një shumë që rrallë herë është vënë në dispozicion për një skuadër shqiptare brenda një periudhe kaq të shkurtër. Mirëpo skenari ideal u shemb që me humbjen e rëndë ndaj Dinamos. Jo vetëm që premioja u anulua, por edhe besimi i drejtuesve te një pjesë e grupit u dobësua ndjeshëm. Kjo humbje, sipas burimeve brenda klubit, ka qenë vendimtare në vendimin për të nisur spastrimin e thellë që pritet të ndodhë në janar.

TENSIONI I MADH – Ndërkohë që Flamurtari vijon të luftojë për mbijetesë, atmosfera brenda klubit është e mbushur me tension dhe pasiguri. Lojtarët e dinë se janari do të jetë një moment kthesë, me shumë prej tyre që rrezikojnë të mos jenë më pjesë e projektit. Pakënaqësitë individuale, presioni i tifozëve dhe mungesa e rezultateve e kanë bërë situatën edhe më të ndërlikuar. Megjithatë, drejtuesit janë të vendosur: skuadra do të ndryshojë, pavarësisht kostos financiare apo emocionale që mund të ketë ky proces. Objektivi është i qartë: Flamurtari duhet të rimarrë identitetin e tij dhe të dalë nga zona e ftohtë, në të kundërt, rreziku i rënies do të jetë real dhe shumë pranë.

PANORAMASPORT.AL