EKSKLUZIVE/ Flamurtari kërkon trajner, ofertë edhe për Tomas Brdariç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2025 | 8:32

EKSKLUZIVE/ Flamurtari kërkon trajner, ofertë edhe për Tomas Brdariç

Flamurtari nuk po di të vendosë për trajnerin, që do të drejtojë skuadrën në Kategorinë Superiore. Ishte menduar se në përfundim të javës që shkoi, në Vlorë do të ishte përzgjedhur trajneri i ri, por me sa duket duhet pritur edhe disa ditë.brdaricNë këtë përfundim dilet nga vetë emrat e lakuar në kampin vlonjat, ku së fundmi një tjetër emër trajneri ka dalë në skenë. Nga burime pranë drejtuesve të klubit vlonjat, “Panorama Sport” ka mësuar se për të marrë drejtimin e Flamurtarit është kontaktuar edhe ish-trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, i cili u largua nga Shkodra në përfundim të sezonit të fundit. 50-vjeçari gjerman është trajner i lirë, por bisedat me vlonjatët për momentin kanë ngecur në aspektin financiar.

Mësohet se kërkesat e ish-trajnerit të Vllaznisë janë të larta për momentin, por ende nuk është shkuar te fjala e fundit. Në një kohë kur mendohej se “laku” për trajner po ngushtohej në Vlorë, krejt papritur në skenë del një kandidat i ri për të drejtuar Flamurtarin në Superiore. U bënë kohë që klubi vlonjat po “noton në vorbullën” e emrave, ku disa prej tyre kanë CV të pasur edhe në arenë ndërkombëtare, por mungon kryesorja: finalizimi i bisedimeve. Edhe pse administratori Sinan Idrizi ua “tërhoqi veshën” dyshes PollozhaniFerko, të ngarkuar për gjetjen e trajnerit të ri, në Vlorë ka nisur një tjetër javë e re që e gjen Flamurtarin sërish pa “timonier”.

MERKATO, “PENG” I TRAJNERIT Të shumtë kanë qenë emrat e kandidatëve të përfolur për trajner të Flamurtarit, me të cilët ka pasur bisedime të drejtpërdrejta apo me ndërmjetës, por java e fundit e qershorit nis sërish pa trajner për ekipin vlonjat. Vonesat në emërimin e stafit të ri teknik ndikojnë edhe në procesin e merkatos së futbollistëve, pasi ata që duhet të vijnë duhet të kenë edhe miratimin e trajnerit. Dihet që trajneri, pasi merr detyrën, analizon grupin që ka në dispozicion, si dhe përpilon kërkesat e tij për afrime apo largime, në funksion të strategjisë dhe filozofisë së tij të punës. Kur kanë mbetur dy muaj nga fillimi i sezonit të ri, që starton më 23 gusht, drejtuesit e Flamurtarit duhet që brenda kësaj jave të kenë mbyllur çështjen e trajnerit dhe të nisë procesi i afrimeve, në mënyrë që ekipi të zhvillojë një fazë të plotë dhe të mirëfilltë përgatitore. Duke ditur që presidenti Idrizi ka premtuar një buxhet të majmë, 5 milionë euro, i bie që Flamurtari do të ndërtohet si pretendent për të dy trofetë, kampionat dhe Kupë. Mbase edhe vonesa në përzgjedhjen e trajnerit lidhet me përgjegjësitë e mëdha që duhet të marrë “timonieri” i ri.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL