EKSKLUZIVE/ “Erë” ndryshimesh! Shehi dhe Osmani, dy opsione për Tiranën (E PLOTË)
Te Tirana fryjnë erërat e ndryshimit. Jo vetëm te lojtarët, por edhe në stolin bardheblu. Burime pranë 26 herë kampionëve të Shqipërisë bëjnë me dije se në klub mund të kthehen dy emra shumë të njohur.

Shehi, Osmani dhe Halili, gjatë një takimi
Bëhet fjalë për Orges Shehin dhe drejtorin Tefik Osmani. Orges Shehi, i cili është trajneri më jetëgjatë i bardhebluve, duket se do ta mbyllë aventurën e tij në Kosovë. Marrëdhënia mes tij dhe Ballkanit po shkon drejt fundit, edhe pse ai ka një vit kontratë.
Palët mund të bien dakord dhe të ndajnë rrugët, ndërsa durrsaku të dalë trajner i lirë. Kjo do t’i jepte mundësinë që të vishej bardheblu, duke pasur parasysh se paçka problemeve të mëparshme, te Tirana e respektojnë. Me ardhjen e Shehit mund të kemi edhe një tjetër rikthim: Tefik Osmanin. Ky i fundit “la” Vllazninë për të qenë në Vlorë, por rruga e tij drejt bregdetit, mund të ndalet nga Tirana. Për më tepër që Tefiku është edhe komshi me familjen Halili dhe gjërat mund të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë. Si Shehi, edhe Osmani dihet se janë miq.
Problemi mbetet Bledi Shkëmbi, i cili është mik me Osmanin dhe trajneri në fuqi i bardhebluve. Kjo është pika delikate e situatës dhe nëse Halili do ta largojë korçarin, ky është vendimi kryesor që duhet të marrë “bosi” i 26 herë kampionëve të Shqipërisë.
Më pas mund të flitet për emra të rinj. Nëse në skuadër kthehen Shehi e Osmani, atëherë mund të ketë një projeksion ndryshe për sezonin e ri, me dyshen që do të ndërtojnë një skuadër kampione për të rikthyer titullin bardheblu. Situata është e paqartë edhe për Agim Ibrahimin, drejtorin aktual të skuadrës.
E KALUARA – Trajneri durrsak i bardhebluve pas më shumë se 2 vitesh në stolin e Tiranës, në 5 tetor 2023, pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit, mësoi shkarkimin e tij nga drejtori i klubit, Tefik Osmani. Shehi mori drejtimin e klubit bardheblu më 27 janar të vitit 2021, duke zëvendësuar Nevil Deden.
Që nga ajo kohë, në 120 ndeshje në krye të bardhebluve, Shehi numëron 66 fitore 24 barazime dhe 30 humbje. Nga ana tjetër, Orges Shehi është trajneri më rezultativ në Superiore duke filluar nga sezoni 2009-2010.
Ish-numri një i stolit bardheblu ka triumfuar ndaj emrave më të mëdhenj të trajningut shqiptar, të shekullit XXI. Me 1.85 pikë për ndeshje, Shehi është në krye të renditjes për mesataren e pikëve për takim.
Pas tij janë shumë emra të njohur si Sulejman Starova, Mirel Josa, Shkëlqim Muça dhe në fund Tomas Brdariç. Nëse Orges Shehi ka mesataren më të mirë të pikëve për takim, Mirel Josa është rekordmeni i pikëve totale me 514.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













