EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka qenë edhe i pafat në disa momente”, Doçi për transfertën me Vikingurin: Vllaznia, jo me mendje të fjetur
Edmond Doçi, ish-kampion me Vllazninë në sezonin 2000-01 ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Shkodrani ka analizuar fitoren e fundit të kuqebluve ndaj Vikingur, duke theksuar se skuadra në përgjithësi ka pasur një performancë pozitive në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Ndër të tjera, ish-mesfushori thekson se ai ka besim për një kualifikim historik në turin e tretë, teksa këshillon që ekipi të mos jetë euforik. Po ashtu, Doçi tregon edhe për “dorën” e vënë nga Martini në skuadër, që ka filluar të ndihet.
Doçi, një Vllazni që po bind duke u bazuar në dy ndeshjet e fundit në Europë apo jo?
Kalimi i turit të parë, për mendimin tim, ka risjellë entuziazmin dhe pozitivitetin te Vllaznia. Them se skuadra e meritoi kalimin në turin e dytë të Conference League, pavarësisht humbjes së ndeshjes së parë në Elbasan. Kjo harmoni dhe qetësi u reflektua edhe në përballjen ndaj Vikingur në Shkodër, ku kuqeblutë vijuan me performancat e mira, duke bindur në lojë, por edhe në rezultat ndaj një kundërshtari shumë të fortë.
Tregojnë këto përmbysje për karakterin real të këtij ekipi?
Në duelin ndaj Daugavpils personalisht e prisja përmbysjen dhe nuk është se u surprizova shumë sepse ishin një kundërshtar modest, përtej respektit për ta. Por kthimi i rezultatit ndaj Vikingur tregoi me të vërtetë karakterin e Vllaznisë, e një skuadre që beson deri në fund dhe që ka aftësi për të bërë mirë e po ashtu për të kënaqur të gjithë të pranishmit që ishin në stadium atë natë.
Çfarë ka ndryshuar, sipas jush, nga ndeshja e parë me Daugavpils, ku ekipi mori shumë kritika për humbjen?
Nga mënyra e lojës nuk mund të them se ka ndryshuar shumëçka. Ndoshta vetëm qasja e skuadrës në fushën e lojës dhe dëshira për të bërë sa më mirë të jetë e mundur. Mund të them se ndoshta ekipi ka qenë disi edhe i pafat në disa momente, pasi ka krijuar shumë raste në të trija ndeshjet, ku ka qëndruar në presing lart dhe kjo ka bërë që edhe të ndëshkohet.
Mendoni se Edi Martini tashmë i ka përçuar idetë e tij te skuadra?
Ajo është e dukshme sepse skuadra ka një tjetër mënyrë të luajturi nga ekipi që ishte sezonin e shkuar. Them se futbollistët i janë përgjigjur më së miri ideve të Martinit, edhe për vetë kohën e shkurtër që i është dashur të përgatisë ekipin. Tani besoj se si Martini dhe lojtarët e kanë më të lehtë bashkëpunimin e tyre për aplikimin e skemave që ka në mendje trajneri.
E shikoni si problematike mbrojtjen, pasi skuadra ka pësuar gol në çdo ndeshje që ka luajtur deri tani…
Kjo është disi e vërtetë dhe është një faktor që duhet studiuar me kujdes. Vllaznia është ndëshkuar me disa gola që mund të ishin totalisht të evitueshëm. Ndoshta edhe nga pakujdesia apo mospërqendrimi i skuadrës në mënyrën e duhur. Por unë shikoj anën pozitive, ku në të trija ndeshjet deri më tani Vllaznia ka lënë shumë pak hapësira pas dhe kundërshtarët e kanë pasur të vështirë për të krijuar raste në portën kuqeblu.
Ishte një hap drejt kualifikimit kjo fitore e parë me Vikingur në Shkodër?
Skuadra ka marrë një rezultat pozitiv dhe kjo patjetër na bën të besojmë të gjithëve në Shkodër për një kualifikim. Por në asnjë moment duke e fjetur mendjen, pasi duhet një vlerësim maksimal për ndeshjen e kthimit ditën e enjte. Siç e theksova më përpara, përballë është një kundërshtar shumë i fortë dhe ende asgjë s’ka përfunduar për kualifikimin.
Sa e besoni personalisht dhe sa të vështirë do e ketë Vllaznia kalimin në turin e tretë?
Unë besoj shumë nëse Vllaznia do të ketë dy elemente: dëshirën dhe grintën që tregoi në ndeshjen e parë. Vetëm në këtë mënyrë do ishte i mundur kualifikimi më tej në turin e tretë.
Një këshillë që ndoshta do jepnit si një trajner?
Thjesht i uroj fat Edit (Martinit) dhe të gjithëve te Vllaznia në këto momente. Ai e di më mirë se kushdo tjetër se për çfarë ka nevojë skuadra në këto momente, pasi është ai i pari që stërvit dhe që ndan sukseset apo “hallet” me futbollistët që drejton.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













