EKSKLUZIVE/ “E kam peng refuzimin për të luajtur në Greqi”, Selimi: Rroga? Me atë që marr pi kafen pas ndeshjes, por… (E PLOTË)
Ilir Selimi është katalizatori i futbollit në Tepelenë dhe në rrëfimin e tij për “Panorama Sport”, trajneri 50-vjeçar pohoi se gjithçka e bën për pasion dhe pastërti për qytetin e tij.

FOTO: KOÇO LILO
Ai tregohet i sinqertë se me atë që paguhet si trajner harxhohet vetëm me kafet me lojtarët dhe kolegët pas ndeshjeve, por gjithsesi ndihet i vlerësuar.
Ai pohon se veç futbollit nuk i ka shkuar ndër mend të bëjë gjë tjetër, pasi merret që nga mosha 16-vjeçare. Peng i ka mbetur që i humbi mundësia për të luajtur në superligën greke, pasi zgjodhi qëndrimin pranë familjes.
Prej sa vitesh jeni i lidhur me futbollin?
Me futbollin jam i lidhur që nga mosha 16-vjeçare kur kam luajtur, deri tani që jam 50 vjeç si trajner. Më shumë se gjysma e jetës sime është e lidhur me futbollin.
Po si trajner, sa vite keni që e ushtroni këtë detyrë?
Si trajner mund të kem afro dy dekada, ku përveç Tepelenës me të cilën jam i lidhur pafundësisht, kam drejtuar edhe ekipin e Luftëtarit, ku kam qenë edhe futbollist. Kam qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar Shpresa dhe të rriturve, ku tek i fundit kam qenë rezervë.
Nëse nuk do të përfshiheshit me futbollin, keni menduar ndonjëherë se me çfarë do të merreshit në jetë?
Futbolli ka qenë gjithnjë pjesë e jetës sime, ndaj nuk kam pasur kohë që të mendoj ndryshe. Është e pamundur të mendoj ndryshe, ndonëse në ndonjë moment na vjen në majë të hundës, por e harrojmë shpejt.
Meqë dolët këtu, a jeni ndier ndonjëherë i mërzitur dhe keni menduar t’i thoni “stop” angazhimit me futbollin?
Kam pasur situata të vështira. Duke ditur se Tepelena është qytet i vogël dhe donacione të tjera veç bashkisë nuk ka, vetëm ndonjë përpjekje që kam bërë me miqtë e mi, ka pasur raste që kemi menduar ashtu.
Në qoftë se do ta lë në këtë moment kam mik kryetarin e bashkisë, jam rritur me atë. Jam edhe anëtar i këshillit bashkiak, por deri tani nuk kam bërë hap prapa që të dorëzohem nga puna që bëj duke u ndihmuar nga të gjitha instancat e bashkisë.
Hyni te trajnerët më jetëgjatë me një ekip dhe zakonisht në raste të tilla përdoren si epitete: “Fergusoni” i Tepelenës. Si ndiheni kur dëgjoni fjalë të tilla?
Jo, jo. Jemi shumë larg atij dhe është e rëndomtë të flasim për atë. Për qytetin tim kam dhënë shumë, madje kam lënë gjysmën e jetës për futbollin e Tepelenës.
Çfarë ju ka gëzuar më shumë nga jeta futbollistike?
Futbolli gjithnjë më ka dhënë gëzim në jetën time, por është shumë më e vështirë për të drejtuar si trajner sesa si lojtar, pasi të gjitha rezultatet e dobëta zakonisht u faturohen drejtuesve.
Deri tani ia kemi dalë duke e mbajtur gjallë futbollin në Tepelenë. Aktualisht ekipi mban një vend komod në renditje. Nuk është gjë e vogël të drejtosh skuadra futbolli në qytete të vogla, aq më tepër që në vitet e fundit kampionati i Kategorisë së Dytë ka qenë shumë i fortë.
Ndonjë gabim apo peng keni nga karriera futbollistike?
Peng kam se në kohën time si lojtar kisha mundësi të luaja jashtë vendit. Asokohe pata një ofertë për të luajtur në Greqi me një ekip që sapo ishte ngjitur në superligën greke, por nuk shkova për arsye familjare.
Nuk doja t’i lija prindërit vetëm, ndaj u ktheva dhe vendosa të luaj te Luftëtari, ku kryetar bashkie i Gjirokastrës ishte i ndjeri Bashkim Fino, që ka qenë ndër miqtë e mi, si dhe trajner ishte Hito Hitaj, një personalitet i futbollit gjirokastrit.
Çfarë ju bën përshtypje te brezi i ri, duke e krahasuar me të shkuarën apo kohën kur keni qenë vetë futbollist?
Më dole në temë me këtë pyetje. Kam pasur një episod sot (dje) në stërvitje me dy çuna të rinj dhe të edukuar, por patën një problem gjatë seancës dhe i kam pezulluar të dy dhe nuk do të luajnë në fundjavë ndaj Sopotit. Është kohë e vështirë, sidomos në klubet tona të vogla.
Duke pasur krim dhe emigrim nuk mund ta bësh dot punën si duhet pasi ke mungesë përfaqësimi. Me këto që kemi mundohemi t’i përpunojmë dhe përballojmë kampionatin. Ndaj do të tolerosh te pjesa e disiplinës. Nganjëherë do të bësh një sy qorr apo vesh shurdhur.
Mund ta dimë se cilët janë dy lojtarët që keni ndëshkuar?
Të më falësh, pasi nuk dua të përmend emra, aq më shumë në këtë rrëfim që ka lidhje me historikun tim. Ata janë djem të edukuar, por më ndodhi sot me ata. I kam pezulluar deri të dielën, por mbase mund të marrim masë që pezullimi të zgjasë edhe deri në fund të sezonit.
E përmendët vetë që është e vështirë të drejtosh skuadra në qytete të vogla. Po sa paguhet në Kategorinë e Dytë dhe a jetohet me rrogën që merrni si trajner në këtë nivel?
Sigurisht bëhet fjalë për shifra minimale. Në kushtet që ndodhet Shqipëria apo qytetet e vogla, nuk është ndonjë pagë e kënaqshme, por jemi mundur që të bëjmë atë gjysmën e së keqes si ekip. Hyjmë tek ato klubet që deri diku i mbajmë mirë sportistët dhe personelin.
Personalisht jam nën kontratë me bashkinë. Por me atë rrogë që marr pas çdo ndeshjeje ulemi dhe pimë një kafe me kolegët.
E kam për zakon që pas çdo ndeshjeje apo çdo rezultati që marr të gjithë ulemi e pimë kafen bashkë. Ata lekë që marrim, ashtu ikin (qesh). Personalisht me këtë profesion më shumë më mban pasioni për futbollin dhe Tepelenën.
Po i vlerësuar moralisht a ndiheni që falë pasionit tuaj mbani gjallë futbollin në Tepelenë, pasi ky sport mbetet argëtimi i vetëm për qytetin?
Për qytete dhe bashki të vogla si Tepelena, futbolli mbetet argëtimi kryesor. Pa dyshim që ndihem i vlerësuar, në dy aspekte, si për kulturën familjare, por edhe pasionin për futbollin e qytetit.
Por kjo vjen sipas nivelit. Unë them se bëj punën e duhur dhe jam i sinqertë dhe çdo gjë që e bëj te skuadra e Tepelenës, e bëj me shpirt dhe pastërti.
ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL













