EKSKLUZIVE/ “Duhen 3 afrime në merkato”, Dosti: Partizani nuk ka lider, një këshillë për trajnerin
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari i Partizanit, kampion me të kuqtë në sezonin 1992-1993, Edmond Dosti, theksoi rëndësinë e ndërhyrjes në merkato nga ana e klubit kryeqytetas.
Ish-sulmuesi, u shpreh se Partizani duhet të përforcohet me të paktën tre futbollistë, nga një për repart duke qenë se aktualisht në ekip mungojnë futbollistët e aftë për të udhëhequr të kuqtë në fushë. Ndër të tjera, Dosti shtoi se te Partizani ka shumë gjera qe nuk shkojnë duke nisur nga menaxhimi me trajnerë dhe drejtorë që ndryshohen shpesh.
Tre humbje radhazi në kampionat, duke u larguar nga objektivi për katërshen e parë. Cfarë nuk po shkon siç duhet me Partizanin?
Te Partizani ka shumë gjëra që nuk shkojnë, jo vetëm në këto tre ndeshje. Partizani ka pasur probleme që në fillim të kampionatit duke ndryshuar trajnerë, menaxherë. Dhe trajneri tani po mundohet, ka marrë një barrë të rëndë përsipër. Po mundohet që të riparojë diçka, por Partizani ka shumë nevojë për lojtarë kualitativë, se skuadrës i mungon kualiteti, nuk ka lojtarë që dinë të zgjidhin ndeshjen dhe të marrin ekipin përdore.
Çfarë këshille do t’i jepje trajnerit Kërnaja meqë thatë se ka marrë përsipër një barrë të rëndë?
Përsa i përket trajnerit i jap një këshillë që të mos diskutojë shumë pas ndeshjeve me gazetarët sepse ata atë punë kanë që të kritikojnë. Ai të dëgjojë, dhe nëse është diçka për ta marrë dhe për ta rregulluar, ta rregullojë. Të mos diskutojë shumë për të mirën e tij sepse është trajner në fillimin e karrierës. Unë e njoh si djalë, është një djalë punëtor dhe po vazhdojë kështu do të bëhet dikushi, do të bëhet një trajner i mirë, por ai duhet të punojë me shumë personalitet që ta kthejë Partizanin atje ku e meriton dhe të mos diskutojë shumë me gazetarët, le t’i dëgjojë dhe t’i lejë në punët e tyre.
A e shihni Partizanin të rrezikuar nga skuadra që ka pas në tabelën e klasifikimit?
Nuk besoj se Partizani mund të rrezikojë për të rënë nga kategoria, do jetë e vështirë, por me dy-tre ndërhyrje tani në dimër besoj që Partizani do të jetë te gjashtë vendet e para që të mos rrezikojë për të rënë. Nuk e besoj që Partizani do të bie.
Si e vlerësoni afrimin e drejtorit të ri Agim Ibraimi, e nisi me një goditje si ajo e Kamer Qakës…
Me ardhjen e drejtorit të ri është shpejt për të folur, ashtu si edhe për lojtarin e ri Qaka. Të presim dhe të shikojmë si do të zhvillohen ngjarjet, çfarë blerjesh do të bëjë dhe vetëm më pas do të mund të bëjmë një vlerësim të duhur si për drejtorin, por edhe për lojtarët që do të sjellë.
Ku mendoni se ka më shumë nevojë të përforcohet Partizani në këtë merkato të janarit?
Partizani ka shumë nevojë për një mesfushor organizator loje, për një pykë, golashënues të mirëfilltë dhe një qendërmbrojtës kapiten që mund të drejtojë dhe të nisë aksionet e skuadrës që nga porta në drejtim të kundërshtarëve. Prandaj duhen tre blerje cilësore.
Në Kupën e Shqipërisë janë përpara dy ndeshjet çerekfinale me Elbasanin, a mendoni se Partizani mund t’i shkojë deri në fund këtij turneu?
Ekipi i Elbasanit ka një skuadër shumë të mirë dhe një trajner që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar edhe pse është i huaj. Besoj do të jetë e vështirë, por dëshiroj dhe besoj që Partizani, për të mbyllur një kampionat me një trofe, duhet të bëjë gjithçka për të fituar dhe për t’u kualifikuar për të shkuar deri në finalen e Kupës.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













