EKSKLUZIVE/ “Dua të luaj me Kombëtaren”, Çinari komenton supersfidën: Vllazni kujdes, “Demat” ndizen me të mëdhatë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2025 | 21:42

EKSKLUZIVE/ “Dua të luaj me Kombëtaren”, Çinari komenton supersfidën: Vllazni kujdes, “Demat” ndizen me të mëdhatë (E PLOTË)

Erald Çinari po kalon sezonin më të mirë në karrierë në Armeni me ekipin e Noahs, ku po kryeson bindshëm kampionatin. E po ashtu, në aspektin personal shkodrani ka gjetur 11 herë rrjetën dhe ka dhuruar 5 asiste.

cinari

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari flet pikërisht për këtë formë që po kalon dhe objektivat e skuadrës. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek kampionati shqiptar, e në veçanti te Vllaznia.

Çinari, e vijuat ku e latë sezonin, me gola dhe paraqitje pozitive…

Po, është e vërtetë që e kam rinisur fazën e dytë të kampionatit me gola dhe jam i gëzuar për këtë fakt. Jam duke kaluar një moment pozitiv të formës personale. Kjo shkon sinkron edhe me ekipin, që gjithashtu po dominon në çdo takim. Kjo patjetër ta bën më të lehtë edhe të shfaqesh protagonist me gola dhe asiste. Uroj të vijoj në këtë rrugë deri në fund të edicionit!

Skuadra e Noah këtë sezon duket pretendente në Armeni, apo jo?

Kjo skuadër ishte pjesë e grupeve të Conference League duke u përballur me skuadra si Çelsi apo Rapidi i Vjenës. Ky fakt tregon se ekipi është i mirë investuar, ka një projekt shumë serioz e patjetër pretendimet janë super ambicioze. Noah kërkon dopietën sezonale me kampionatin dhe Kupën në Armeni.

Keni pasur ndonjë ofertë interesante në adresën tuaj gjatë merkatos dimërore?

Realisht, kanë qenë disa ekipe që kanë shprehur interes konkret, madje edhe kanë sjellë oferta në klub, por drejtuesit i kanë refuzuar dhe së bashku me ta kam menduar ta mbyll njëherë sa më mirë këtë sezon. Më pas do të presim merkaton e verës për ndonjë lëvizje të mundshme.

Do ta prisnit një ftesë nga kombëtarja shqiptare?

Nuk besoj se ka ndonjë lojtar që nuk dëshiron të luajë me kombëtaren e vendit të tij. Përjashtim nuk bëj as unë, ku do të ishte ëndërr të vishja fanellën e skuadrës së parë kuqezi, duke qenë se në kombëtaret e moshave jam aktivizuar më parë. Momenti që po kaloj është pozitiv dhe unë duhet të përmirësohem edhe më tepër, e në fund janë të tjerët që vendosin për ftesën në kombëtare, apo jo.

Kalojmë pak te Superiorja, si ju janë dukur ekipet në këtë periudhë?

Në mendimin tim, skuadrat janë në pozicionet, ku priteshin për atë çfarë kanë dhuruar në fushën e lojës këtë sezon. Nuk kam parë ndonjë surprizë të madhe dhe besoj se thuajse gjithçka është brenda parashikimeve të fillim sezonit. Gara është e fortë në çdo front, por cilësia e kampionatit më duket se është ulur. Kjo, pasi thuajse gjithë lojtarët që bëjnë diferencën largohen shumë shpejt nga Superiorja.

Shikoni ndonjë pretendent mbi të tjerët?

Them se katërshja e parë tashmë është e formalizuar dhe ekipet duhet ta bëjnë dallimin në përballjet direkte. Jo vetëm në kampionat gjatë fazës së katërt që po vjen, por edhe në “Final 4”. Unë i shoh të barabarta Egnatian, Vllazninë, Partizanin dhe Dinamon. Detajet dhe shfrytëzimi në maksimum i situatave do të bëjnë diferencën në fund. Do ta shohim se kush do të jetë ekipi më i aftë për të përfituar deri në fund të edicionit.

A mund të jetë ky sezoni i Vllaznisë?

Vllaznia i ka mundësitë për t’ia arritur deri në fund me sukses. Ka lojtarë që janë të rëndësishëm në kampionatin shqiptar si Balaj, Mala, Krymi apo Gurishta, të cilët mund të bëjnë diferencën në çdo moment dhe t’i japin suksese ekipit. Uroj që ekipi të mbajë ritmin deri në fund dhe pse jo, të kthejë titullin, që mungon prej shumë e shumë vitesh në qytet. 24 vite janë shumë vite për një ekip si Vllaznia dhe një qytet futbolldashës si Shkodra.

Vllaznia-Partizani në mesjavë, si e parashikon?

Do të jetë ndeshje “delikate”, sepse Partizani pavarësisht se nuk po kalon një formë të mirë, kërkon të dalë nga momenti i vështirë. Dhe gjithmonë ekipi i Partizanit ka ditur të shfaqet në ndeshjet me të mëdhatë. Nga ana tjetër, Vllaznia në shtëpi kërkon të mos zhgënjejë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv. Shoh një duel të balancuar, ku ekipi që gabon më pak, do të marrë suksesin. Uroj të jetë një ndeshje e bukur për tu ndjekur dhe të ketë sa më shumë tifozë.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL