EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk ndalet, akord me një talent nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2025 | 8:38

EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk ndalet, akord me një talent nga Kosova

Dinamo vijon të lëvizë shpejt në merkato dhe është pranë finalizimit të marrëveshjes për të afruar në skuadër sulmuesin 19-vjeçar të Dukagjinit, Hekuran Berisha.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se klubi kryeqytetas ka arritur akordin me lojtarin dhe pritet që ditët në vijim të vijë edhe zyrtarizimi i transferimit. Një afrim që vjen në një moment strategjik për blutë, të cilët janë në ndërtim të skuadrës për sezonin e ri dhe kërkojnë të forcohen në fazën sulmuese, aty ku pritet që të ketë edhe largime, siç është rasti i Mandelës, që me shumë gjasa shkon për një aventurë jashtë vendit. Trajneri Ilir Daja është një njohës i mirë i futbollit kosovar dhe pritet që t’i rrëmbejë një tjetër talent “armikut” të tij në Kosovë, trajnerit Ismet Munishi. Më herët, Dinamo i rrëmbeu trajnerit Munishi mbrojtësin e majtë Faton Nezirin, i cili mori edhe bekimin dhe urimin e “Ismet Babës” për kalimin te “nëndetësja” shqiptare.

KARRIERA – Hekuran Berisha ka pasur një sezon mjaft të mirë në elitën e futbollit kosovar, ku me fanellën e Dukagjinit ka arritur të shënojë 11 gola dhe të dhurojë 4 asiste në kampionat. Paraqitjet e tij të vazhdueshme dhe kontributi në ofensivë kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve, por ka qenë Dinamo ajo që ka lëvizur me konkretësi dhe e ka bindur sulmuesin të bëjë hapin drejt futbollit shqiptar. Berisha është gjithashtu pjesë e ekipit Kombëtar Shpresa të Kosovës dhe shihet si një nga lojtarët më të perspektivës për të ardhmen e këtij brezi. Me një profil modern sulmuesi, ai kombinon qetësinë para portës me shpërthimin dhe aftësinë për të luajtur edhe për skuadrën. Te Dinamo ai do të ketë mundësinë të rritet më tej nën drejtimin e një stafi që beson tek të rinjtë dhe të luajë në një kampionat më të ekspozuar edhe mediatikisht.

ZËVENDËSUES I MANDELËS -Me afrimin e Hekuran Berishës, Dinamo praktikisht ka gjetur pasuesin e Peter Itodo Mandelës, sulmuesit afrikan që pritet të largohet nga ekipi, për shkak të ofertave në drejtim të tij. Ai ka qenë një nga zbulimet e këtij sezoni në elitë, ndërkohë që u afrua nga ekipi i Luzit 2008 nga Kategoria e Parë. Te Dinamo shpresojnë që edhe Berisha të ecë në rrugën e Mandelës dhe t’u sigurojë golat bluve.

MERKATO VIJON – Ky është afrimi i radhës për Dinamon në këtë merkato vere, që pritet të jetë aktive dhe ambicioze. Me afrimin e Hekuran Berishës, drejtuesit tregojnë se janë të fokusuar në ndërtimin e një skuadre konkurruese, që jo vetëm të japë rezultate në fushë, por të ndërtojë edhe një bërthamë të fortë për të ardhmen. Të tjera lëvizje priten në vijim, ndërsa drejtuesit e klubit janë në kërkim të disa përforcimeve të tjera në repartet kyçe.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL