EKSKLUZIVE/ Dabulla “ngre” alarmin para derbit: Tirana katastrofë, na shpëton vetëm fati (E PLOTË)
“Jemi katastrofë”. Ish-lojtari i njohur i Tiranës, Rezart Dabulla, ka folur ekskluzivisht për situatën aktuale të klubit të zemrës së tij. Me përvojë të gjatë në fushat e Superiores, Dabulla nuk kursehet në kritika dhe shpreh shqetësimet e tij për fillimin e dobët të sezonit, menaxhimin e gabuar të merkatos, ndryshimet e shpeshta në pankinë dhe mungesën e identitetit në skuadër.
Në këtë intervistë të gjatë, ish-futbollisti shpreh sinqeritetin e tij duke analizuar gjithçka nga trajnerët dhe lojtarët e rinj te rreziku real i rënies nga Superiorja dhe roli i tifozëve në mbështetjen e klubit.
Pas katër javësh kampionat, Tirana ka nisur keq. Ju si ish-lojtar, si e shihni këtë start? Nuk dua të dramatizoj, por realisht është katastrofë. Vjet thashë se ishim keq, por këtë vit jemi edhe më dobët. Fillimi është më i dobët se një vit më parë. Ekipi nuk ka identitet, nuk ka lojë, nuk ka asgjë. Pas katër javësh, nuk kam parë asnjë shenjë shprese. Kam frikë se këtë vit nuk bëhet fjalë vetëm për “play-out”, por për rënie direkte nga Superiorja. Dhe e them me dhimbje, sepse Tirana është klubi më i madh i vendit. Do të isha shumë i lumtur që të gabohesha, por ajo që shoh më bën të besoj se na shpëton vetëm fati.
Çfarë ju shqetëson më shumë? Menaxhimi është i gabuar që në nisje. Nuk mund të marrësh një trajner pa asnjë eksperiencë dhe t’i japësh në dorë Tiranën. Kjo është një aventurë e dështuar që në momentin e parë. Pastaj, pas dy javësh e heqin. Çfarë kuptimi ka? Kjo tregon mungesë vizioni. Tirana nuk është vend për eksperimente. Duhet një trajner me dorë të fortë, me emër, që të respektohet nga futbollistët dhe t’i japë identitet skuadrës. Këtu ndryshohen trajnerët si këmisha dhe përfundimi është gjithmonë i njëjtë. Dështim.
Po trajneri aktual, ju duket zgjidhje e duhur? Nuk dua të paragjykoj, por më duket se edhe tani është zgjedhur me logjikën e “më të lirët” dhe jo të “më të mirët”. Tirana ka nevojë për dikë që të ketë kurajë të pastrojë skuadrën, të fusë rregulla dhe disiplinë. Unë nuk shoh asgjë të tillë.
Duke parë ekipin në fushë, cilat janë boshllëqet më të mëdha që shihni? Shumë boshllëqe. Nuk shoh personalitet, nuk shoh përgjegjësi. Në ndeshjen me Egnatian humbnim 2-0 dhe përsëri mbroheshim. 90 minuta pa një gjuajtje në portë! Është turp për një klub si Tirana. Edhe me Flamurtarin ishte e njëjta histori. Këta futbollistë nuk luftojnë. Edhe nëse humbim, të paktën të shohim djersë, të shohim që përpiqen, por nuk shoh as këtë.
Ju përmendët edhe problemin e kapitenëve. Pse ju shqetëson kaq shumë ky detaj? Nuk është thjesht detaj, është simbol. Kapiten i parë është një lojtar i huaj që ka vetëm një vit në klub dhe vjet ishte i pafuqishëm. Kapiten i dytë, po ashtu i huaj, me vetëm gjashtë muaj te Tirana. Këta nuk kanë asnjë lidhje me historinë, me fanellën. Kapiteni duhet të jetë njeriu që mban përgjegjësi, që i ngre shokët në këmbë, që komunikon me tifozët. Sot nuk kemi një të tillë. Është e turpshme që në Tiranë kapiten bëhet kush ka më shumë vite kontratë, jo kush ka personalitet.
A mendoni se merkatoja është planifikuar gabim? Po, totalisht. Vjet kishim një problem fatal, mbrojtjen. Çfarë bëri klubi? Nuk solli asnjë mbrojtës me nivel. Sot kemi të njëjtën mbrojtje të shpuar. Për më tepër, nuk ka asnjë lojtar shqiptar me emër, me përvojë. Janë të gjithë anonimë. E kam thënë gjithmonë, Tirana ka nevojë për 5-6 lojtarë vendas të fortë, që e njohin kampionatin, që dinë të përballojnë presionin. Sot nuk kemi asnjë. Dhe të huajt që kanë ardhur, janë thjesht numra, jo cilësi.
Po drejtuesit, çfarë përgjegjësie mbajnë për këtë situatë? Përgjegjësinë kryesore. Nuk mund të fajësosh vetëm trajnerin apo lojtarët. Strategjia është e gabuar. Drejtuesit kanë sjellë futbollistë pa emër, kanë ndryshuar trajnerë pa vizion, dhe kanë lënë Tiranën pa fytyrë. Klubi duket sikur funksionon vetëm me improvizime. Kjo nuk është Tirana që njohim.
E thoni hapur që rreziku është i madh. Mendoni se mund të ndodhë realisht? Po, absolutisht. Ky ekip, me këtë lojë dhe këtë mentalitet, është kandidat serioz për të rënë. Nuk lufton njeri, nuk sakrifikon njeri. Edhe skuadrat e vogla luftojnë më shumë se ne. Nëse vazhdojmë kështu, do të jetë e vështirë të mbijetojmë. Vetëm fati mund të na shpëtojë, ose ndonjë ndërhyrje drastike në janar.
Derbi me Dinamon është shumë pranë. Çfarë prisni nga kjo ndeshje? Do të jetë shumë e vështirë. Dinamo nuk është perfekte, por ka më shumë cilësi dhe organizim se ne. Ka treguar gjëra të mira në Kupat e Europës. Tirana mund të marrë diçka vetëm me zemër, vetëm nëse lojtarët kuptojnë çfarë do të thotë derbi. Sepse në derbi ndonjëherë nuk fiton më i forti, por ai që lufton më shumë. Unë shpresoj të marrim të paktën një pikë, por nuk jam optimist.
Cilat ekipe shihni si më të fortat këtë sezon? Egnatia është e organizuar, Vllaznia ka uri, edhe Elbasani ka treguar befasira. Këto ekipe e tregojnë në fushë që duan të luftojnë. Ndërsa Tirana dhe Bylisi janë më të dobëtat deri tani. Nëse nuk ndryshon asgjë, këto dy ekipe janë më të rrezikuarat për mbijetesë.
Shpesh keni qenë kritik për skemën e kampionatit. Çfarë mendimi keni tani? Jam kundër përgjysmimit të pikëve. Është padrejtësi e madhe. Një ekip punon gjithë vitin, fiton, krijon diferencë, dhe pastaj i përgjysmojnë pikët. Sivjet është përmirësuar disi, por përsëri nuk më bind. Ideja ime është e thjeshtë. Të katër ekipet e para të bëjnë një “play off” mes tyre, jo të përgjysmohen pikët. Por sidoqoftë, Tirana nuk është në nivel që të flasë për titull. Ne duhet të mendojmë si të shpëtojmë.
Si e përjetoni ju personalisht këtë situatë? Me shumë dhimbje. Sepse unë kam parë Tiranën të fitojë tituj, të bëjë histori, të krenohemi. Tani shoh një skuadër pa shpirt. Dhemb të shohësh që nuk ka identitet, nuk ka lojtarë që ta ndiejnë fanellën. Dhe më dhimbset që klubi e ka kthyer në një laborator eksperimentesh. Çdo vit bëjnë të njëjtat gabime. Ne nuk e meritojmë këtë.
Po tifozët si e përjetojnë sipas jush? Të gjithë janë të zhgënjyer. Por tifozët e Tiranës nuk e braktisin kurrë ekipin. Jemi ne të vetmit që e mbajmë këtë klub gjallë me shpirtin tonë. Ne do të jemi aty, pavarësisht gjithçkaje. Edhe kur klubi nuk na respekton, edhe kur ekipi na zhgënjen, ne jemi aty. Ky është dallimi ynë.
Po tifozët si e përjetojnë sipas jush? Të gjithë janë të zhgënjyer. Por tifozët e Tiranës nuk e braktisin kurrë ekipin. Jemi ne të vetmit që e mbajmë këtë klub gjallë me shpirtin tonë. Ne do të jemi aty, pavarësisht gjithçkaje. Edhe kur klubi nuk na respekton, edhe kur ekipi na zhgënjen, ne jemi aty. Ky është dallimi ynë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













