EKSKLUZIVE/ Çipi vlerëson Idrizin për luksin te Flamurtari: I ka mundësuar çdo gjë trajnerit Garsia
Kreshnik Çipi vlerëson Sinan Idrizin për luksin që i ka mundësuar trajnerit Karlos Garsia. Sipas legjendës së futbollit vlonjat çdo rol tek kuqezinjtë është i dubluar me minimumin 3 futbollist. Gjatë prononcimit për “Panorama Sport”, Çipi shprehet se është i mendimit se trajnerit spanjoll i duhet pak kohë pasi vjen nga drejtime të ndryshme. “Investimi që ka bërë Flamurtari qoftë në elementin njerëzor që është më e rëndësishmja për futbollin, është tepër serioz.

Sot tek Flamurtari mund të gjesh për të njëjtin rol minimumi tri futbollistë. Kjo do të thotë se trajneri Karlos Garsia ka një luks të madh për të ndërtuar skuadrën. Ndoshta i duhet pak kohë sepse vjen nga drejtime të ndryshme dhe nuk është se ne ua dimë karakteristikat 100% atyre. Ato shfaqen nga dita në ditë, kështu që unë kam parasysh edhe skuadra të tjera të Superiores dhe them se kontingjenti është mjaft i mirë për ta përballuar me sukses kampionatin”, shprehet fillimisht Çipi.
PIKËT E LËNA – Kreshnik Çipi thekson se për moral Flamurtarit i duheshin pikët e lëna në këto dy javë të para. Ai thotë se skuadra do të ndryshojë në javët në vijim, pasi ka futbollistë që bëjnë diferencën. “E vetmja mangësi e jona është ky fakt që duke qenë se ne po vijmë nga Kategoria e Parë ishte e nevojshme që për moral të kishim disa pikë. Këtë mund ta zgjidhte shumë mirë trajneri, duke pasur parasysh që sulmi është i këndshëm është i veçantë.
Ne veç atyre që kemi sot e që kanë luajtur në këto dy ndeshje, kemi lojtarë shumë të mirë. Do ti shikoni në ditët që do të vijnë, qoftë Ramirez Bolzano dhe shumë të tjerë që nuk dua ti përmend por që kanë elementë shumë të veçantë. Kemi kualitet në sulm ku në krye është gjithmonë Maksuti, një djalë shumë i talentuar. Dy ndeshjet e para ne sigurojmë një herë portën tonë, pastaj gradualisht duke kërkuar që ta rikuperojmë në zona të caktuara të fushës, apo në total në grup, duke rikuperuar topin dhe kalojmë me shpejtësi pastaj në sulm pasi kemi mundësitë me cilësitë e lojtarëve që kemi. Duhet të siguronim pikë që të ecim përpara. Gjithsesi koha është në dispozicion”, shprehet ish-kapiteni.
DETYRA E TRAJNERIT – Kreshnik Çipi shprehet se është detyrë e trajnerit Karlos Garsia të koordinojë elementët që ka në skuadër. “E para fare është që futbollistët nuk njihen me njëritjetrin. Trajneri po bën një muaj e gjysmë që po punon me ekipin. Nuk është se nuk ka njohje, por ata kanë ardhur në kohë të ndryshme. Ky është një sport kolektiv dhe nuk është sport individual. Nuk është një sport kolektiv që kryhet nga individët po do bashkëpunim. Edhe yjet e botës t’i kesh në skuadër, nuk arrin dot rezultatin pa u koordinuar. Pra trajneri këtë ka detyrë që të koordinojë gjithë elementin që ka në dispozicion dhe ka elementë kualitativë. Nëse ai e arrin ta realizojë këtë, atëherë do të themi që është meritë e trajnerit”, thotë Çipi.
OBJEKTIVI – Ish-kapiteni vlonjat Kreshnik Çipi thekson se duhet që ndeshjet të merren me radhë. “Futbolli është ndeshje pas ndeshje. Në fillim të vitit nga blerjet që bën ke synimet e tua. Nga ato që kam parë unë skuadrat në Shqipëri si Flamurtari janë dy-tre. Nuk them në anën financiare pasi Flamurtari është më lartë në këtë drejtim por në kualitetin e individëve. Ne duhet të ecim ndeshje pas ndeshje. Kemi të radhës Tiranën. Nuk duhet të mendojmë për Partizanin. Por duhet ta kalojmë Tiranën dhe të jemi totalisht të përqendruar. Duhet të studiojmë kundërshtarin, kush janë të mirat dhe defektet dhe të ndërtojmë lojën tonë, të përqendrohemi 100% dhe të shikojmë ndeshje pas ndeshje”, përfundon Çipi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













