EKSKLUZIVE/ Çapja: Elbasani është në katërshe, Tirana ka nevojë për merkato. Titulli vendoset pas “Final 4”
Elbasani – Tirana është një ndeshje që mbart mbi supe një rivalitet të vjetër dhe sa herë ka përballje mes tyre, pritet me emocione, pavarësisht pozicioneve që mbajnë në renditje. Ata që e njohin mirë rivalitetin dhe peshën e këtyre ekipeve janë ish-futbollistët që i kanë provuar të dyja fanellat.

I tillë është rasti i ish-mesfushorit Hetlen Çapja, kampion me Elbasanin dhe Tiranën, i cili ka analizuar për “Panorama Sport” momentin aktual të dy skuadrave historike të futbollit shqiptar. Çapja flet me autoritetin e një lojtari që ka përjetuar nga brenda presionin, emocionet dhe pritshmëritë që shoqërojnë këto klube. Në prononcimin e tij, ai ndalet fillimisht te humbja e Elbasanit në Ballsh ndaj Bylisit, për të kaluar më pas te objektivat e verdhebluve për këtë sezon dhe lufta për “Final 4”. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përballjes së radhës ndaj Tiranës, një ndeshje që, sipas Çapjas, mbetet gjithmonë e veçantë për shkak të historisë dhe rivalitetit mes dy skuadrave. Në fund, si ish-lojtar i bardhebluve, ai shpreh shqetësimin për situatën e Tiranës dhe zgjedhjet e bëra në ndërtimin e ekipit.
HUMBJA NË BALLSH – Si fillim, Çapja analizon humbjen e Elbasanit ndaj Bylisit, një rezultat që erdhi pas një serie të gjatë pozitive. Sipas tij, kjo ishte një disfatë që “djeg”, por që nuk e ndryshon panoramën e përgjithshme të skuadrës. ”Të them të drejtën nuk e prisja, pasi Elbasani vinte pas një ecurie shumë pozitive, me 10 ndeshje radhazi pa humbje. Megjithatë, loja e futbollit është me gabime dhe mendoj se Elbasani gaboi. Këtu është edhe bukuria e futbollit, që kush gabon e pëson. Kjo është një humbje që djeg, por kampionati është i gjatë dhe skuadra i ka mundësitë për të vazhduar përpara, sepse ekipi është konsoliduar nga java në javë. Stafi teknik dhe drejtues deri më tani kanë bërë një punë mjaft të mirë, sepse jo më kot janë në këto pozita, por ka ardhur fryt i punës dhe bashkëpunimit të mirë. Në Ballsh kishte edhe mungesa dhe u ndie ajo e Lulajt në qendër të mbrojtjes”, u shpreh fillimisht ish-futbollisti elbasanas.
OBJEKTIVI – Ish-mesfushori shprehet i bindur se Elbasani ka treguar vazhdimësi dhe pjekuri gjatë këtij sezoni, elementë që e bëjnë një kandidat serioz për katërshen finale. Ai thekson se qetësia dhe shmangia e euforisë janë çelësi për të vazhduar përpara. ”Unë Elbasanin e shoh sigurisht pjesë të katërshes, sepse deri më tani ka treguar se është një ekip konstant dhe pa luhatje. Në këto dy faza kampionat nuk ka qenë asnjëherë poshtë vendit të katërt dhe kjo tregon se ka potencial. Duhet vetëm të vazhdojnë me këtë ritëm dhe të mos kenë eufori, thjesht të shohin ndeshje pas ndeshje. Shoh që të gjithë kanë një eksperiencë më shumë sesa një vit më parë dhe po e vënë në shërbim për të arritur maksimumin. Titulli është diçka që vendoset pasi siguron katërshen, sepse e tillë është formula, nuk mund të flasësh që tani për titull”, thekson Çapja.
DUELI ME TIRANËN – Për përballjen e ardhshme ndaj Tiranës, Çapja pret një ndeshje të fortë dhe të luftuar, ku rivaliteti historik do të ndihet pavarësisht pozicionit të skuadrave në renditje. Megjithatë, ai sheh Elbasanin më të avantazhuar për shkak të cilësive që zotëron. ”Kam besim se do të rikthehemi në ndeshjen me Tiranën, por me pak kujdes, sepse edhe kundërshtari kërkon pikët, ashtu si ne. Historikisht këto dy skuadra kanë pasur shumë rivalitet mes njëra-tjetrës dhe ‘urrejtje’ mes tyre. E shoh një ndeshje që do të luhet fort, pavarësisht pozicioneve që kanë në renditje. Megjithatë, shoh Elbasanin të avantazhuar, sepse ka më shumë kualitete dhe besoj se do të dalë fitimtar”, pohoi Hetlen Çapja.
TIRANA – Si ish-lojtar i Tiranës, Çapja flet hapur për problemet që po kalon klubi bardheblu, duke theksuar se vështirësitë janë të përsëritura dhe se merkatoja e janarit mbetet shpresa e vetme për të ndryshuar rrjedhën e sezonit. ”Është viti i dytë që Tirana ka probleme, sepse edhe vjet shpëtuan nga rënia nëpërmjet ‘play-out’. Këtë vit e shoh edhe më të vështirë mbijetesën, pasi mendoj se që në fillim nuk kanë bërë zgjedhjet e duhura. Kam luajtur vetë me ta dhe e di sesa e rëndësishme është ajo fanellë. Është ekipi që ka më shumë tituj në kampionatin shqiptar. Mendoj që drejtuesit nuk kanë bërë zgjedhjet e duhura për të marrë lojtarë cilësorë që ta ndiejnë atë fanellë, por shpresat tani janë te merkatoja e janarit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Hetlen Çapja.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













