EKSKLUZIVE/ “Bomba” e merkatos te Partizani, të kuqtë arrijnë akordin me mesfushorin që vlen 850 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2025 | 0:16

EKSKLUZIVE/ “Bomba” e merkatos te Partizani, të kuqtë arrijnë akordin me mesfushorin që vlen 850 mijë euro

Rouen Hjumen pritet të jetë lojtari më i ri i Partizanit. “Panorama Sport” mëson se të kuqtë kanë akord me mesfushorin e Afrikës së Jugut.

WhatsApp Image 2025-08-08 at 23.01.48 (1)

Dhe bëhet fjalë për një fantazist, që shikohet si zëvendësues i denjë për rolin që më parë e bënte mjaft mirë Arinaldo Rrapaj. 24-vjeçari pritet që javën tjetër të vendoset nën urdhrat e Mladen Milinkoviç.

KARRIERA- Në dy sezonet e fundit, Hjumen bëri mjaft mirë me AmaZulu në elitën e Afrikës së Jugut. Për këtë u kthye në një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Pasi kontrata e tij përfundoi, nuk preferoi rinovimin. Dhe pse kishte oferta nga klubet më të mira atje, dëshira qëndron për t’u kthyer në Europë. Më parë kishte firmosur në Izrael me Makabin e Tel Avivit dhe Beitar Tel Avivin. Në Afrikën e Jugut ndërkohë, karrierën e niste me Bidvest Uits dhe Maritzburg.

WhatsApp Image 2025-08-08 at 23.01.48

AFRIKA E JUGUT- Hjumen ka luajtur me moshat e vendit të tij, para se të ftohej nga ekipi i parë i Afrikës së Jugut. Shkëlqim pati me ekipin U-20 ku mbante numrin 10 dhe fitonte shiritin e kapitenit.

VLERA- Hjumen vlerësohet 850 mijë euro në tregun e vlerësimeve të “transfermarkt”. Pas largimit të Itodo Mandelës, që do të pasohet nga ikja e Baton Zabërgjës, Hjumen do të bëhej më i vlerësuari i Superiores.

MESFUSHA- Partizani do e kishte transferimin e parë për mesfushën në këtë merkato vere. Hjumen paraqitet si një profil mjaft interesant në kampin e të kuqve. Më parë janë transferuar Skuka, Isgandarli, Garsia, Martinez dhe Da Silva.

ABILALIAJ- Drejtori sportiv i Partizanit e përmendi pikërisht një transferim të tillë. Abilaliaj tha përgjatë prezantimit të Milinkoviç, që Partizani ka arritur akordin me një lojtar kombëtareje. Dhe duket se bëhet fjalë për Rouen Hjumen, që do të shtonte cilësinë në mesfushën e Partizanit.

EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL