E PLOTË/ “Në Shqipëri të zhvishnin në rrugë”, ish-sulmuesi i Shqipërisë: Jam grek, si më linin jashtë deri në 3 të natës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 0:00

E PLOTË/ “Në Shqipëri të zhvishnin në rrugë”, ish-sulmuesi i Shqipërisë: Jam grek, si më linin jashtë deri në 3 të natës

Roland Zajmi i Dinamos së periudhës 1993-’95 që shënoi 23 gola në 61 ndeshje dhe veshi fanellën e Partizanit gjysmësezonin pasardhës, ka vendosur të japë të vetmen intervistë në Greqi ku jeton prej më se 26 vitesh që nga 1996-a. 

TROLAND ZAJMI]

Një rrëfim special për vështirësitë në vitet e mbrapshta në vendin tonë, racizmin, vuajtjet për t’u ambientuar në Greqi dhe pagëzimin me një emër grek që prej vitit 2005. Sot Aleksandër Zajmi, emër që e ka marrë në Greqi tregon gjithçka për “Gazzetta.gr” rreth futbollit dhe jetës së tij, plumbave që la në Shqipëri dhe drurit, shkelmave e sherrit në Greqi me shokët e ekipit, racistë dhe aspak mikpritës.

Kjo është intervista e parë, pse nuk keni folur kurrë?

Sepse isha idiot, por sidoqoftë vendimi im kishte baza. Jam ftuar në emisione, por nuk dija greqisht mirë dhe kisha turp. Nuk kam qenë asnjëherë në TV. As në kohën kur luaja futboll. Nuk më ka pëlqyer dhe nuk ndihesha mirë të dilja në TV. Ama sot, djalit tim nuk do t’ia pranoj këto justifikime. Nëse një media serioze e fton, duhet të shkojë. Edhe kur skuadra e tij ka humbur apo ka qenë dobët fizikisht.

Si keni ardhur në Greqi më shumë se 20 vite më parë?

Jam në vitin e 26-të në Greqi. Isha shumë i ri kur kam ardhur këtu. Ishte shumë e vështirë. Në Greqi nisa me një klub si Proodeftiki, me shumë probleme financiare. Sapo kam hyrë në stadium në Koridhalos jam dashuruar. I thashë vetes që nëse më mbajnë, do të jepja më të mirën time.

E latë Shqipërinë në një periudhë të vështirë…

Po. Shqipëria e viteve 1996-1997 ishte e rrezikshme, mes kallashëve dhe plumbave. Një herë jam shtrirë poshtë në makinë për të shpëtuar. Në momentin që kaloje semaforin dhe të shihnin me rroba të mira, ata qëllonin makinën e kallash. Të linin edhe me të brendshme, duke të marrë rrobat. Të zhvishnin në rrugë. Më ka ndodhur disa herë të më merrnin bluzën.

Nuk kishit dallim nga të tjerët meqë ishit futbollist?

Futbolli kishte humbur asokohe në Shqipëri. Njerëzit donin të jetonin. Të vrisnin në rrugë. Kur kam ikur unë, u hapën depot dhe armët ishin në duar të shumë njerëzve. Këtë periudhë e kanë përjetuar prindërit e mi të cilët i mora menjëherë në Greqi.

ZAJMI RONALD

Ndiheni grek?

Unë jam pagëzuar si grek, por do t’ju them të vërtetën. Nuk do të ndryshoja asgjë në jetën time. Jam personi më me fat. Unë mund të kem kaluar nëpër të gjitha ato që kam kaluar, por unë jam personi më me fat që të jem në të këtë vend. Dhe unë kurrë, kurrë nuk do ta harroj momentin kur isha në aeroplan dhe po kthehesha nga Qipro. Po shikoja Athinën nga lart dhe thashë: “O Zot, të lutem kurrë mos më bëj të largohem nga ky vend.

AS Barcelona të mos më kërkojë, nëse bëhet fjalë për të ikur nga këtu”. Unë nuk kam ardhur këtu për të ndryshuar Greqinë. Ky vend më ndryshoi, u adaptova me zakonet e tij.

Që nga dita e parë kur erdha në Greqi u ndjeva grek. Unë nuk ndihem grek, jam grek. Unë u pagëzova në 2005-ën në pishinë, në Rodos, me kumbarin tim shokun tim të skuadrës Sidiropulos. Kur erdhën personat që bënin ceremoninë e pagëzimit dhe unë thashë “Besoj”, ata qeshën sepse nuk e kisha mësuar mirë.

zaimi

Zajmi në duel me Arian Xhumbën

Si ishte periudha tek ekipi i parë Proodeftiki?

Pas fazës përgatitore, isha unë dhe tre të huaj. Ata u larguan pas vetëm pesë apo gjashtë ndeshjesh për probleme financiare. Unë isha i vetmi i huaj mes 28 grekëve dhe ishte e vështirë. Nuk kam luajtur në dy ndeshjet e para sepse nuk kisha dokumente. Në ndeshjen e parë, në Ligën e Dytë kundër Janinës, barazuam në fund. Ndeshja ime e parë dhe goli i parë. Kjo më ndihmoi që të më pranonin më lehtë në ekip.

Tregova që në fillim që nuk dorëzohem, luftoj dhe mund të vlej për ekipin. Ekipi i donte lojtarët me karakter të tillë. Dakord, para se të më pranonin njerëzit duhet ta bënin shokët e ekipit. Kishte racizëm prej tyre. Sidoqoftë, ishte e kuptueshme se unë isha një i huaj nga askund në mes të një grupi autokton që njiheshin mes tyre. Stërvitjet ishin luftë në fillim. “Kam ngrënë dru”, derisa e kuptuan që nuk dorëzohem dhe më lanë vetëm. Vetëm një pjesëtar i stafit më qëndronte pranë. Asnjë tjetër.

Si vijoi?

Fituam dy ndeshje radhazi. Unë u thashë që nëse nuk paguhesha, nuk do të luaja. Kisha 3 muaj që nuk kisha marrë asnjë dhrahmi. Nuk u stërvita dhe drejtuesit më hodhën rrobat në rrugë e më nxorën nga hoteli. Sa u ktheva nga stërvitja e pashë çfarë kish ndodhur dhe më thanë që klubi s’ta paguan më hotelin.

Telefonova prindërit për të gjetur njeriun që më kish çuar te ky ekip. Ishte Eftimiu. Unë dhe Jupi ishim transferimet e para nga Shqipëria në 1995-ën me para. Kaluam nga Dinamo te Partizani. Me sa kam mësuar më vonë, Proodeftiki pagoi 4 milionë dhrahmi për kartonin tim. Eftimiu më tha që të firmosja që askush tjetër veç tij të mos ishte menaxheri im. Kisha firmosur një kontratë 5-vjeçare pa marrë asgjë nga Proodeftiki.

Në Greqi, ky person mori lekët, më dha dokumentet dhe u zhduk. Mamaja ime e rregulloi me hotelin që të qëndroja. Jam stërvitur një javë vetëm në park dhe rreth stadiumit. Këtë kohë, prindërit më thirrën të kthehesha sepse isha një nga emrat më të njohur të futbollit atje. Do të gjeja menjëherë ekip dhe do të isha në shtëpi.

Si iu përgjigjët ftesës së prindërve për t’u kthyer?

U thashë që nuk ka rëndësi si është situata në Shqipëri, por unë nuk kthehem edhe sikur në Greqi të më duhet të bëj një tjetër punë. Nuk e pra noja të më quanin të dështuar. Për asgjë në botë! Sepse unë nuk po luaja jo se nuk doja, por se nuk më kishin dhënë asnjë dhrahmi.

Si ju larguan nga hoteli?

Nuk e kujtoj kush ishte, por kujtoj vetëm valixhen e nxjerrë nga dera. Më pas personi Eftimi Tsalukidis që më rregulloi te Proodeftiki më tha që do të me gjente kontratë ku do të fitoja 100 mijë dhrahmi në ndeshje. Kontrata ishe një letër tualeti. Ku ishim ulur, ai këputi një copë letër dhe firmosëm. Kështu që u ktheva prapë tek ai ekip. Sigurisht që lekët vonoheshin gjithmonë, por më duhej të mbijetoja.

Si ishte jeta në fillimet tuaja atje?

Për 3 muaj ikja çdo ditë në stadium dhe stërvitje në këmbë. Nuk kisha lekë për taksi. Vetëm një herë kam ikur me makinë, sepse ndihmësi në klub që më mbante afër, mori nusen e tij që punonte në hotelin ku unë qëndroja. Një herë në taksi kur e pa që nuk dija greqisht, për një rrugë që bënte 300 dhrahmi, më tha duhet të paguash 6000. Pastaj ekipi më gjeti shtëpi dhe jetova me portierin Karanastasis.

Kishit shoqëri?

Luftë në fillim edhe me të, pastaj jetuam bashkë. Ishte i ri. Nuk më jepte çelësin. Më la deri në 3 të mëngjesit jashtë shtëpisë. Pastaj nuk dilja më se kisha frikë se do të më linte jashtë edhe herë të tjera. Kur shihja TV më ndërronte kanalet dhe pasi një ditë u “vramë”, klubi më dha shtëpinë time.

Më vonë u bëra një me ekipin, gjërat shkonin mirë, u ngjitëm në kategori. Krahas fillimit që unë isha i vetmi i huaj, që flisja keq dhe ata me shihnin si të çuditshëm, pastaj pjesa tjetër ishte OK. Do ta përsërisja pa më të voglin hezitim të gjithën. Ai që më solli më tha se do fitoja 70 milionë dhrahmi, por më dha zero.

E vetmja e mirë prej tij ishte që më solli në Greqi. Ishte një periudhë e vështirë financiare për ekipin dhe kur na blenë vetëm 16 uniforma “Diadora”, ne ndiheshim sikur të kishim kostumet “Armani”. Ajo ishte ndeshja më e rëndësishme, para 6000 tifozëve. Pas atij barazimi 1-1 ndaj Panetolikos, kemi fituar 11 ndeshje radhazi. Në fund humbëm kreun me dy ndeshje.

roland-zajmi-e8e4dc64-d6b2-4f47-89cd-935d8c39969-resize-750

Sa shënuat vitin kur u ngjitët?

Nëntë gola, por pa gjuajtur asnjëherë penallti. Almanidis 14. Vetëm një herë u mërzita. Iu luta atij për penalltinë pasi vija nga një dëmtim i rëndë. E humba dhe nuk gjuajta më prej asaj ndeshjeje. Ishte e para dhe e fundit penallti. Nëse do të kisha gjuajtur më tepër, do të kisha pasur tjetër karrierë. Ndeshjen e fundit të sezonit nuk do ta harroj, kënaqësia më e madhe në jetë sepse u ngjitëm në kategori. Pas aq vështirësish, të festonim ishte super.

Si ishte viti i parë në Superligë dhe a u paguat?

Gjërat u përmirësuan. Edhe financat. Nga 100 mijë dhrahmi për ndeshje, merrja 200 mijë. Kur luaja i merrja lekët. Shokët e mi kujtojnë që kam luajtur me temperaturë 41 dhe ethe, me brinjë të çara, me një ndrydhje që kyçi i këmbës ishte më i madh se koka ime. Mirëpo, nuk tregoja sepse duhet të luaja dhe të paguhesha. Kam pasur shumë dëmtime dhe nuk kam folur sepse nëse nuk do të luftoja, këto 200 mijë dhrahmi nuk do t’i merrja kurrë. Sigurisht, asnjëherë nuk i kam marrë në kohë.

Pse nuk shkuat në ekip të madh?

Një herë dëgjova që kishte pasur interes AEK. Por presidenti kërkonte 400 milionë dhrahmi dhe tek AEK i kishin thënë që me ka blejmë 50 brazilianë. Ai nuk kishte marrëdhënie të mira asnjëherë dhe thjesht nuk donte të më linte të largohesha.

Aq shumë ëndërroja të ndodhte, sa sezonin tjetër kam bërë 11 gola, 2 kundër PAOK, 3 kundër AEK dhe 3 kundër Iraklis dhe mendova që do të largohem, por nuk ndodhi kurrë. Më vonë pata akord me Atromitos për 120 milionë dhrahmi, por nuk ndodhi sepse vija nga një dëmtim i rëndë. Dhe pas dëmtimit, luajta shumë pak se nuk më aktivizonin.

Pse nuk merreni më me futboll?

Ka qenë zgjedhje e imja që t’i përkushtohem familjes të rrija afër fëmijëve.

Do t’ju ndjekë djali juaj që të bëhet futbollist?

Unë nuk jam as sa 5% e tij. E kam fjalën për talentin që ka. Nëse do të vijojë kështu, për 8-9 vite do të bëjë gjëra të jashtëzakonshme.

PANORAMASPORT.AL