“E meritonim kualifikimin, i kënaqur që ndihmova edhe pse i dëmtuar”, heroi Mala: Kjo Vllazni mund të bëjë befasi në Europë
Esat Mala ishte protagonisti i fitores dhe kualifikimit të Vllaznisë përballë Daugavpils në Letoni, pasi shënoi golin e rezultatit 4-2 që kaloi më tej shkodranët në Ligën e Konferencës. Natyrshëm mesfushori ka qenë entuziast për arritjen e skuadrës, e aq më shumë që dha edhe ai kontributin në ndeshjen ku u fut nga stoli pasi nuk është ende në formën optimale për shkak dëmtimesh.

“Jemi normalisht shumë të lumtur, ishte fitore shumë e rëndësishme. Jam shumë i lumtur që siguruam kualifikimin me golin tim
Që kur erdhëm dy ditë më parë, e kemi nisur me vetëbesim të plotë, duke parë edhe ndeshjen e kaluar ku ata me një rast fituan ndeshjen. Kishim besim se ishim më cilësorë se ekipi këtu dhe besuam deri në fund, edhe pse ata kaluan dy gola para në bilancin e përgjithshëm. E merituam që ta fitojmë lojën në fund.
Kohët e fundit më ka lënë pas një dëmtim dhe nga gjendja fizike jam mbrapa dhe nuk kam mundur ta ndihmoj ekipin nga fillimi. Por jam i lumtur që sadopak minuat që m’u dhanë ishte e rëndësishme dhe mund të ndihmoja ekipin për të siguruar raundin tjetër.
Ndeshja e fundit e Dodajt? Vlerat e Dodajt dihen, nuk ka nevojë t’i bëjmë lëvdata se shihen në fushë. Ishte ndër lojtarët kyç se bëri edhe gol e më dha asistin. E falënderoj për kontributin që ka dhënë për asistin dhe dua ta shoh sa më lart se e meriton. Është një djalë shumë i mirë dhe talentin e ka, nuk mund t’ia mohojmë.
Ndeshja e parë në “Loro Boriçi” në javën e ardhshme? Është një kalim turi, po na fut në ritëm, do të kemi kundërshtar edhe më të fortë. Do përgatitemi maksimalisht dhe vetëbesimin e kemi si skuadër dhe kjo fitore do na shërbejë.
Prania e tifozëve do të jetë një ndihmesë shumë e madhe që nga ndeshja e ardhshme. Besoj se do të mbushet stadiumi. Shpresojmë të jenë sa më të shumtë se janë energjia jonë.
Ku mund të arrijë skuadra? Besoj se kjo Vllazni, ndeshje pas ndeshje po konsolidohet dhe nuk është çudi që të bëjë befasi”, tha Mala për “Veriu Sport” pas kualifikimit të kuqebluve.
PANORAMASPORT.AL













