E ardhmja kuqeblu, të rinjtë e Vllaznisë kërkojnë afirmimin në sezonin 2025-26

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2025 | 21:25

E ardhmja kuqeblu, të rinjtë e Vllaznisë kërkojnë afirmimin në sezonin 2025-26

Nëse ka një skuadër apo klub në vendin tonë që gjithmonë i ka kushtuar vëmendje elementit të ri, ajo është Vllaznia. Shkodranët ndër vite kanë prodhuar talente, të cilët i kanë promovuar dhe shndërruar në futbollistë të rëndësishëm për kampionatin apo edhe kombëtaren e Shqipërisë.

Vllaznia

Në sezonet e fundit janë pikërisht emra si Alivoda, Dodaj apo Jukaj, të cilët të ardhur rishtazi nga ekipet zinxhirë, “shkëlqyen” me skuadrën e parë, duke u shndërruar në protagonistë. Madje, dy të parët janë transferuar edhe në kampionate jashtë vendit, me kuqeblutë që kanë përfituar shifra të majme nga shitja e dy futbollistëve. Edhe këtë edicion duket se mbështetja ndaj elementit të ri nuk do të mungojë aspak dhe disa prej tyre dhanë “sinjalet” në miqësoren të fituar 3- 0 ndaj Deçiqit.

Emra si Tafili apo Ara gjetën golat në duel ndaj ekipit tuzian, duke treguar për cilësitë, por edhe “urinë” e tyre për të pasur minuta dhe qenë protagonistë në sezonin 2025-26 për kuqeblutë. Gjithashtu, Kubazi apo Kapllanaj zhvilluan minuta të mira në miqësoren kundër skuadrës shqiptare nga Mali i Zi, madje duke marrë edhe duartrokitjet e publikut të pranishëm në shkallët e stadiumit.

Patjetër konkurenca do të jetë shumë e fortë për futbollistët e rinj, duke parë edhe faktin se Vllaznia ka formuar një ekip me shumë emra të njohur dhe plot eksperiencë. Megjithatë, kjo duket se nuk ul aspak vëmendjen e drejtuesve apo edhe stafit teknik ndaj elementit të ri dhe të perspektivës, ku gjatë sezonit të gjithë do të kenë mundësinë për të treguar vlerat e tyre. Prandaj, të gjithë futbollistët duhet të jenë të gatshëm të “kapin” shansin e tyre në një skuadër të mbushur me “yje”, sidomos në mesfushë dhe sulm.

PANORAMASPORT.AL