Duka përjeton lumturinë, Stoja shqetëson stafin
Mesfushori i Luftëtarit, Mirel Duka, me golin e dytë të shënuar në përballjen me Albpetrolin, i dha më shumë siguri ekipit që të arrinte fitoren e parë në kampionat. “Falë lojës në grup, si dhe veprimeve harmonike në mbrojtje, mesfushë dhe sulm, ia dolëm të gjenim fitoren e parë. Personalisht ndihem mirë, duke qenë se goli i ka shërbyer sadopak skuadrës. Pavarësisht se kam shënuar dy gola deri tani në kampionat, në pozicionin e mesfushorit shkatërrues jam i ndërgjegjshëm se më duhet shumë punë për t’u përmirësuar, duke filluar nga takimi me Himarën”, – thotë Duka. Ndërkaq, teksa bluzinjtë janë duke vijuar përgatitjet për takimin e radhës, atë me Himarën, trajnerit Petraq Bifsha do t’i duhet të vuajë mungesën e mesfushorit organizator Nertil Stoja. Arsyeja e mosaktivizimit të “regjisorit” në këtë përballje është e lidhur me plotësimin e numrit tre të kartonëve të verdhë. Një mungesë shumë e rëndësishme kjo për ekipin gjirokastrit.
Tomor Shehu













