“Duhet shfrytëzuar çdo mundësi për mbijetesën”, Shehi: Të fitojmë patjetër ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2026 | 23:24

“Duhet shfrytëzuar çdo mundësi për mbijetesën”, Shehi: Të fitojmë patjetër ndaj Teutës

Vora është rikthyer në përgatitje për ndeshjen e radhës, me gjithë fokusin te sigurimi i një rezultati pozitiv që do t’i shërbejë objektivave të klubit. Para kësaj sfide, për “Panorama Sport” ka folur mbrojtësi qendror, Dajan Shehi, 29-vjeçar nga Elbasani, i cili mungoi për një kohë nga dëmtimi në shpatull.

dajan shehi

Si është gjendja juaj aktuale, a jeni i gatshëm për Teutën?

Mendoj se jam gati, këtë e tregoi edhe testi që bëmë të dielën me Korabin. Gjithsesi, do ta shohim ditën e ndeshjes se sa jam i gatshëm. Falë punës së palodhur të stafit mjekësor dhe përgatitjeve individuale, mendoj se do jem i gatshëm për këtë ndeshje kundër Teutës.

Po gjendja e skuadrës para kësaj sfide të rëndësishme?

Edhe skuadra është gati për të përballuar me sukses këtë sfidë. Gjendja e lojtarëve është e mirë dhe trajneri ka alternativa të plota në dispozicion. Të gjithë jemi të përqendruar për të marrë maksimumin nga këto përgatitje dhe për të dhënë një ndeshje të mirë, duke marrë një rezultat pozitiv.

Sfida me Teutën, sa rëndësi ka kjo ndeshje?

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për pozitën tonë dhe për momentin e vështirë që kaluam para ndërprerjes së kampionatit. Kundër Teutës nuk duhet të kemi dyshim nëse do ta fitojmë apo jo. Edhe pse është e vështirë, duhet ta fitojmë patjetër. Kam respekt maksimal për këtë skuadër, pasi aty fillova karrierën time si futbollist, por tani prioriteti është fitorja. Rëndësia e këtij takimi flet shumë për ecurinë e mëtejshme në ndeshjet e mbetura.

A do ta keni të vështirë fitoren, kur secili nga ju kërkon më shumë pikë se sa luan?

Për ne çdo ndeshje është detyrim për ta fituar, kundër cilitdo kundërshtar. Respektojmë secilën skuadër, por ajo që kërkojmë më shumë në fushë është fitorja. Vështirë është sepse Teuta është një skuadër e fortë dhe nuk toleron në fushë. Të gjithë kanë synimet dhe qëllimet e tyre, gjë që e bën lojën sfiduese.

A ndjeni presionin e ndeshjes?

Presion ka gjithmonë, jo vetëm në këtë takim, por edhe kur luan ndaj çdo kundërshtari që ka histori dhe cilësi në ekip. Në momentin që ndodhemi, nuk ka kohë për gabime. Ne duhet patjetër fitoren, dhe ky është presioni para kësaj sfide.

Çfarë këshillash keni marrë nga trajneri?

Me trajnerin kam marrëdhënie shumë të mira dhe për çdo problem kuptohemi mirë. Udhëzimet dhe këshillat e tij para çdo ndeshje na ndihmojnë shumë. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që krijojmë në fushë, të tregojmë se jemi një ekip i madh dhe të shfrytëzojmë çdo rast minimal që na paraqitet.

A besoni tek fitorja?

Këtë herë besoj shumë, pasi të gjithë jemi të fokusuar te mbarëvajtja e rezultatit. Besoj se do ta kalojmë me sukses këtë takim dhe do të rritet përgjegjësia jonë për të mbyllur me sukses objektivin madhor, që është mbijetesa.

Abdulla Dushku – PANORAMASPORT.AL