“Duhet rindezur zjarri i fillimit”, Kraja: Vllaznia po vuan presionin e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2025 | 23:39

“Duhet rindezur zjarri i fillimit”, Kraja: Vllaznia po vuan presionin e titullit

Ish-futbollisti dhe ishtrajneri i Vllaznisë për disa ndeshje, Ervis Kraja ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Nga Australia ku jeton prej disa vitesh, ish-mbrojtësi nuk i humbet kurrë ndeshjet dhe zhvillimet rreth kuqebluve.

360324_TS_05-02-18_1353219474_-768x490-768x470

E pikërisht këtu është ndalur shkodrani, duke analizuar situatën që po kalojnë kuqeblutë. Teksa e shikon si diçka momentale dhe se skuadra do rikthehet tek futbolli i bukur dhe fitues. Ndër të tjera Kraja komenton edhe ndeshjet e fund vitit për shkodranët, ku thekson se skuadra duhet të tentojë të marrë vetëm pikë e plota për ta mbyllur vitin sa më të qetë.

Kraja, një tjetër ndalesë e Vllaznisë kësaj radhe ndaj Bylis, ishte e papritur apo jo?

Fillimisht ju falënderoj për intervistën e teksa për ekipin e Vllaznisë mund të them se realisht unë prisja fitore ndaj Bylisit. Luhej në shtëpi dhe skuadra vinte nga disa ndeshje jo të mira, prandaj prisja një reagim pozitiv në këtë duel. I cili nuk erdhi dhe gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet dhe presim në Shkodër. Më duket se skuadra po e vuan jashtëzakonisht presionin për titullin kampion dhe prandaj do këshilloja të gjejnë qetësinë e duhur.

Duhej ta zgjidhte ndryshe skuadra duelin, pse s’po arrin të reagojnë kuqeblutë?

Tashmë ndeshja ka përfunduar dhe flitet shumë më lehtë për gabimet, ato që nuk shkuan apo jo. Por, besoj se nuk është momenti i duhur sepse e di mirë që tek stafi teknik i kanë kuptuar defektet e skuadrës. Do shtoja që duhet rindezur “zjarri”, ajo dëshira dhe grinta e fillim sezonit. Që po mungon në këto javë e mendoj se është edhe një ndër arsyet e rënies së performancës së Vllaznisë.

Është në krizë tashmë ekipi?

Padyshim që është në krizë, por janë situata që herët apo vonë do i kalosh në kampionat. Dhe në këtë pikë nuk shoh një emergjencë të madhe. Megjithatë reagimi se si del nga kriza e bën diferencën për një skuadër të madhe dhe cilësore. Ndoshta tashmë e “keqja” ka kaluar dhe skuadra duhet të shohë përpara drejt fitoreve dhe ndeshjeve të bukura.

Si dilet nga një situatë e tillë?

Skuadra duhet të mendojë gjithmonë vetëm për ndeshjen e radhës dhe të jetë vetëm aty e përqendruar. Duhet të çlirohet dhe relaksohet pak dhe të jenë të bashkuar. Sepse cilësitë dhe mundësitë për të dalë nga ky moment janë dhe them se Vllaznia do kthehet sërish në krye shumë shpejt.

Janë dëmtimet dhe ndëshkimet me kartonë ato që kanë penalizuar më shumë Vllazninë?

Patjetër që po dhe pa dyshim që dëmtimet dhe ndëshkimet e shumta ndikojnë shumë tek ecuria e një ekipi. Por, situata duhet menaxhuar siç duhet pasi skuadra është ndërtuar për objektiva të mëdha dhe jo të jetë në dorën e 1 apo 2 futbollistëve kur ata mungojnë. Gjithashtu nëse ka probleme me pagesat që nuk janë në kohë apo me premiot në drejtim të futbollistëve edhe këta janë një faktor që ndikon në fushën e lojës.

Është ende besimi juaj i palëkundur për kuqeblutë?

Absolutisht që po sepse e kam thënë dhe e them sërish, me grupin e krijuar dhe stafin drejtues të skuadrës, Vllaznia është më se e kompletuar. Dhe po ashtu sërish për mua pretendente për titullin kampion deri në fundin e edicionit.

Çfarë duhet të presim nga ndeshjet e këtij fundviti nga Vllaznia, duke filluar këtë javë me Tiranën e për ta mbyllur në fund me Flamurtarin?

Duhet që Vllaznia në këto dy ndeshje të mendojë vetëm marrjen e 6 pikëve, për të tentuar kthimin në krye e po ashtu për të kthyer qetësinë. Pastaj do jenë edhe pushimet ku ekipi do ketë kohë për të rikuperuar energji dhe përmirësuar gabimet.

Po ashtu edhe merkato në janar mund të jetë një opsion serioz për të përforcuar skuadrën akoma më shumë. Dëshiroj me zemër që edhe Bashkia Shkodër apo edhe biznesmenët e tjerë në qytet të mbështesin sa më shumë ekipin. Sepse kjo skuadër dhe ai staf meriton mbështetje maksimale nga të gjitha anët dhe në çdo ndeshje.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL