“Duhen b*** që të luash te Flamurtari dhe këta nuk i kanë”, Moriero shpërthen ndaj lojtarëve të tij pas humbjes: Po mërzitem, do marr disa vendime këtë javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2025 | 21:44

“Duhen b*** që të luash te Flamurtari dhe këta nuk i kanë”, Moriero shpërthen ndaj lojtarëve të tij pas humbjes: Po mërzitem, do marr disa vendime këtë javë

Trajneri i Flamurtarit, Françesko Moriero, ka theksuar se humbja ndaj Dinamos kishte treguar edhe një herë problemet e vazhdueshme të vlonjatëve duke akuzuar lojtarët e tij për mungesë impenjimi.

bandicam 2025-12-08 21-28-37-758

“Më vjen shumë keq se mendoj se kemi bërë edhe taktikisht një pjesë të parë të mirë, por siç ndodh shpesh ka gabime individuale. Në gabimin e parë që bëjmë na ndëshkojnë, për këtë më vjen keq se djemtë janë impenjuar sidomos në pjesën e parë. Por të humbësh me këtë rezultat më duket pak e tepruar, kemi bërë tre gabime dhe kemi pësuar tre gola.

Ne këta lojtarë kemi, nuk është se kam të tjerë me këto karakteristika. Këtu problemi nuk është taktik, problemi është se për fat të keq marrim gol me gabimin e parë. Mund të jetë mungesë fati apo aftësi e kundërshtarëve, edhe mua më pëlqen një lojë shumë ofensive, por është e vështirë ta kapërdish, se sipas meje duhet vënë më shumë karakter në fushë, të luftojmë më shumë. Futbolli nuk është i bërë vetëm me raste e gabime por edhe me sjellje në fushë. Më vjen keq, se kemi punuar në këto ditë, ekipi tregoi se rri mirë në fushë, por me gabimin e parë pësojmë. Në pjesën e dytë u mundova të ndryshoja diçka, por shërbeu pak. Shpresoj të rikuperojmë lojtarët që mungojnë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Në pjesën e dytë Dinamo mori kontrollin e fushës, në të parën nuk mendoj se bënë ndonëj gjë të madhe, pësuam një gol nga një rivënie anësore, në një dyluftim të humbur me gabime që ndodhin në futboll. Sisdomos duke luajtur ndaj një ekipi të rëndësishëm, janë gabime që nuk t’i falin.

Pres që të fitojmë ndeshjen e radhës, pasi ajo është rruga. Por është një diskutim i gjerë, që vjen që mbrapa, pasi me Partizanin bëmë gabime, me Tiranën gabime, me Vorën, me Elbasanin kemi bërë gabime. Punohet, punohet, por kur nuk bën gabime, si me Vllazninë, rrezikon të fitosh ndeshjet se ekipi është gjithmonë prezent. Unë besoj, nuk e them se dua të mbroj ndonjë apo të jem agresiv, që duhet të përmirësohemi në shumë gjëra, por sidomos teknikisht sepse bëhen gabime shumë të mëdha. Po filloj të mërzitem duke marrë unë përgjegjësitë, me eksperiencën time, duke mbrojtur persona të cilët ndoshta ecin në fushë. Këtë nuk kam turp ta them. Sipas meje, duhet dhënë gjithmonë 100%, nga trajneri te stafi dhe të gjithë. Se të bësh një paraqitje të tillë, të marrësh tre gola në Vlorë, në stadiumin tonë, me publikun tonë dhe të mos luftosh deri në fund… Dhe unë po filloj të mërzitem, do të marr disa vendime këtë javë. Kjo është ajo që më nervozon, sjellja e disa lojtarëve që dalin në fushë. Se kemi presidencë që ka investuar shumë, ka një publik të ngrohtë, ka gjithçka për të bërë mirë. Duhet vetëm  të kesh b*** për të luajtur te Flamurtari dhe shumë prej këtyre nuk e kanë”, ishin fjalët e Morieros për RTSH pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL