Duel për “Final 4”, ja kalendari i Dinamos dhe Partizanit. Dinamovitët kanë pesë transferta deri në fund
Dinamo dhe Partizani hyjnë në fazën vendimtare të sezonit, teksa në total kanë mbetur edhe 11 ndeshje për t’u zhvilluar, në një moment kur çdo pikë ka rëndësi të madhe dhe renditja mund të ndryshojë nga java në javë, me këtë dyshen që është në garë për vendin e katërt, duke shënuar kualifikimin në “Final Four”.
KALENDARI – Kjo pjesë e kampionatit konsiderohet vendimtare për objektivat finale, pasi diferencat mes skuadrave tashmë janë zeruar (të dyja me 36 pikë) dhe kalendari, përveç formës së skuadrave, mund të luajë një rol të rëndësishëm. Nga programi i parashikuar për javët e mbetura të Superiores, vërejmë se Dinamo ka 5 transferta, gjë që e bën më të vështirë për blutë në këtë pjesë të sezonit për shkak të presionit dhe faktorëve të fushës së kundërshtarit.
TË KUQTË – Partizani, nga ana tjetër, ka 4 transferta të mirëfillta, pa llogaritur këtu ndeshjen me Dinamon dhe derbin e fazës së katërt ndaj Tiranës në “Air Albania”. Të kuqtë do të zhvillojnë 5 ndeshje në shtëpinë e tyre, “Arena e Demave”, gjë që u jep një avantazh të lehtë, nisur këtu edhe nga mbështetja e tifozërisë së tyre.
NDESHJET – Dinamo e nis me transfertë këtë javë ndaj Vorës dhe më pas përballet me Partizanin në “Air Albania”, një duel që përveç rëndësisë së pikëve ka peshë të madhe edhe për renditjen direkte mes tyre. Pas kësaj, kalendari i Dinamos përfshin transferta delikate ndaj Vllaznisë dhe Flamurtarit, dy skuadra që zakonisht paraqesin vështirësi në fushat e tyre, sidomos nisur edhe nga objektivat që kanë shkodranët për titullin dhe vlonjatët për mbijetesë. Megjithatë, Dinamo ka edhe disa ndeshje në “Air Albania”, ku përballjet me Teutën dhe Tiranën mund të jenë mundësi për të marrë pikë të rëndësishme, duke njohur më pas edhe diferencat teknike mes skuadrave. Po ashtu, në shtëpi në fazën e katërt, Dinamo do të ketë edhe Egnatian dhe Vorën, ndërsa në fund të fazës së katërt, Dinamo do të luajë edhe në “Arenën e Demave”, një sfidë që ndoshta mund të jetë edhe përcaktuese për vendin e katërt.
SFIDAT E DEMAVE – Partizani i nis këto 11 ndeshje të mbetura me Egnatian në shtëpi, një ndeshje me rëndësi jo vetëm për pikët, por edhe për bilancin sezonal ndaj rivalëve direkt, me të kuqtë që ende nuk kanë fituar ndaj rrogozhinasve në këtë sezon, duke barazuar një dhe humbur një tjetër sfidë. Më pas vjen derbi ndaj Dinamos në “Air Albania”, që përveç rivalitetit që sjell derbi, është ndër të tjera një duel kyç për garën për vendet e larta. Transferta ndaj Teutës dhe ajo në fushën e Egnatias konsiderohen ndër më të vështirat për Partizanin, pasi përballen me skuadra që kërkojnë objektiva të rëndësishme. Po ashtu, transfertat drejt Vorës dhe Elbasanit shtojnë kompleksitetin e kalendarit dhe e bëjnë çdo ndeshje të përjetohet si një finale për të kuqtë. Nga ana tjetër, Partizani pret në Tiranë skuadra si Vllaznia, Bylis dhe Flamurtari, takime që mund t’i japin mundësi për grumbullim pikësh nëse shfrytëzohet avantazhi i fushës. Të dyja skuadrat, si Partizani dhe Dinamo, kanë duele direkte mes tyre, që mund të vendosin shumë për renditjen dhe për objektivat e sezonit. Në krahasim, Dinamo ka më shumë transferta, ndërsa Partizani ka një shpërndarje më të ekuilibruar mes ndeshjeve brenda dhe jashtë. Megjithatë, shumë do të varet nga forma e kundërshtarëve, pozicioni i tyre në tabelë dhe mënyra si secila skuadër menaxhon presionin në javët e fundit. Detajet pritet të bëjnë diferencën për vendin e katërt dhe të japin verdiktin e plotë për skuadrat që do të jenë pjesë e “Final Four” për sezonin 2025/2026.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













