Dramë në minutat e fundit, ky Partizani “të bën me zemër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2026 | 23:02

Dramë në minutat e fundit, ky Partizani “të bën me zemër”

Partizani, prej momentit kur trajneri Oltijon Kërnaja ka marrë përsipër drejtimin e skuadrës, është mësuar të mos dorëzohet deri në fund. Nuk është një, por janë disa ndeshje në të cilat ekipi kryeqytetas ka ditur të marrë pikë të çmuara, pikërisht në limitet e ndeshjeve duke e kthyer këmbënguljen për rezultat në një pikë shumë të fortë.

partizani

Për ta nisur, mjafton të kujtojmë ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Bylisit teksa Toma barazoi në të 81-tën, e më pas në të 91-tën minutë, Rouan Hjuman i dhuroi fitoren të tijve. Kjo situatë u përsërit edhe në ndeshjen e javës së 20-të ndaj Teutës në “Arenën e Demave”. Takimi dukej sikur po i drejtohej një barazimi 1-1, por në të 93-tën minutë, Diego Kontreras realizoi për të kuqtë duke ndezur atmosferën në stadium.

Një tjetër moment përgjatë këtij sezoni kur ekipi i Kërnajës ka marrë pikë në limite është po ndaj Teutës, këtë herë në ndeshjen e fazës së dytë në atë përmbysje të çmendur 2-3. Goli i fitores u shënua nga Rrok Toma dhe erdhi në minutën e 86, ndërsa në ndeshjen ndaj Flamurtarit po në fazën e dytë, Xhuliano Skuka iu dhuroi të tijve fitoren 2-1 me golin e shënuar pesë minuta (85′) para se të përfundonte koha e rregullt.

Megjithatë, pavarësisht se me një llogaritje të shpejtë nga këto takime janë fituar plot 12 pikë, Partizani edhe ka lënë disa pikë të çmuara në limite. Kështu, kujtojmë golin e pësuar nga Elbasani në kohën shtesë vetëm para disa ditësh në “Arenën e Demave” duke barazuar të kuqtë në 2-2, apo disfatën ndaj Vorës me këta të fundit që ndëshkuan të kuqtë në minutën e 90-të falë golit të Dakës.

Në këtë formë, 17-herë Kampionët e Shqipërisë kanë humbur katër pikë mjaft të çmuara për klasifikimin në limitet e ndeshjeve, duke konfirmuar se minutat e fundit për Partizanin janë vërtet emocionuese dhe dramatike duke dhuruar gati gjithmonë nga një episod që ndryshon krejt rrjedhën e sfidës.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL