Ditë e shënuar për futbollistin e Kombëtares, sot mundësia për të fituar finalen e Ligës së Konferencës
Kristal Palas dhe Rajo Vajekano do të masin forcat sot prej orës 21:00. Finalja e Ligës së Konferencës i jep mundësinë Ivan Balliut, që me ekipin e tij spanjoll të përjetojë trofeun e parë në karrierë.

Futbolli europian do të përjetojë një nga finalet më interesante të viteve të fundit, teksa përballë njëra-tjetrës do të jenë Kristal Palas dhe Rajo Vajekano. Dy skuadra që askush nuk i konsideronte favorite në fillim të sezonit, kanë arritur të shkruajnë histori dhe tashmë ndodhen vetëm 90 minuta larg trofeut.
Rruga drejt finales ka qenë e mbushur me emocione, surpriza dhe ndeshje spektakolare. Anglezët kanë eliminuar kundërshtarë të fortë falë organizimit taktik dhe shpirtit luftarak. Skuadra londineze tregoi karakter sidomos në gjysmëfinale, ku ku nuk e vuri asnjëherë në diskutim kualifikimin mes festës së tifozëve.
Nga ana tjetër, skuadra spanjolle ka qenë ekipi surprizë i këtij edicioni. Klubi modest nga periferia e Madridit luajti futboll të guximshëm dhe ofensiv, duke fituar simpatinë e tifozëve neutralë në gjithë Europën. Me lojë të shpejtë dhe presion të lartë, spanjollët kanë treguar se mund të rivalizojnë edhe klubet më të mëdha.
Trajneri i Kristal Palas, Olivier Glasner deklaroi para finales se “skuadra e tij është e përgatitur maksimalisht dhe se lojtarët janë të motivuar për të fituar trofeun e parë europian në historinë e klubit”. Ai theksoi rëndësinë e disiplinës taktike dhe përqendrimit gjatë gjithë ndeshjes.
Nga ana e tij trajneri i Rajo Vajekanos Injigo Perez u shpreh se ekipi i tij nuk ka frikë nga askush dhe se finalja do të luhet me të njëjtin mentalitet si çdo ndeshje tjetër. Sipas tij, sekreti i suksesit ka qenë uniteti dhe besimi i lojtarëve. Vëmendja më e madhe do të jetë te yjet e të dy skuadrave. Kristal Palas mbështetet shumë te kundërsulmet e shpejta dhe fuqia fizike në repartin ofensiv, ndërsa Rajo synon të kontrollojë topin dhe të krijojë raste me kombinime të shpejta.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese në stadium, ku mijëra tifozë anglezë dhe spanjollë do të mbështesin ekipet e tyre. Për shumë tifozë, kjo finale është prova se futbolli vazhdon të dhurojë histori të bukura dhe se jo gjithmonë fitojnë favoritët.
Ekspertët sportivë e konsiderojnë ndeshjen të balancuar. Skuadra angleze ka avantazhin e forcës fizike dhe eksperiencës në duele të forta, ndërsa Rajo Vajekano e mbështetur totalisht në shkollën spanjolle ka treguar kreativitet dhe lojë të bukur gjatë gjithë kompeticionit. Pavarësisht rezultatit, të dy klubet kanë fituar respektin e Europës.
Arritja në finale është një sukses historik dhe një frymëzim për skuadrat që nuk kanë buxhete të mëdha, por që besojnë te puna dhe përkushtimi. Sipas kompanisë së basteve fitorja e skuadrës angleze Brenda 90 kuotohet me koeficientin 1.9, ndërkohë që ajo e Rajo Vajekanos me koeficientin 4.3. Pra shihet qartë një përqindje më e madhe e shanseve për Kristal Palas.
DRITAN LUNDRA-PANORAMASPORT.AL













