Dinamos i mungojnë pikët, por i shpëtojnë bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2026 | 9:18

Dinamos i mungojnë pikët, por i shpëtojnë bardheblutë

Dinamo nuk e ka nisur mirë fazën e tretë të kampionatit, duke marrë dy barazime dhe 2 humbje në 4 javët e para.

dinamo

Për vitin 2026, Dinamo është mjaftuar me një fitore 3-0 në Kupën e Shqipërisë ndaj Besës, skuadër nga Kategoria e Parë dhe duket se golat i ka “shpenzuar” në atë takim. Që pas ndeshjes së Kupës, Dinamo ka luajtur edhe 4 ndeshje të tjera por nuk ka arritur të shënojë asnjë gol, e ka pësuar 4 gola duke qenë se vetëm Vllaznia e mundi 2-0 dhe 0- 2 e mundi skuadra e Elbasanit. Javët në vazhdim, do të jenë vendimtare për objektivat e Dinamos duke qenë se ndeshjet do të alternohen mes Kupës dhe kampionatit dhe natyrisht që kampionati ka shkuar në një fazë që nuk ka më kthim pas dhe çdo hap i gabuar, është me pasoja të rënda pasi mund të jetë e fundit sidomos në Kupën e Shqipërisë.

TIRANA- Dinamo do të përballet këtë fundjavë me Tiranën në kampionat, ku të shtunën do të luajë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Bardheblutë janë në një moment shumë të mirë dhe nuk kanë pësuar asnjë humbje në 8 ndeshjet e fundit, teksa nga ana tjetër, Dinamo i beson statistikave. Blutë kanë fituar 2 ndeshjet e fundit ndaj Tiranës dhe çuditërisht, në të dyja ndeshjet Dinamo ka shkuar nga moment jo i mirë dhe pikërisht në ndeshjen me Tiranën i ka dhënë fund krizës. Në fazën e parë, Dinamo mundej nga Elbasani e Teuta e më pas barazonte me Bylisin para se të luante me Tiranën. Në derbi, Dinamo arriti të fitonte me rezultatin 2-1, e më pas e mbajti këtë ecuri edhe në sfidën e radhës me Flamurtarin ku fitoi 2-0. Në të njëjtat kushte ishte edhe në fazën e dytë skuadra e drejtuar nga Daja. Dinamo e rinisi kampionatin barazim ndaj Teutës, me humbje në Shkodër, e më pas barazoi me Elbasanin dhe Bylisin para se të vinte derbi në “Air Albania”. Në sfidën e fazës së dytë, Dinamo dhuroi spektakël duke fituar me rezultatin e thellë 6-2, që është padyshim edhe rezultati më i thellë e njëkohësisht me më shumë gola të shënuar në këtë vit në Superiore. Pas derbit, Dinamo fitoi ndeshjen e radhës në Vlorë ndaj Flamurtarit. Kështu, te Dinamo shpresojnë se mund të përsëritet historia dhe skuadra blu të kalojë sërish krizën për të rikuperuar pikët e lëna në këto javë të para të vitit 2026.

KALENDARI- Ndeshjet e radhës kanë shumë rëndësi për Dinamon por njëkohësisht janë shumë të vështira për vetë objektivat e skuadrave. Tirana është në një moment shumë të mirë dhe për herë të parë pas shumë muajsh i është larguar vendit të fundit. Objektivi i Tiranës këtë sezon natyrisht që mbetet mbijetesa duke parë situatën si ka shkuar kampionati dhe nëse i largohet vendeve të fundit, mund të synojë më shumë. Kështu, Dinamo duhet të reagojë ndaj një skuadre që është ndoshta skuadra në formën më të mirë të momentit në kampionat. Pak ditë më vonë, dy skuadrat do të përballen sërish dhje këtë herë bëhet fjalë për një ndeshje në Kupën e Shqipërisë, ku fillimisht do të jetë Tirana skuadra pritëse dhe në mars do të luhen ndeshjet e kthimit. Pas Kupës, Dinamo do të ketë përballjen me Flamurtarin, skuadër të cilën e ka mundur dy herë dhe tashmë vlonjatët që janë në vendin e fundit, duhet të reagojnë patjetër për të mos rrezikuar edhe më shumë rikthimin në Kategorinë e Parë. Para se të luhet ndeshja e kthimit në Kupën e Shqipërisë, Dinamo do të ketë edhe dy përballje të tjera, ndaj Egnatias fillimisht e më pas sfidën ndaj Vorës, një tjetër rival të cilin e ka mundur dy herë këtë sezon.

KLASIFIKIMI- Dinamo ka humbur goxha terren në klasifikimin e përgjithshëm, megjithatë formula aktuale e kampionatit e lejon që të luajë e qetë dhe pa shumë presion te rezultatet aktuale. Katër skuadrat e para do të kenë një minikampionat mes tyre ku skuadrave do t’i përgjysmohen pikët. Aktualisht, Dinamo e sheh veten në vendin e katërt në renditje dhe është e shkëputur me 7 pikë nga Partizani i vendit të pestë ndërkohë që e sheh veten edhe 8 pikë larg nga vendi i parë. Deri në këtë pikë të kampionatit, kjo është hera e parë që Dinamo është kaq e shkëputur me kryesuesit, megjithatë me formulën e re, nëse kampionati mbyllet në këtë moment, diferenca do të ishte vetëm 4 pikë dhe gjithçka do të bëhej më e thjeshtë për të arritur vendin e parë duke qenë se skuadrat do të kenë përgjysmim pikësh.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL