Dinamon e shpëton Kupa, 11-shja vlen 3.3 mln €. Investime kolosale në merkaton e bluve
Dinamo e sezonit të fundit, ka qenë një skuadër me shumë oshilacione, megjithatë nëse bëjmë një vëzhgim të përgjithshëm të bluve, duket investimi i madh që është bërë te kryeqytetasit.
Në dy sezonet e fundit, Dinamo është kthyer në një pretendente për trofe dhe jo më kot ka arritur të arkivojë një Kupë, një Superkupë dhe ka shansin që pas pak ditësh, të fitojë edhe Kupën e dytë radhazi apo edhe titullin kampion, me shumë fat.
Klubi blu ka investuar në futbollistë me eksperiencë, emra të njohur të kampionatit dhe lojtarë me profil ndërkombëtar, duke ndërtuar një organikë që në letër duket gati për të rivalizuar në nivelet më të larta. Vlera e formacionit titullar kalon shifrën e 3 milionë eurove, duke qenë edhe një nga klubet me vlerën më të lartë në kampionatin shqiptar sipas “Transfermarkt”.
FORMACIONI MË I SHTRENJTË- Skuadra e ndërtuar nga Dinamo paraqet një miks mes eksperiencës dhe energjisë, me repartin ofensiv që konsiderohet pika më e fortë e ekipit. Në portë qëndron Aldo Teqja me vlerë 250 mijë euro, një portier me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe një nga lojtarët që ka luajtur thuajse çdo ndeshje me blutë që nga momenti kur ka zënë vendin titullar në formacion. Përpara tij, mbrojtja ndërtohet rreth Naser Alijit vlera e të cilit shkon 250 mijë euro, një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës dhe lojtari me CV-në më të pasur ndërkombëtare në repartin defensiv.
Krahas tij aktivizohet Ledio Beqja, i cili ka vlerën 250 mijë euro, ndërsa në krahë Dinamo lojtarë si Lorran me 250 mijë euro dhe po me të njëjtën shifër, është edhe Tiago Nani, futbollistë që japin intensitet si në mbrojtje, ashtu edhe në daljet përpara. Nani është gjithashtu një lojtar që shumë ndeshje me fanellën e Dinamos, i ka luajtur edhe në mesfushë dhe në sulm, si lojtar krahu. Mesfusha është reparti ku Dinamo ka më shumë alternativa, sidomos me improvizimet që trajneri Daja ka bërë shpesh herë. Bakari Goudiabi, edhe pse ëhstë një nga lojtarët që ka shfaqur më shumë probleme, është ndër më të shtrenjtët me vlerën 275 mijë euro ndërsa Qefalija i afruar nga Tirana, është 250 mijë euro. Pak më i avancuar luan Ajodeji Malomo me vlerë 275 mijë euro, një futbollist me tipare kreative që ka shënuar edhe gola të shumtë me fanellën e Dinamos por edhe atë të Bylisit këtë sezon.
Megjithatë, diferencën më të madhe kjo Dinamo synon ta bëjë në sulm. Në krahun e djathtë aktivizohet Dejvi Bregu, lojtari më i kushtueshëm i skuadrës dhe një nga emrat më cilësorë të kampionatit shqiptar. Aftësia e tij në duelet një kundër një dhe eksperienca në ndeshjet e mëdha e bëjnë liderin të skuadrës dhe golashënuesin më të mirë në ekip. Vlera e sulmuesit vlonjat arrin në 450 mijë euro. Në anën tjetër qëndron Bernard Berisha, një futbollist me eksperiencë të madhe si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë, nuk ka dhënë atë që pritej në fillim të sezonit, megjithatë mbetet një nga më të shtrenjtët me vlerën më të lartë.
Në qendër të sulmit, edhe pse Dinamo ka disa lojtarë që mund të luajnë, Lorenco Vila është lojtari më i shtrenjtë. Edhe pse roli si sulmues qendror nuk është pozicioni natyral i tij, Vila mbetet një nga më të shtrenjtët në atë repart me vlerë 300 mijë euro. Në letër, Dinamo duket një skuadër e ndërtuar për futboll ofensiv, me shumë cilësi në krahë dhe me një mesfushë që di të shënojë shumë gola e madje shpesh herë sulmuesit, janë zhvendosur të luajnë edhe në mesfushë duke kontribuuar jashtë pozicioni. Ajo që bie më shumë në sy është fakti se klubi ka investuar në lojtarë që jo vetëm japin rendiment sportiv, por ruajnë edhe vlerë të konsiderueshme në treg.
LOJTARËT MË TË SHTRENJTË– Figura kryesore e këtij projekti mbetet Dejvi Bregu, i cili me një vlerë tregu prej 450 mijë eurosh renditet si futbollisti më i shtrenjtë i Dinamos. Sulmuesi anësor vazhdon të mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar dhe afrimi i tij shihet si një deklaratë force nga klubi kryeqytetas. Pas tij vjen Bernard Berisha me 400 mijë euro, një lojtar që pavarësisht uljes së lehtë të vlerës në krahasim me vitet e kaluara, mbetet një profil me eksperiencë të madhe dhe me potencial për të bërë diferencën në Superiore.
Ndërkohë, Naser Aliji me 350 mijë euro duke treguar rëndësinë që Dinamo i ka dhënë eksperiencës dhe sigurisë në prapavijë. Një nga lojtarët që ka fituar më shumë vlerë gjatë periudhës te Dinamo është Lorenco Vila, i cili nga 250 mijë euro në debutim ka arritur në 300 mijë euro aktualisht. Rritje pozitive kanë treguar edhe Ajodeji Malomo dhe Bakari Goudiabi, dy lojtarë që konsiderohen pjesë e rëndësishme e boshtit të skuadrës. Në total, Dinamo duket se ka ndërtuar një ekip me identitet të qartë dhe me investime serioze për realitetin shqiptar. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo skuadër me shumë milionë euro vlerë do të arrijë ta kthejë potencialin në rezultate konkrete në fushë dhe ta rikthejë klubin aty ku historia e tij e kërkon.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













