Dinamo rigjen liderin e mbrojtjes, për të tjerët do vendoset në momentin e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2026 | 19:04

Dinamo rigjen liderin e mbrojtjes, për të tjerët do vendoset në momentin e fundit

Pas dy ditësh pushim, Dinamo është rikthyer sërish në fushën e stërvitjes, duke nisur përgatitjet për sfidën e fundit, ashtu edhe për objektivat afatgjata të klubit.

bandicam 2026-05-24 20-08-38-426

Lajmi më i rëndësishëm për stafin teknik vjen nga reparti i mbrojtjes, ku Andre Teikseira ka nisur stërvitjen me ritëm të plotë. Qendërmbrojtësi është rikthyer në dispozicion të trajnerit dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Egnatias. Prania e tij konsiderohet shumë e rëndësishme, sidomos për stabilitetin defensiv në një përballje që pritet të jetë e fortë dhe me intensitet të lartë.

DYSHIMET – Në krahun tjetër, Bruno Dita dhe Dejvi Bregu po vijojnë programin individual të stërvitjes. Të dy lojtarët janë nën monitorimin e stafit mjekësor dhe përgatitor, ndërsa gjendja e tyre fizike po vlerësohet me kujdes ditë pas dite. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e tyre do të merret të shtunën, pak para ndeshjes, në varësi të testimeve dhe reagimit të trupit ndaj ngarkesës.

VENDI IV – Për Dinamon, kjo periudhë është vendimtare jo vetëm për aspektin sportiv të menjëhershëm, por edhe për konsolidimin e skuadrës në një fazë ku kërkohet stabilitet dhe vazhdimësi. Skuadra kërkon të mbyllë kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ruajtur ritmin dhe duke treguar se pozicioni aktual nuk është rastësi. Aktualisht, Dinamo renditet në vendin e katërt në tabelë, duke përsëritur ecurinë e sezonit të kaluar. Ky pozicion e mban skuadrën në një nivel konkurrues, por në kampin blu ka bindje se mund të ishte arritur edhe më shumë, nëse disa ndeshje të ngushta do të ishin menaxhuar më mirë gjatë rrugëtimit sezonal.

Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit e shohin këtë fazë të fundit si një test karakteri për skuadrën. Objektivi është i qartë. Të ruhet stabiliteti, të përmirësohet performanca në ndeshjen e mbetur dhe të krijohet një bazë më e fortë për sezonin e ardhshëm. Në kampin blu besojnë se mënyra si mbyllet sezoni shpesh ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën si nis ai pasardhës, ndaj fokusi mbetet maksimal deri në fund.

PANORAMASPORT.AL