Dinamo pret “Final 4”, 7 lojtarë drejt fundit të kontratës. “Nëndetësja” duhet të mendojë për skuadrën e sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2026 | 13:08

Dinamo pret “Final 4”, 7 lojtarë drejt fundit të kontratës. “Nëndetësja” duhet të mendojë për skuadrën e sezonit të ri

Dinamo e këtij sezoni ka pasur jo pak vështirësi dhe zhgënjim, megjithatë besimi është ende i madh te blutë. Ndërsa sezoni hyn në fazën më vendimtare dhe kanë mbetur vetëm shtatë ndeshje deri në fund të kampionatit, Dinamo gjendet përballë një situate delikate që shkon përtej rezultateve në fushë.

dinamoSkuadra jo vetëm që po lufton për objektivat e sezonit, por njëkohësisht duhet të mendojë seriozisht për të ardhmen, në një moment kur një pjesë e madhe e grupit është drejt fundit të kontratës. Diferenca prej katër pikësh nga zona “Final 4” e bën misionin të vështirë, edhe pse matematikisht të arritshëm, por realiteti në fushë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe pa gabime. Dinamo duhet të fitojë ndeshjet e saj ndërkohë që nga ana tjetër duhet të shpresojë që rivalët të ndalen. Në këtë situatë presioni, drejtuesit e klubit kanë përpara një tjetër sfidë të madhe, atë për të bindur lojtarët që janë në vitin e fundit të kontratës, të cilat skadojnë në verën e vitit 2026. Sipas të dhënave nga “Transfermarkt”, bëhet fjalë për një grup të konsiderueshëm futbollistësh që kanë firmosur në vite të ndryshme, por që të gjithë lidhen me të njëjtin afat përfundimtar, 30 qershor 2026. Kjo e kthen sezonin aktual në një moment vendimtar për të marrë vendime, nëse lojtarët do të vijojnë me skuadrën apo do të ndërpresin bashkëpunimin.

LOJTARËT PA KONTRATË- Lista përfshin emra të rëndësishëm në çdo repart të skuadrës. Në mbrojtje, eksperienca e Andre Teikseiras dhe Bruno Ditës kanë qenë një pikë referimi, ndërsa në portë Aldo Teqja ka ofruar siguri gjatë sezonit duke zënë vendin e titullarit në vitet e fundit. Në repartin ofensiv, Lorenco Vila mbetet një nga armët kryesore të ekipit, ndërsa në mesfushë rolin e tyre si protagonistë e kanë Eridon Qardaku dhe Ledio Beqja me këtë të fundit që këtë sezon ka vuajtur shumë dënimet. Në krahun e djathtë të prapavijës, Bekim Maliqi është një tjetër element i rëndësishëm i formacionit megjithëse që nga janari është dëmtuar dhe ka këputur ligamentin duke mbyllur sezonin. Të gjithë këta lojtarë përbëjnë bërthamën e Dinamos aktuale dhe largimi i tyre njëkohësisht do të krijonte një boshllëk të madh si në cilësi, ashtu edhe në eksperiencë.

OBJEKTIVAT- Ndërkohë, në planin sportiv, Dinamo është e detyruar të fokusohet maksimalisht në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Çdo pikë ka peshë të jashtëzakonshme dhe çdo gabim mund të jetë fatal për shpresat për “Final 4”. Edhe pse diferenca prej katër pikësh nuk është e pakapërcyeshme, skuadra ka nevojë për një seri rezultatesh pozitive dhe njëkohësisht për ndalesa të rivalëve, gjë që e bën objektivin të vështirë për t’u realizuar. Pikërisht për këtë arsye, Kupa shfaqet si një rrugë më reale për të shpëtuar sezonin. Një sukses në këtë kompeticion do t’i jepte Dinamos jo vetëm një trofe, por edhe një biletë për në Europë, duke ndryshuar ndjeshëm perspektivën e klubit për sezonin e ardhshëm. Një kualifikim europian do të ndikonte drejtpërdrejt në anën financiare dhe mund ta bëjë më të lehtë për të bindur rinovimet e skuadrës. Megjithatë, sfida më e madhe mbetet ajo e ndërtimit të ekipit për të ardhmen. Në këtë situatë, koha nuk pret. Dinamo nuk mund të lejojë që vendimet të shtyhen deri në fund të sezonit, pasi rrezikon të humbasë kontrollin mbi një pjesë të madhe të skuadrës. Planifikimi për sezonin e ardhshëm duhet të nisë menjëherë, sidomos nëse synimi është ndërtimi i një ekipi konkurrues për Europë. Në fund, këto javë të mbetura nuk janë thjesht për renditjen në tabelë, por edhe për të ardhmen e skuadrës dhe klubit, ku çdo rezultat pozitiv, sjell shumë të mira dhe e kundërta me rezultate negative. Nga 36 në 53 pikë, transformimi që flet vetë.

ERJON ALLARAJA-PANORAMASPORT.AL