Dinamo, me “artilerinë e rëndë” në Shkodër. Si pritet të luajnë blutë në Kupë
Të gjithë duan ta fitojnë Kupën e Shqipërisë, por me sa duket klubi i Dinamos ka një dëshirë edhe më të thelluar se tri skuadrat e tjera, kjo edhe për mënyrën sesi erdhi kualifikimi i fundit i bluve kundër Skënderbeut.
Megjithatë, tani jemi në fazën gjysmëfinale dhe ekipi i Ilir Dajës do të udhëtojë drejt Shkodrës, për të luajtur aktin e parë me Vllazninë pritëse. Ky takim është përcaktuar të nisë në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
DUELET DIREKTE Shifrat nuk janë gjithmonë përcaktuese, sepse në fushë skuadrat mund të tregojnë edhe të kundërtën, por gjithmonë ato e kanë një farë rëndësie. Në këtë vëzhgim, do të shohim 10 përballjet e fundit direkte të Vllaznisë dhe Dinamos, me bilancin që flet për shkodranët të cilët kanë arritur të marrin 4 fitore, e fundit në sezonin e kaluar me rezultatin 1-0 sepse në sezonin aktual, kuqeblutë nuk kanë arritur ta thyejnë asnjëherë Dinamon në tri sfidat e luajtura. Ndërkohë sezoni i kaluar foli për Vllazninë, teksa në katër duelet, shkodranët fituan tre dhe një përfundoi barazim. Në total gjatë 10 ndeshjeve të fundit, Dinamo ka marrë vetëm dy fitore, ndërsa katër takime të tjera janë ndarë në barazim.
FORMACIONI Mes problemeve, me disa dëmtime dhe lënien pushim gjatë takimit të humbur në Korçë për kampionat, Dinamo pritet të rikthehet me forcat e para në Shkodër. Mbrojtësi Naser Aliji rikthehet titullar dhe me shumë mundësi do të spostohet në krah në vendin e të dëmtuarit Lorran. Kështu Aliji i hap vendin në qendër Rufatit, i cili ka luajtur në ndeshjet e fundit. Po ashtu edhe në mesfushë pritet të luajë Gudjabi, Jonuzi dhe Karamba, ky i fundit është në balotazh me Tolin.
Ndërkohë treshja sulmuese përpara pritet të formohet nga Zabërgja, Nani dhe Lorenco Vila, ndërkohë në dyshim është sulmuesi kryesor Mandela, i cili është duke u rikuperuar nga një dëmtim që pësoi në takimin me Bylisin pasi shënoi gol. Ai ka tri ndeshje që nuk luan, ndërsa edhe në Shkodër me shumë mundësi do ta nisë nga stoli për të mos rrezikuar.
PANORAMASPORT.AL













