Dinamo mbush kuqezinjtë, trajneri Daja liron ekipin. Lojtarët dalin nesër në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2025 | 12:41

Dinamo mbush kuqezinjtë, trajneri Daja liron ekipin. Lojtarët dalin nesër në stërvitje

Dinamo e kaloi më në fund momentin negativ që kishte në kampionat, duke fituar 2 ndeshje radhazi.ilir dajaPasi mundën Tiranën në derbi fundjavën e shkuar, blutë fituan pa vështirësi ndaj Flamurtarit, duke konfirmuar veten e tyre mes skuadrave pretendente për titullin kampion. “Nëndetësja” ka pasur një kalendar të vështirë këtë muaj, duke marrë parasysh edhe faktin se skuadra zhvilloi 3 ndeshje në harkun kohor të një jave, për shkak se sfida e javës së parë të Superiores ndaj Teutës, u shty dy herë, ku herën e parë shkak u bë pjesëmarrja e Dinamos në Ligën e Konferencës, ndërsa herën e dytë ndeshja e Kombëtares.

PUSHIMI- Duke parë ngarkesën që skuadra ka pasur gjatë këtij muaji, Ilir Daja ka përfituar nga pushimi i Kombëtareve dhe ka vendosur që të lërë skuadrën disa ditë pushim. Pas ndeshjes ndaj Flamurtarit që u luajt të shtunën, ekipi nuk është stërvitur më, teksa përgatitjet do të rinisin ditën e nesërme, duke i dhënë mundësi lojtarëve që të pushojnë për 3 ditë. Menjëherë pas pushimit, ekipi do të nisë përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, aty ku përballë do të ketë Egnatian në transfertë e Rrogozhinës, e më pas do të presë Vorën dhe në javën e fundit të fazës së parë, luan derbin ndaj Partizanit.

KOMBËTARJA- Dinamo vazhdon të furnizojë me lojtarë si Kombëtaren shqiptare, ashtu edhe Përfaqësuesen e Kosovës. Naser Aliji është grumbulluar nga trajneri Silvinjo për ndeshjet që Shqipëria luan në datën 11 tetor kundër Serbisë dhe miqësoren e 14 tetorit kundër Jordanisë. Ndërkohë, Hekuran Berisha do të jetë me Kosovën U21 për ndeshjen zyrtare që “dardanët” luajnë ndaj San Marinos U21. Pjesë e Shqipërisë U19 do të jetë edhe Bjorni Duka. Mbrojtësi është grumbulluar nga Julian Ahmataj për miqësoret që kuqezinjtë luajnë ndaj Irlandës në datën 10 dhe 12 tetor. Mungesë e rëndësishme për Dinamon është edhe ajo e Ilir Bozhiqit. Trajneri i portierëve është në misionin e tij te Kombëtarja, ku po stërvit portierët për ndeshjen e 11 tetorit ndaj Serbisë dhe 14 tetorit ndaj Jordanisë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL