Dinamo e nis keq, faza e dytë me probleme. “Nëndetësja” kërkon revanshin ndaj Elbasanit
Dinamo e ka nisur fazën e dytë me probleme dhe ende nuk e ka shijuar fitoren e parë.
Pas një faze me oshilacione, “nëndetësja” duket se ende nuk e ka konsoliduar grupin për të bërë paraqitjen që në kampin dinamovit presin. Megjithatë, pushimi i Kombëtareve mund t’i shërbejë Dajës për të punuar më shumë me skuadrën, sidomos në repartin e sulmit pasi nga prapavija, nuk duket se ka pakënaqësi. Dinamo është një skuadër që pëson pak gola por nga ana tjetër, sulmuesit nuk po arrijnë të jenë vendimtarë, duke parë edhe problemet me dëmtimet në sulm.
KRAHASIMI- Dinamo nuk po arrin të fitojë në fazën e dytë dhe pas 2 javëve të para, numëron vetëm 1 pikë. Barazimi me Teutën, ka mjaftuar për këto dy ndeshje të para, ndryshe nga faza e parë. Në fakt, Dinamo e niste kampionatin kundër Vllaznisë për shkak se dneshja me Teutën u shty, duke marrë një fitore të madhe me rezultatin 3-1 në Elbasan. Pak ditë më parë, mundej nga Elbasani e pak më vonë mundej edhe nga Teuta duke grumbulluar 3 pikë në 3 javët e para. Këtë javë, blutë luajnë me Elbasanin dhe veç revanshit për humbjen e kaluar, Dinamo do të synojë fitore që të kthehet edhe te rezultatet pozitive dhe të kërkojë vazhdimësi për të mos humbur më shumë terren në renditje.
GJENDJA E SKUADRËS- Daja ka pasur jo pak shqetësime në këto ditë, duke e stërvitur skuadrën me mungesa të shumta. Hekuran Berisha dhe Naser Aliji janë me Kosovën U21 dhe Shqipërinë, ndërkohë që ka pasur edhe mungesa për shkak të gjendjes fizike. Kështu, Saliu Guindo është lënë pushim pasi po ndjen një dëmtim në gju dhe pritet që të bëjë të tjera ekzaminime për të parë më mirë problemin që po e shqetëson. Ndërkohë, stërvitje individuale ka zhvilluar Nani i cili po kalon një problem shëndetësor megjithëse nuk raportohet për problem që mund të zgjasë ose edhe ndikojë për përgatitjet e ndeshjes ndaj Elbasanit.
STADIUMI- Stadiumi “Selman Stërmasi” ka shfaqur sërish probleme me fushën dhe ditët e fundit, duket se i është nënshtruar sërish punimeve. Me shumë gjasa, takimi mund të zhvendoset në “Air Albania”, megjithëse ka edhe më shumë se një javë kohë deri në ditën e ndeshjes. Koha është e mjaftueshme që gjendja e fushës të jetë e përshtatshme për ndeshje, megjithatë varet edhe nga kushtet atmosferike. Në sistemin “COMET” të FSHF-së, raportohet se ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena”, por duket e vështirë që Dinamo të pranojë që të luajë në fushë kundërshtare, duke parë edhe momentin që dy skuadrat po kalojnë.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













