Debutuesit e Superiores, viti 2025 ishte perfekt te Vora
Vora ka nisur stërvitjet që ditën e dytë të vitit 2026, duke qëndruar lojtarët në shtëpitë e tyre vetëm 3 ditë. Të premten e kaluar, ata kanë qëndruar nën urdhërat e trajnerit Arian Bellaj dhe të gjithë grupit stërvitor të stafit teknik, duke kaluar që ditën e parë në ngarkesën fizike. Grupi ka qenë i kompletuar përveç dy dëmtimeve që kërkojnë kohën e rikuperimit, Françesko Hasaj dhe Bernard Karrica.

KALENDARI – Kalendari i Vorës është favorizues, pasi të gjitha ndeshjet e fazës së parë, Vora do t’i luajë në shtëpi, përveç ndeshjes së fundit kundër Bylisit, që do ta luajë në Ballsh. Kështu vorakët do të presin në shtëpi, fillimisht Partizanin, më pas vijnë me radhë Tirana, Teuta, Flamurtari, Vllaznia, Egnatia, Elbasani e Dinamo dhe së fundmi gjatë kësaj faze do të jetë përballja në Ballsh, kundër Bylisit. Ndërkohë është përcaktuar dhe kalendari, me datat dhe orët gjatë muajit janar, ku Vora do të zhvillojë 5 ndeshjet e para të vitit. Fillimisht vorakët do ta nisin në “Niko Dovana” të Durrësit me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Teutës dhe pas 10 ditësh do të jetë revanshi në kampionat po me Teutën në shtëpinë e Vorës.
VORA GJATË NJË VITI – Vora i bëri një mbyllje të shkëlqyer vitit, që lamë pas, ku në ditën e saj të fundit të vitit 2025, mundi thellësisht 4-1, një nga rivalët për mbijetesë siç është Bylis i Ballshit. Ky vit ka qenë periudha më e artë e vorakëve, të cilët në mesin e tij, arritën suksesin më të madh historik, duke u ngjitur në Superiore. 2025- a për ta ka qenë viti me më fat, pasi e kanë nisur me fitore kundër Kastriotit më 11 janar 2025, me rezultatin 3- 2 në kategorinë e parë dhe e kanë mbyllur përsëri me fitore ndaj Bylisit 4-1 në Superiore. Gjatë vitit 2025, Vora zhvilloi gjithsej 37 ndeshje, nga të cilat 16 në kategorinë e parë, 3 në kupë dhe 18 në Superiore.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













