Darka me legjendat e Flamurtarit, zbardhen batutat e Metës dhe Vasil Rucit. Presidenti: Babai sa nuk u çmend kur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2018 | 23:41

Darka me legjendat e Flamurtarit, zbardhen batutat e Metës dhe Vasil Rucit. Presidenti: Babai sa nuk u çmend kur…

Dekorimi që iu bë brezit të Flamur tarit të artë të viteve 1986-1987 nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk mbeti vetëm në muret e teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Pas ceremonisë, kreu i shtetit dhe futbollistët e shquar kanë darkuar së bashku në një nga restorantet në qendër të qytetit. “Panorama Sport” zbardh ekskluzivisht bisedat dhe disa nga batutat e bëra gjatë kësaj darke mes presidentit Meta dhe legjendave vlonjate.

Darka nisi në 20:00 dhe përfundoi rreth orës 22:10 minuta të mbrëmjes së të hënës. Në krah të djathtë të tij, presidenti Meta kishte kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, ndërsa në tavolinë ishin edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, si dhe Kreshnik Çipi, Vasil Ruci, Rrapo Taho, Latif Gjondeda, Artur Lekbello, Mexhit Haxhiu, Roland Iliadhi, Vangjel Laluci, vëllai i të ndjerit Alfred Ziaji, por edhe të tjera personalitete si rektori i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Roland Zisi. Darka është hapur nga kryetari i Bashkisë. “Falënderoj presidentin Meta për këtë vlerësim që i bëri Flamurtarit të madh. Uroj që ky Flamurtar aktual të ndjekë rrugën e atij Flamurtari të lavdishëm”, është shprehur kryebashkiaku Leli.

legjendat e flamurtarit

DOLLIA E METËS

Edhe presidenti Meta e ka nisur me dolli për të pranishmit dhe në veçanti për ekipin që bëri histori. Ai i ka tërhequr vëmendjen Sinan Idrizit, të cilit i ka thënë se në këtë rrugë duhet të ecë edhe Flamurtari aktual. “Po e ngre një shëndet për ata që na mblodhën këtu e na bënë krenar të gjithëve. Por, të marrin shembull nga ky ekip edhe këta të sotmit e Flamurtarit, të drejtuar nga Sinan Idrizi. Ishim në dilemë që kur ta bënim këtë ceremoni. Ta bënim datën që shënoi golin Sokol Kushta apo në datën që shënoi Vasil Ruci. Por, vendosëm ta bëjmë në prag të festave të nëntorit. Ku ka më bukur. Të gjithë jemi emocionuar nga ai Flamurtar dhe ndihemi krenar sa herë e kujtojmë”, është shprehur Meta, i cili më pas ngre një dolli edhe për “Mjeshtrin e Merituar të Sportit”, Mexhit Haxhiun.

“Poshtë kartoni i kuq! Ta gëzosh, Mexhit Haxhiu. Mirënjohje për ato emocione që u ke dhuruar të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga padrejtësitë që të shoqëruan gjatë gjithë karrierës”, thotë presidenti, duke iu referuar edhe librit që Haxhiu i dhuroi, teksa mban titullin “Kartoni i kuq”. Më pas, ishportieri durrsak i Flamurtarit, Lekbello, ka ngritur një dolli për presidentin Meta. “Është i vetmi që bën për sportin, pasi të bësh për sportin duhet ta njohësh atë. Faleminderit president”, ka thënë Lekbello. Por, nuk ka munguar as kundërpërgjigjja e Metës. “Lekbello ka qenë jovlonjat dhe i ka parë gjërat më i qetë se ju”.

NOSTALGJIA

Më tej, presidenti Meta ka diskutuar gjatë me ish-futbollistët e shquar për emocionet e ndeshjes me Partizanin e Beogradit. “Besoj se ndeshja me Partizanin e Beogradit ishte ngjarja më e madhe për vendin, pasi ishte e rëndësishme edhe në aspektin politik. Por, çfarë emocionesh përjetuat?”, pyeti presidenti. Ndërkaq, përgjigjen e jep ish-kapiteni i asaj kohe, Kreshnik Çipi.

“Pas ndeshjes na u prenë fuqitë. Dola nga dushi dhe nuk kisha fare fuqi”, kujton Çipi. Presidenti Meta tregon edhe një histori personale që lidhet me ndeshjen në Serbi, ku goli i Sokol Kushtës tronditi Beogradin. “Kur Flamurtari bëri gol ndaj Partizanit të Beogradit, babai im doli në ballkon dhe sa nuk u çmend. Unë shkova menjëherë pas tij, thashë se mos ra poshtë. Por, ç’të shikoje, të gjithë kishin dalë jashtë dhe po festonin. E mbaj mend si tani atë moment”, thotë Meta, duke vënë në dukje edhe krenarinë e shqiptarëve të asaj periudhe. “Me tri gjëra është krenuar Shqipëria. Me Flamurtarin në futboll, Partizanin në basketboll dhe Dinamon në volejboll”.

I ulur në tavolinën ku gjendej Meta ishte edhe presidenti i “TV6plus1Vlora”, Albert Deliaj, i cili merr fjalën. “Para disa vitesh Meta vjen në Vlorë, më telefonon dhe më thotë se donte të më takonte për të diskutuar. Ishte mëngjes. Shkova u takuam në një lokal buzë detit dhe hëngrëm petulla. Të kujtohet president”. Meta përgjigjet: “Po, po, më kujtohet, por unë atëherë isha i rëndë me shumë kile”, thotë presidenti duke qeshur. Ndërkohë, Vasil Ruci tregon një ngjarje në Beograd. “Isha me Latif Gjondedën në Beograd. Shkuam për të kthyer dollarët në dinarë për të gjithë ekipin, pasi do t’i ndanim. Kur po i ndanim, Latua meqë ishte me teser partie, për ta ngacmuar i nxjerrë 250- lekëshe shqiptare. I them tani me kë je, me Enverin apo me Titon? Me Titon jam, vëlla, më tha se dua të blej xhupa”. Në mbrëmje është kujtuar edhe ish-sulmuesi Agim Bubeqi, i cili gjendet i dënuar, për shkak të një vrasjeje të ndodhur disa vite më parë.

MBYLLJE ME KËNGË

Afër fundit të darkës, Lekbello ia merr këngës. Ai zgjedh një këngë dashurie, duke kënduar bashkë me Çipin dhe Tahon, por i është bashkuar edhe Meta. Pas këngës, është presidenti që mbyll darkën pas më shumë se dy orëve të këndshme me diskutime dhe batuta. Por, Meta preferon që të pijë një dolli me fund me Mexhit Haxhiun. “Ju uroj suksese, por duhet ta mbyllim, mos ta teprojmë, pasi kam aktivitete të ngjeshura nesër (dje) dhe janë edhe festat e nëntorit para. Dua të pi një dolli me Mexhit Haxhiun si për mbyllje. Hajde profesor, kryqëzojnë duart bashkë. Profesor Mexhiti jo me hile. Çfarë e ke atë gotën poshtë me ujë. Pi verë si unë”. Me këtë batutë përfundoi edhe darka.

ERMAL SIKA