Bylisi gati për sfidat vendimtare, rikthehet optimizmi në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2026 | 20:09

Bylisi gati për sfidat vendimtare, rikthehet optimizmi në Ballsh

Bylisi po ndjek me përpikëri planin e përgatitjeve, edhe pse në këtë periudhë është dashur të bëjë llogaritë pa tre titullarë të rëndësishëm. Në Ballsh, që prej ditës së djeshme, fokusi është zhvendosur plotësisht te sfida e së shtunës në Rrogozhinë ndaj Egnatia, një përballje e rëndësishme për objektivat e sezonit. Ndërkohë, gjatë mesjavës pritet që grupi të plotësohet edhe me lojtarët që rikthehen nga grumbullimet me kombëtaret.

bylis

Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij kanë shfrytëzuar maksimalisht fundjavën për të mbajtur në formë skuadrën. Lojtarët që nuk kanë pasur hapësira në ndeshjet e fundit, kryesisht për shkak dëmtimesh, kanë marrë minuta në testin e zhvilluar ndaj Luftëtari. Në këtë miqësore, Bylisi u paraqit me një formacion miks dhe arriti të fitojë 1-2 në Gjirokastër, falë golave të dy talenteve nigerianë, Ahmed Adepoju dhe Maulud Riruai.

Një tjetër test u zhvillua edhe ndaj Butrinti në Ballsh, ku këtë herë më shumë hapësira iu dha lojtarëve të ekipit B dhe atyre të U-19. Edhe në këtë përballje, skuadra mallakastriote u shfaq bindëse, duke fituar 2-0, sërish me protagonistë Adepoju dhe Riruai, me të parin që realizoi nga pika e bardhë. Kështu, Bylisi mbylli javën e parë të përgatitjeve me sinjale pozitive, ndërsa tashmë vëmendja është te një javë mjaft intensive dhe vendimtare.

Skuadra e parë do të përballet me Egnatian në transfertë, ndërsa ekipi B do të ketë dy sfida të rëndësishme, ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, ku gjithashtu është në lojë për objektiva të rëndësishëm sezonalë. Skuadra rikthehet në grumbullim të plotë për të përgatitur sfidën e kampionatit, e cila konsiderohet delikate, me synimin për të marrë një rezultat pozitiv. Në Ballsh është rikthyer optimizmi pas fitores ndaj Flamurtari, dhe objektivi mbetet i qartë, ruajtja e pozicioneve aktuale në renditje deri në fund të garës.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL