Buzëqesh Ilir Daja, katër rikthime te Dinamo para Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2025 | 12:16

Buzëqesh Ilir Daja, katër rikthime te Dinamo para Vllaznisë

Barazimi 0-0 në Dur rës ka konfirmuar momentin “jo” të Dinamos, që ishte larg formës së zakonshme. Megjithatë, pika e marrë në këtë transfertë vlen për blutë, duke pasur parasysh situatën në skuadër apo edhe kundërshtarin.

Screenshot 2025-02-12 121129

Kryeqytetasit kanë vuajtur që prej fillimit të 2025-ës mungesat e shumta dhe të gjitha kanë qenë me peshë në formacion. Ishin 5 titullarë që munguan në stadiumin “Niko Dovana” dhe konkretisht: Sali, Dita, Meksi, Bregu dhe Mandela. Prej fundjavës që vjen, pritet që situata të ndryshojë, pasi disa lojtarë i kanë lënë pas dëmtimet.

4 RIKTHIME – Për ndeshjen e së shtunës me Vllazninë, trajneri Ilir Daja do të ketë një skuadër më të kompletuar. Janë 4 lojtarë që do të jenë në dispozicion të tij, duke nisur nga portieri Edmir Sali, për të vazhduar me Bruno Ditën, Dejvi Bregun dhe Jorgo Meksin. Mbetet për t’u parë situata me sulmuesin Peter Itodo Mandela, i cili ka vuajtur një dëmtim muskulor që pas derbit me Partizanin dhe është ende në fazë rikuperimi.

Meksi ka shlyer skualifikimin nga kartonët, që e la jashtë ndeshjes me Teutën. Dejvi Bregu nuk luajti në Durrës, për shkak të një gjendjeje gripale, që deri të shtunën mendohet se do ta ketë kaluar. Dy rikthime të rëndësishme për trajnerin Daja janë ato të portierit Sali dhe mbrojtësit Dita, të cilët kanë munguar javët e fundit. Kapiteni u stërvit me grupin që javën e kaluar, por stafi teknik mendoi të mos rrezikonte me aktivizimin si titullar.

Portieri vlonjat ka pasur një problem muskulor dhe ka munguar në të gjitha ndeshjet e këtij viti, teksa portën e Dinamos e ka mbrojtur Aldo Teqja. Me katër rikthime njëherësh, sigurisht që situata në kampin dinamovit mund të ndryshojë pozitivisht.

Jo vetëm se grupit i bashkohen elementë të rëndësishëm, por njëkohësisht rritet edhe konkurrenca brenda tij. Duhet theksuar se Dinamo ka pasur vazhdimisht mungesa dhe më parë i ka përballuar ato, por kohët e fundit u bënë shumë titullarë në të njëjtën kohë, çka ndikoi drejtpërdrejt në lojën dhe rezultatet e kësaj skuadre. Mund të shtohet këtu edhe forma jo optimale e disa titullarëve të tjerë në ndeshje të caktuara.

GUDIABI – Përtej rikthimeve të përmendura më sipër, nuk është e thënë që Dinamo të mos ketë mungesa. Në ndeshjen me Vllazninë do të mungojë mesfushori Bakari Gudiabi, i cili plotësoi numrin 4 të kartonëve të verdhë me ndëshkimin ndaj Teutës.

Futbollisti senegalez është i detyruar ta ndjekë skuadrën nga tribuna këtë javë, kurse trajnerit Daja i duhet të vendosë për zëvendësuesin e tij ndaj Vllaznisë. Ndoshta ka ardhur koha për të parë titullar Fjoart Jonuzin, afrimi i merkatos së dimrit. Toli, Qefalija, Karamba dhe Doçi janë lojtarët e tjerë të mesfushës në dispozicion të trajnerit kryeqytetas, por edhe Bregu mund të aktivizohet në mesfushë. Deri të shtunën stafi blu do të shohë gjendjen e gjithë lojtarëve për të vendosur pastaj për ekipin anti-Vllazni.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL