Një bust Demollarit dhe Hafizi trajner, Bushi si …Bierhofi
Alban Bushi karikon Shqipërinë në prag të ndeshjes me Norvegjinë. Menaxheri i përfaqësueses kuqezi e vlerëson maksimalisht takimin e 7 qershorit, por bën thirrje për qetësi dhe për kthjelltësi. “Nuk kemi çfarë të humbim. Presioni është sërish mbi norvegjezët. Por ne kemi për detyrë të mos entuziazmohemi si tifozë, ndryshe nuk ia dalim dot”, – thotë ish-goleadori i Kombëtares për “Panorama Sport”. Më pas ai komenton edhe ish-trajnerët dhe lojtarët e Shqipërisë. “Demollarit duhet t’i bëjnë një monument, ndërsa Hafizin do ta riktheja trajner…”
Ndeshja kundër Norvegjisë ka një pritshmëri të lartë nga opinioni publik. A do të ketë edhe një organizim të veçantë?
Jo, nuk do të ketë asnjë organizim të veçantë. Për ne si zyrtarë ndeshja është programuar sipas axhendës së zakonshme, pa dashur të bëjmë gjëra ekstra, sepse mendojmë se kjo mund të rrisë presionin te futbollistët.
A ka presion te futbollistët?
Besoj se do të ketë pak presion me kalimin e ditëve, por duhet të tregohen të zotë që ta përballojnë. Presioni nuk është mbi ata, por mbi norvegjezët.
Pse është mbi norvegjezët?
Sepse teorikisht janë skuadra që duhet të fitojë patjetër. Ne deri tani jemi surpriza e bukur e grupit, por duhet të jemi realistë dhe të mos na marrë koka erë se jemi gati për në Botëror. Pritshmëritë më të larta janë mbi Norvegjinë. Shqipëria duhet të jetë e kënaqur edhe me një barazim, ndërsa rivalët tanë jo. Kjo i vë ata nën një trysni të madhe dhe skuadra jonë mund ta shfrytëzojë për t’i mundur.
Si një ish-futbollist me shumë ndeshje të Kombëtares mbi supe, çfarë nuk duhet të bëjë skuadra jonë para kësaj ndeshjeje?
Të mos e marrë me shumë presion. Të jetë e qetë dhe të bëjë mirë atë që i kërkon trajneri. Ne nuk po kërkojmë dhe nuk duhet të kërkojmë mrekulli ndaj ekipit. Duhet t’i lëmë të punojnë të qetë dhe të bëjnë mirë detyrat. Vetëm kështu ia dalim.
OK, por a mund të jeni pak më specifik?
Po ja, një gjë që nuk duhet ta bëjë Shqipëria është që të mos hutohet edhe nëse pëson gol. Shpeshherë në të kaluarën, kur kemi pësuar gol të parët, thuajse kemi dalë të humbur. Duhet të jenë të qetë, sepse Norvegjia nuk është skuadër dosido, edhe mund të të shënojë gol, por duhet të dish të jesh i qetë.
A beson Bushi te kualifikimi?
Jo, nuk besoj, por ama e ëndërroj çdo natë. Të kuptohemi: kur përdor logjikën, dal në konkluzionin se nuk jemi gati për një hap të tillë. Kur mendoj si një tifoz i thekur i Kombëtares, sigurisht që ëndërroj Brazilin…
Çfarë mendoni kur dëgjoni nga njerëz të thjeshtë se Shqipëria do shkojë në Botëror…?
Lutem që kësi gjërash t’i dëgjojnë sa më pak lojtarët. Ne duhet të jemi profesionistë. E vlerësoj mbështetjen e zjarrtë të publikut, por tani kemi nevojë për qetësi dhe maturi.
Ju thoni se nuk besoni, por kërkoni shumë kujdes në këtë ndeshje. Duket sikur jeni disi paradoksal…
Thashë që nuk besoj, por jo se nuk ëndërroj. Për të mbajtur ëndrrën gjallë duhet që të gabojmë sa më pak. Të paktën në fund të mos kemi asnjë pishman dhe të themi se pse nuk e bëmë këtë apo atë gjë më mirë.
Afrimi i kaq shumë lojtarëve të rinj, madje disa priten edhe para Norvegjisë, a mund të prishë ndonjë ekuilibër, përveçse shton konkurrencën?
Jo, nuk mendoj se prish ekuilibër. Thjesht forcon grupin dhe na bën të kemi më shumë alternativa. Skuadrat e tjera në Europë kanë në grup rreth 50 apo 60 lojtarë cilësorë dhe ndaj arrijnë të përballojnë me sukses kompeticione të tilla.
A e kishit menduar një ecuri të tillë të skuadrës sonë?
Jo, për të qenë i sinqertë jo. Patëm fat me afrimin e futbollistëve të rinj, sepse qëlluan që ishin cilësorë dhe u përshtatën menjëherë. Ishte fat për skuadrën dhe për stafin, por të mos i mohojmë edhe meritat e De Biazit, i cili ka punuar realisht shumë.
Cilët nga afrimet e këtij edicioni ju ka lënë më shumë mbresa?
Migjen Basha. Lojtar që e rrëmbeu fanellën e titullarit që në ndeshjen e parë dhe u tregoi të gjithëve se do ta ketë të vështirë t’ia marrë ndonjë tjetër vendin.
Si ka mundësi që Bakaj, Hyka, Muzaka, apo edhe ndonjë tjetër nuk kanë arritur të stabilizohen në ekip?
Po ja, ka lojtarë të dorës së parë, lojtarë mesatarë dhe lojtarë që kanë luhatje. Unë mendoj se Basha është ndër lojtarët e dorës së parë, sepse luan te Torino, ka eksperiencë, përgatitje dhe besim.
Nëse do të kishit mundësi, cilin futbollist europian do t’i afronit Kombëtares shqiptare?
Ozilin e Gjermanisë. Me një si ai, mund të bënim shumë gjëra… (qesh).
Po të ishit ende futbollist, cilin prej mbrojtësve aktualë të Kombëtares do të donit të evitonit në duele?
Mërgim Mavrajn. Është i ftohtë akull. Është i fortë dhe lexues i mirë i lojës. Kur kam luajtur futboll, parapëlqeja mbrojtësit me grintë dhe impulsivë në lojë, ndërsa tipat si puna e Mavrajt janë realisht të vështirë dhe bezdisës.
Çfarë mendoni kur Altin Lala lëshon ndonjë batutë dhe thotë se jeni si Bierhofi…?
Eh, Lala mbetet gjithnjë njeri me humor. OK, ndoshta pozicioni im tani në ekipin kombëtar është disi i ngjashëm me atë të Bierhofit në rolin e menaxherit. Ndoshta e ka fjalën për faktin që kemi qenë të dy ish-sulmues, por ama dallimi është thelbësor: Bierhof është menaxher i përgjithshëm i skuadrës gjermane, por ka edhe 100 nënmenaxherë poshtë vetes. Kurse unë këtu e ushtroj vetëm këtë detyrë. Gjithsesi, jam krenar dhe i lumtur për shërbimin që po i bëj Kombëtares. Sigurisht shumë gjëra mund t’i bëj më mirë në të ardhmen, por deri tani jam përpjekur gjithnjë maksimalisht.
Nëse një ditë do të kishit mundësi të rikthenit në detyrë një prej trajnerëve të Kombëtares me të cilët keni punuar si futbollist, kë do të kthenit?
Astrit Hafizin pa diskutim. E mori skuadrën tonë në një moment kur mundej nga 5-0 e 5-1 dhe e futi në shina. E bëri të besonte edhe te fitoret dhe të mos ishte inferiore para emrave të mëdhenj. E bëri këtë gjë në një kohë kur Shqipëria ishte realisht në pikë të hallit.
Nëse një ditë do të merrnin mendimin tuaj për t’i bërë bust një ish-futbollisti të Kombëtares, kë do zgjidhnit?
Ndoshta Panajot Panos. Unë nuk e kam parë se si luante, por e kam me të dëgjuar. Ndër lojtarët që kam parë se si luante ka qenë Demollari, dhe mendoj se edhe ai e meriton një monument për cilësitë që ka pasur dhe staturën që kishte si profesionist.
Çfarë lojtarësh pritet të afrohen në përfaqësuese?
Ata që janë përmendur deri tani në media. Unë kam parë nga afër Loret Sadikun dhe realisht më ka pëlqyer shumë.
A ju shqetëson fakti që lojtarët tanë vijnë pas përfundimit të sezonit, ndërsa norvegjezët kanë pak muaj që e kanë nisur atë?
Jo, jo, nuk mendoj se ky është problem. Një ndeshje lojtarët profesionistë e nxjerrin edhe me shpirt ndër dhëmbë. Po ju jap një shembull: kur luajtëm me Gjermaninë më 1997 në Spanjë dhe u mundëm 2-3, ishim 1-1 deri në minutën e 79-të… Po ju them se në atë ndeshje pesë lojtarë të formacionit bazë kishin nga 6 muaj pa luajtur, por ama luajtën si luanë. Mjafton që në fushë të hysh dhe të luftosh mirë që të bësh detyrat e tua.
JETMIR HALILAJ
Lila “çmend” Selanikun, fundos PAOK-un e Kaçes
Andi Lila është “heroi” i Janinës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare realizoi një gol me peshë në transfertën e djeshme tejet të vështirë në fushën e PAOK-ut të Selanikut, duke i dhënë një shtysë të madhe skuadrës së tij drejt kualifikimit në Champions. Sipas formulës në Greqi, skuadra kampione (Olimpiakosi në rastin konkret) kalon direkt në fazën e Kupës së Kampioneve, ndërsa ekipet nga vendi i 2-të deri tek i 5-ti luajnë ndeshje shtesë (6 të tilla), nga ku skuadra që grumbullon më shumë pikë kalon në Champions (turi i tretë), ndërsa tri të tjerat luajnë në Ligën e Europës. Me fitoren e djeshme 1-0 Janina shkon në kuotën e 6 pikëve pas 2 ndeshjeve të para. Ndërkohë, në këtë përballje luajti si titullar edhe Emiljano Vila për Janinën dhe Ergys Kaçe për PAOK-un. Ky i fundit u ndëshkua edhe me një karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar. Sakaq, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, Lila ka treguar edhe emocionet e këtij goli kaq të rëndësishëm për Janinën.
Një gol me peshë, pasi tani kryesoni grupin e “play-off”-it…
Po, është e vërtetë. Jemi në krye pas dy fitoreve, ndaj tani po ëndërrojmë realisht se mund të shkojmë në Champions.
Si është atmosfera në skuadër?
E jashtëzakonshme. Nuk arrijmë ta besojmë që po ecim kaq mirë dhe jemi shumë pranë një objektivi, që nuk e kishim menduar kurrë më parë.
Nga sa pashë në kronikën e ndeshjes, PAOK-u dominoi, ndërsa Janina fitoi edhe me pak fat, apo jo?
Sigurisht, pasi ata luanin në fushën e tyre, ndaj edhe në pjesën më të madhe të kohës ishin në zotërim të topit. Patën shumë raste për shënim, por ndonjëherë ishin të pafat e ndonjëherë i priti portieri ynë. Pastaj erdhi goli im dhe ata nuk patëm në kohë që të na barazonin.
Patët rast të flisnit me Ergys Kaçen?
Jo, por ai sot (dje) ka bërë një ndeshje të shkëlqyer. Është realisht një lojtar i mirë dhe nëse vjen në Kombëtaren tonë na bën shumë punë.
I shënuat skuadrës që iu ka bërë një ofertë konkrete para pak ditësh, si kanë shkuar tratativa?
(qesh) Ka mbetur pezull për momentin, pasi pritet fundi i sezonit. Nuk di se çfarë të them. PAOK-u është një klub i madh, por të shohim se çfarë do ndodhë. Sa për golin, nuk besoj se tifozët do më marrin inat.
Pse edhe mund të ndodhë?
Jo, absolutisht, por duhet ta dini që tifozët e PAOK-ut janë të veçantë. Ja tani që po flasin kemi dy orë të ngujuar brenda, pasi ata po protestojnë para stadiumit, kundër skuadrës së tyre për këtë humbje. Vetëm pasi të qetësohen do të shoqërohemi nga policia deri në dalje të Selanikut, për arsye sigurie, paçka se ata në fakt inatin e kanë me ekipin e tyre dhe jo me ne.
De Biazi: Lorik Cana, lojtar thelbësor për Lacion
Xhiani De Biazi, trajneri aktual i Kombëtares Shqiptare dhe ish-trajner në Seria A, e njeh mirë futbollin italian, ndërsa fjalët e tij lavdëruese për mikrofonat e “lalaziosiamonoi.it” janë të gjitha për teknikun e bardhekaltërve: “Unë mendoj se Petkovic i ka habitur të gjithë. Ai ka dëshmuar se është një trajner i mirë futbolli, mjaft i zgjuar nga pikëpamja taktike, një person që e di se si të marrë më të mirën nga lojtarët e tij.”
De Biazi është shprehur me nota vlerësuese edhe për Lorik Canën, i cili është bërë një lojtar thelbësor për Lacion: “Unë mendoj se Petkovic i ka vërejtur karakteristikat e Lorikut dhe në shumicën e sezonit u përpoq për ta aktivizuar në mesfushë, por kur e pa se në mbrojtje mund të merrte rezultate më të mira prej tij, vendosi ta aktivizonte në atë rol. Loriku jeton në Francë dhe unë mendoj se ka një marrëdhënie të mirë me këtë vend, ndoshta në kokën e tij dëshiron ta mbyllë atje karrierën e tij. Unë mendoj se Lacio ka zbuluar një Lorik ndryshe, një lojtar të kualitetit të mirë, që mund të japë shumë për baedhekaltrit”.
Sa për qendërmbrojtësin shqiptar të Empolit, Elseid Hysaj, që është lakuar si përforcim i mundshëm i Lacios nga Igli Tare, trajneri i kombëtares së Shqipërisë tha: “Ai është një lojtar me cilësi të mira, me forcë fizike të admirueshme. Ai është një lojtar i datëlindjes 1994, pra shumë i ri, por ka qenë pikë referuese tek Empoli. Unë besoj se, në qoftë se Lacio vendos për ta blerë atë, bën një veprim të mirë, sepse ka perspektivë të madhe.
Shënon Kapllani, Frankfurti u merr një pikë kampionëve
Sulmuesi shqiptar, Edmond Kapllani, i ka dhënë një pikë skuadrës së tij, FSV Frankfurt, në përballjen me Braunshvajgun, në Bundesligën 2 në Gjermani, ndeshje e vlefshme për javën e 34-t dhe të fundit të këtij kampionati. 31-vjeçari durrsak shënoi golin e barazimit në minutën e 50-të për ekipin e tij për rezultatin 2:2, duke i dhënë një pikë skuadrës së Frankfurtit në transfertë. Ishte kjo ndeshja e fundit e sezonit në Bundesligën 2, ku skuadra e Frankfurtit e ka mbyllur kampionatin në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme, ndërkohë që sulmuesi shqiptar është ngjitur në kuotën e 11 golave në total për Frankfurtin gjatë këtij sezoni. Ky barazim, ndonëse nuk ndryshoi shumë në renditjen e skuadrës së Kapllanit, vlen të theksohet se erdhi në fushën e kampionëve të Bundesligës 2, të cilët do luajnë sezonin tjetër në elitën e futbollit gjerman. Duhet kujtuar se sulmuesi i Kombëtares shqiptare në këtë sezon ka pësuar një dëmtim të rëndë, i cili e mbajti larg fushave të lojës për 4 muaj. Në këtë ndeshje është aktivizuar edhe mesfushori tjetër shqiptar, Odise Roshi, i cili zëvendësoi pikërisht Kapllanin në 10- minutëshin e fundit. Roshi, që këtë sezon ishte i huazuar nga Këlni te Frankfurti, ka firmosur përfundimisht para pak ditësh me këtë të fundit një kontratë 2-vjeçare, ndaj pritet që sezonin tjetër të ketë më shumë hapësira aktivizimi te kjo skuadër.
Llullaku, kamerieri që vesh fanellën kuqezi
Tri vite më parë punonte në një restorant dhe pasditeve luante futboll te skuadra e Saçilezes, në Friuli të Italisë. Azdren Llullaku, sulmuesi i ri i Kombëtares shqiptare, mendonte se do ta mbyllte jetën duke u shërbyer njerëzve në një restorant dhe as nuk kishte guxuar ndonjëherë të mendonte se kartoni i tij do të vlente sot 1 milion euro. “Kam vuajtur shumë kur kam qenë i vogël. U larguam nga Kosova në kohën e luftës dhe kam parë tmerre me sy. Së bashku me familjen time u vendosëm në Itali. Punoja në një restorant, që ishte i hapur 24 orë. Në një moment i thashë nënës sime se do ta lija atë punë dhe do të merresha me pasionin tim, futbollin, por ishim të varfër dhe na duheshin para”, – ka thënë Llullaku për të përditshmen rumune “Prosport”. Ai më pas ka treguar edhe transferimin te Gaz Median Media në Rumani, ku me vullnet të plotë nënshkroi një kontratë me klauzolën, ku thuhej se në rast largimi nga Gaz Metani, klubi i interesuar duhej të paguante një shifër prej 1 milion eurosh. “Po, drejtuesit e klubit rumun u treguan të sinqertë me mua që në fillim. E dija për klauzolën 1 milion euro në kontratë, por aq më bënte. Unë thjesht po bëja një hap të madh në karrierë, ndaj edhe nuk hezitova të firmosja”, – ka vijuar Llullaku. “Kamerieri” sot është një ndër lojtarët më të vlerësuar në kampionatin rumun, sepse ka realizuar 5 gola për skuadrën e tij dhe ka dhënë pesë asiste. “Nuk e prisja të thirresha nga De Biazi, por Zoti qenka i madh. Më duket vetja si në ëndërr që do të luaj për Kombëtaren shqiptare”, – është shprehur sulmuesi 25-vjeçar. Në fund, ai tregon edhe ambiciet e tij, të cilat lidhen gjithsesi me Italinë. Ai shpreson që të rikthehet aty, por në futbollin elitar. “Do të doja të rikthehesha në Itali dhe të luaja futboll aty. Dua të luaj të paktën njëherë të vetme në nivelet e larta të futbollit italian. Dua të tregoj se futbolli është jeta ime dhe pasioni im. Gjithsesi, jam i lumtur edhe me kaq. Unë tani kam realizuar ëndrrën time, por gjithsesi luaj edhe për familjen time”, – ka përfunduar Llullaku.
Hasi shpallet kampion tek Anderlehti
Anderlehti i Besnik Hasit është shpallur dje zyrtarisht kampion i kampionatit belg të futbollit. Ka mjaftuar barazimi 1-1 me Zulte Varengem që kryeqytetasit të drejtuar nga Xhon Van Der Brom, i asistuar nga Besnik Hasi, të fitonin titullin e 32-të në historinë e tyre. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare është pjesë e këtij klubi legjendar që prej vitit 2000. Ai luajti deri në fund të sezonit 2005-2006 për t’u rikthyer në 2008-ën si zëvendëstrajner. Sakaq, Hasi është ndër më të kuotuarit për të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin e ri.
Gega gjen “pykën”, merr Nezirajn
Lojtari më i ri që i bashkohet Shqipërisë është sulmuesi i ekipit të Luzernit II, Haxhi Neziraj. 20- vjeçari me origjinë nga Gjakova e ka konfirmuar në vetë të parë afrimin tek U-21. “Është shumë e rëndësishme për mua si lojtar dhe gjithashtu është nder i madh që të përfaqësoj kombin tim”. Neziraj është golashënuesi më i mirë i skuadrës me 8 gola. Ndërkohë, grumbullimin e Nezirajt e ka konfirmuar edhe trajneri i U-21 të Shqipërisë, Skënder Gega. “Do të jetë në listën e ekipit për ndeshjen kundër Hungarisë. E ftuam në ndeshjet që zhvilluam në Austri. Luan sulmues, pikërisht aty ku ekipi ynë ka vështirësi pas largimit të Bekim Balës dhe Armando Sadikut”, – pohoi dje Gega.
LEGJIONARËT
Bogdani – Erjon Bogdani mbetet në qendër të merkatos, edhe pse është 36 vjeç. Pas rënies së Sienës në Serinë B, sulmuesi i Kombëtares shqiptare “joshet” nga Varaze dhe Çezena. Te kjo e fundit ai ka luajtur para se të kalonte te Siena, ndaj e njeh mirë ambientin. Gjithsesi, lojtari ka pohuar se mund edhe të lëvizë drejt Kinës së largët, nëse merr një ofertë të mirë financiare.
Gjasula – Jurgen Gjasula po rikthehet pak nga pak lojtari cilësor që patëm njohur para pak kohësh. Mesfushori shqiptar, i cili do bëjë debutimin me kuqezinjtë më 7 qershor ndaj Norvegjisë, ka luajtur nga minuta e parë dje në fitoren 3-2 të Duisburgut ndaj Paderbornit në javën e fundit të Bundesligës 2.
Vangjeli-Bakaj – Dy lojtarët i janë rikthyer fushës së lojës, madje si titullarë pas problematikës që kanë hasur me dëmtime. Të dy lojtarët e Kombëtares shqiptare luajtën dje nga minuta e parë në transfertën ndaj Metalurg Donetsk, të cilën e humbën me rezultatin 2-0. Ndërkohë, Elis Bakaj u ndëshkua edhe me një karton të verdhë në minutën e 31-të të pjesës së parë për një ndërhyrje të gabuar.
Dy Berishat – Kalmari i Etrit Berishës është mundur dje në transfertë ndaj IFK Gothenburg me rezultatin 2-0. Portieri i Kombëtares shqiptare ka luajtur si gjithnjë titullar nga minuta e parë, por e ka pasur të pamundur që t’i ndalte të gjithë topat që vendësit dërgonin në portën e tij. Ndërkohë, një tjetër Berishë, Ilir Berisha, i cili luan për Orebro ka barazuar dje në transfertë 1-1 ndaj Asiriska FF. Edhe mbrojtësi luajti si titullar.
LEONARD KARAJ













