BOKS/ Mikel Çullhaj sfidon dëmtimin, me vetull të çarë për fitoren e 12-të
Pas ngjitjes së shkallëve në boksin amator në Shqipëri, me tituj të shumë kampionë kombëtarë, Mikel Çullhaj vijon prej disa vitesh karrierën e tij të suksesshme në ringun profesionit, aty ku mbetet i pamposhtur, ndërsa e ka dërguar në 12 numrin e fitoreve në po kaq ndeshje të zhvilluara (9 prej të cilave i ka me KO).

Triumfi më i fundit për boksierin nga Tirana ka ardhur vetëm disa ditë më parë kundër grekut Charilaos Malichoudis në duelin e peshave “crusiser” që u zhvillua në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik në kryeqytet. Një përballje që në fakt rezultoi një betejë e vërtetë, pasi Çullhaj pësoi një dëmtim serioz që në fillim të duelit, duke zhvilluar plot 5 raunde me vetullën e çarë. Megjithatë 28-vjeçari ia doli që ta menaxhonte më së miri ndeshjen, duke sfiduar edhe dëmtimin, për të merituar në fund fitoren me pikë. Një sukses me vlera që e ngjit edhe më shumë boksierin shqiptar në hierarkinë e dorezave profesioniste.
Pas kësaj fitoreje, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, Çullhaj theksoi rëndësinë e ndeshjes, ndërsa si gjithnjë u shprehu mirënjohjen njerëzve që e mbështesin rrugëtimin e tij në boks.

“Pas vështirësive vjen edhe lehtësime dhe falë Zotit gjithçka shkoi mirë. Siç e patë, ishte një betejë ku mu desh të sakrifikoja shumë për të arritur rezultatin e dëshiruar. Dua të falenderoj sponsorët e mi, Rigers Qefalinë, menaxherin Nelson Hysa, të gjithë partnerët, ‘Select’, ‘El Maestro’, ‘Stockholm’, ‘Bossbgold’, ‘Mjeshtërat e Thikës’ dhe ‘Varka’. Jam i lumtur që arrita t’ua shpërblej besimin të gjithë atyre që ishin pranë meje në këtë sfidë. Zoti ju ruajtë të gjithëve dhe sfida më të mëdha në presin”, u shpreh ndër të tjera boksieri 28-vjeçar.
PANORAMASPORT.AL













