Boçi: Me Egnatian për një tjetër paraqitje të fortë, atmosfera në ekip është e shkëlqyer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2025 | 10:06

Boçi: Me Egnatian për një tjetër paraqitje të fortë, atmosfera në ekip është e shkëlqyer

Teuta rikthehet te fitorja pas një ndeshjeje të luftuar ndaj Flamurtarit, duke marrë tre pikë të arta në shtëpi.bociNjë nga protagonistët e takimit ishte sulmuesi Muço Boçi, autor i golit te tretë që i dha durrsakëve suksesin dhe entuziazmin për vazhdimin e sezonit. Pas ndeshjes, Boçi foli për emocionet e golit, rëndësinë e fitores dhe sfidën e që do të luajnë sot me Egnatian.

Muço, urime për fitoren ndaj Flamurtarit. Si e përjetove ndeshjen dhe golin tënd?

Faleminderit. Ishte një ndeshje e fortë, me shumë duele dhe ritëm të lartë. Flamurtari është një skuadër që nuk të fal asnjë gabim, por ne qëndruam të bashkuar dhe kërkuam fitoren deri në fund. Goli im erdhi pas një kombinimi shumë të bukur të ekipit dhe jam i lumtur që kontribuova për tri pikët.

Çfarë do të thotë kjo fitore për ju dhe për grupin?

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për moralin. Kishim nevojë për një rezultat të tillë për të treguar se puna që po bëjmë në stërvitje po jep frytet e saj. Atmosfera në ekip është e shkëlqyer, kemi besim te njëri-tjetri dhe mendoj se kjo u pa qartë në fushë.

Tani ju pret një përballje e fortë me Egnatian. Si po përgatitet skuadra?

Po punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar. Egnatia është një ekip shumë i mirë, në formë, por ne do të shkojmë me synimin për të marrë rezultat pozitiv. Duhet përqendrim maksimal dhe sakrificë në çdo minutë. Kemi besim se mund të bëjmë një tjetër paraqitje të fortë.

Cilat janë objektivat e tua personale për këtë sezon?

Si çdo sulmues, dua të shënoj sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin me gola e asistime. Por mbi të gjitha, dua që Teuta të jetë aty ku e meriton në vendet e para të renditjes. Objektivi është kolektiv, pastaj vijnë edhe arritjet personale.

Çfarë mesazhi ke për tifozët e Teutës?

Dua t’i falënderoj nga zemra për mbështetjen e madhe. Ata janë gjithmonë pranë nesh, si në ditët e mira ashtu edhe në ato më të vështira. U premtoj që do të japim maksimumin në çdo ndeshje për t’i bërë krenarë.

PANORAMASPORT.AL