Bledi Shkëmbi analizë me grupin, zbërthehet Dinamo para derbit. Ja si pritet të luajë Tirana
E mërkura në stërvitjen e Tiranës ka qenë e ndarë me dy tablo. Pjesa e parë me analizë dhe në pjesën e dytë stërvitje. Skuadra ishte e gjitha që në orën 11:00 në “Skënder Halili” dhe, për gati 1 orë, analizoi taktikisht gjithë ndeshjen e fundit të luajtur ndaj Teutës.

Kritika pati për të gjithë, por sidomos për mënyrën se si skuadra pësoi golin e barazimit. Më pas Shkëmbi kaloi te Dinamo dhe mënyra si do të luhet ndaj ekipit të Ilir Dajës.
STËRVITJA – Menjëherë pas analizës, skuadra doli në fushë dhe vazhdoi punën. Skuadra u përgatit për rreth dy orë dhe më pas mbylli stërvitjen. Ekipi sot do të jetë në fushë dy herë, paradite dhe pasdite. Bardheblutë në këtë sfidë me Dinamon do të jenë të plotë.
Skuadra, veç të dëmtuarve Ismajli, Mihana dhe Haxhiu që ka nisur vrapimet, do të ketë në dispozicion të gjithë kontingjentin tjetër. Kozi e Gjumsi janë kthyer nga pezullimi për kartonë, ndërsa në Durrës, Mici ishte në stol. Ian Soler ka kaluar plotësisht dëmtimin, çka do të thotë se ai me shumë mundësi do të jetë titullar ndaj Dinamos. Tre lojtarë rrezikojnë për çështje kartonësh te Tirana. Ata janë Selmani, Prengaj dhe Meta, të cilët, nëse ndëshkohen në sfidën me Dinamon, humbasin takimin e parë të fazës së katërt me Laçin.
FORMACIONI – Me një skuadër të plotë, Shkëmbi do të hedhë në fushën e lojës pothuajse të njëjtin formacion si në Durrës. Në portë luan Selmani. Më pas Meta, Dembele, Kola e Përgjoni. Mesfusha do të “pikturohet” me katërshen Vera, Soler, Rafael dhe Ndreca. Në repartin e avancuar do të jetë “artileria” e rëndë Ernest-Zharmuni.

PANORAMASPORT.AL













