Birra dhe festë, Berlini ishte epiqendra e Europës
Berlini ishte shndërruar në kryeqendrën e Europës dhe të botës. Finalja e madhe e Europianit kishte mbledhur në kryeqytetin gjerman miliona qytetarë nga i gjithë kontinenti, edhe pse pjesa më e madhe ishte e dominuar nga anglezët.
Mediat bënë me dije se ishim mbi 200 mijë anglezë të cilët udhëtuan drejt Berlinit, për të shijuar këtë finale të madhe dhe në fakt ishin ata që e kanë krijuar të gjithë atmosferën në stadium dhe jashtë tij. Spanjollët më të paktë në numër, por gjithsesi në sheshe e thanë dhe ata fjalën e tyre duke u munduar që të skuqnin disi fanellat e bardha të “Tre Luanëve”.
Shumë tifozë dhe qytetarë kishin ardhur edhe nga vende të tjera të Europës, por edhe nga Shqipëria. Jo të gjithë mundën që të gjenin bileta për finale dhe shumë prej tyre e panë nga “Fan Zona”, të cilat ishin të shumta dhe shërbyen si stadiume të vogla për finalen.
SIGURIA – Në shumicën më të madhe të zonave nuk ka pasur trazira, pasi tifozët anglezë kanë qenë të shumtë në numër dhe nuk e kanë ndier aspak rrezikun e spanjollëve, në kuptimin sportiv dhe atë territorial. Policia gjermane ka qenë në gatishmëri të plotë për të shuar edhe ato pak situata ilariteti që mund të krijoheshin. Berlini ishte i blinduar. Shumë tifozë ndodheshin në hotelin ku qëndruan legjendat e futbollit Europian si Luis Figo, Bekham dhe ambasadorët e tjerë të UEFA-s që ishin për të parë ndeshjen në “Olympiastadion”. Donin që të bënin një foto me ta, por ishte e pamundur për shkak të prezencës së lartë të rojeve të sigurisë aty.
STADIUMI – Finalja e mbrëmshme u zhvillua në një prej stadiumeve me kapacitetin më të lartë të Europianit, ku prezentë ishin 71.000 të pranishëm. “Olympiastadion” nuk është stadiumi më modern dhe më i mirë i mundshëm në Gjermani, por është stadiumi më mitik dhe më legjendar i Gjermanisë. Për t’u futur aty duhet të kaloje 3 kordonë të policisë për shkak të masave të shumta.
BILETAT DHE TROFEU – Ditën e djeshme kishte ende njerëz që qarkullonin me pankarta në duar për të shitur sërish bileta në tregun e zi. Çmimi i tyre shkoi në stratosferë deri në 2 mijë apo 3 mijë euro për një biletë, teksa në ceremoninë e hapjes performuan artistë të mirënjohur si One Direction, Medusa dhe Leoni. Përpara vërshëllimës fillestare, trofeu i Europianit u soll në terrenin e lojës nga Xhorxho Kielini, kapiten i Italisë, që u shpall kampione në turneun e fundit kontinental, i cili u zhvillua në vitin 2021 në Angli.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"